Çmimi humanitar polak ECCE HOMO 2003 (“Ja njeriu”), iu akordua të dielën e kaluar Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, Anastasit. Vendimi është marrë njëzëri para disa muajsh në një mbledhje mbajtur në Kullën Mbretërore të Krakovisë. Çmimi iu dha në përfundim të Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës Orthodhokse në qytetin Hainovka, në prani të Primatit të Kishës Orthodhokse të Polonisë, Mitropolit i Varshavës dhe i gjithë Polonisë, Sava, të mitropolitëve dhe personaliteteve të tjera, si dhe të një numri të madh njerëzish. Ky nderim u bëhet personaliteteve, të cilët “me gjithë kushtet e disfavorshme, me aktivitetin e tyre konsekuent, kanë manifestuar dashuri të painteres ndaj njerëzve”. Me këtë çmim janë nderuar deri më sot: Papa Gjon Pali II, Dalai Lama XIV, Lady Sue Ryder, Tadeusz Mazowieski, shkrimtarë të shquar, artistë dhe personalitete të tjera të afirmuar në arenën ndërkombëtare.
Kryepiskopi Anastas, në krye të Delegacionit të Kishës Orthodhokse të Shqipërisë prej katër vetash, ndodhej në Poloni që nga data 16 e këtij muaji, i ftuar nga Primati i Kishës Orthodhokse të Polonisë, Mitropolit i Varshavës dhe i gjithë Polonisë, Sava. Programi i vizitës (16-23 maj 2003), përmban Bashkëmeshime të Primatëve të të dyja Kishave, si dhe vizita e fjalime në Seminarin Teologjik të Varshavës, në Akademinë Teologjike Kristiane Ndërkishtare, si dhe në mitropoli dhe manastire të Kishës Orthodhokse të Polonisë. Në program ishin përfshirë, gjithashtu, vizita në qytetet Tomazov, Lodz dhe Bialistok. Sot, 20 maj 2003, Kryepiskopi Anastas do të pritet nga Presidenti i Republikës Polake, z. Aleks Kvaznievski. Ai do të takohet, gjithashtu, me Ministrin e Jashtëm dhe me personalitete të tjera. Eshtë e para herë që një delegacion i Kishës Orthodhokse të Shqipërisë viziton Kishën Orthodhokse të Polonisë.
Dt. 20.5.2003
Zyra e Shtypit e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë