Mbjellësi doli për të mbjellë farën e tij. Dhe ndërsa po e mbillte, një pjesë ra gjatë rrugës, e u shkel, dhe zogjtë e qiellit e hëngrën. Dhe tjetra ra mbi gur; dhe me të mbirë u tha, se nuk kishte lagështirë. Dhe tjetra ra në mes të ferrave, dhe ferrat, që mbinë bashkë me të, e mbytën. Dhe tjetra ra në tokë të mirë, e kur mbiu, dha frut njëqindfish. Duke thënë këto, thërriste: Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë (Lluk. 8:5-8).
Kjo na mëson të vërejmë me kujdes jetën tonë. Ju e shikoni, mësimi nuk përqendrohet në mbjellësin, që është Perëndia, as te fara, që është mësimi i Perëndisë.
Qendra e historisë është toka, që jemi ne! Eshtë një mësim që na bën sfidë të gjithëve, për të shqyrtuar nëse toka e jetës sonë, që është zemra jonë, është e kultivuar dhe e përgatitur për të dëgjuar Fjalën e Perëndisë, për ta pranuar atë në jetën tonë dhe për ta lejuar të japë fryte që lavdërojnë Krishtin.
Të gjithë të krishterët janë njerëz të privilegjuar, sepse ne e kemi pranuar Krishtin në jetën tonë. Ne kemi gjetur thesarin më të madh që njeh bota. Por, me një privilegj të tillë vjen një përgjegjësi e frikshme. Ne kemi përgjegjësinë të japim fryte në jetën tonë, të japim frytet e Shpirtit të Shenjtë – dashuri, gëzim, paqe, durim, mirësi, mirëdashje, besim, zemërbutësi e vetëkontroll. Kur jeta jonë jep të tilla fryte, atëherë ne kemi qenë një tokë e mirë dhe e kultivuar.
Le ta shikojmë me kujdes historinë e Ungjillit: Bujku mbjell farën dhe disa ranë në tokën e fortë të rrugës. Tokë e fortë është një zemër e mbyllur. Një zemër që s’është e hapur për të mësuar. Një zemër që s’i interson të rritet. Një zemër që mendon se i di të gjitha. Një zemër që është plot krenari dhe egoizëm. Një zemër që injoron Ungjillin dhe mësimet e tij. Sa njerëz sot në kishë nuk ia hapën zemrën Perëndisë? Po, ata vijnë në kishë, por nuk dëgjojnë – vetëm kryejnë një detyrim. Sa nga ne nuk e dëgjuan Ungjillin? Sa nga ne dëgjojnë, por nuk janë të interesuar t’i zbatojnë këto fjalë në jetën e tyre? Të gjithë kemi pak ngurtësi në zemër, sepse kemi pak krenari të fshehur në veten tonë.
Një pjesë e farave ranë në gurishtë, që është një shtresë e hollë dheu që mbulon shtresën shkëmbore. Rrënjët e farës filluan të rriten, por pastaj ndeshin në shkëmb. Ato nuk shkojnë dot thellë. Kjo tokë reflekton shumë të krishterë. Njerëz që e pranojnë Krishtin, madje me gëzim, por pas njëfarë kohe ndeshin pengesa të ndryshme në jetën e tyre. Ata nuk janë të gatshëm të vrapojnë të gjithë garën. Jeta e krishterë nuk është një 100-metërsh, por një maratonë. Perëndia nuk do të përgëzojë asnjë për fillimin e garës. Vetëm ata që e përfundojnë garën do të marrin çmim.
Këtu del një mësim i rëndësishëm: Për të marrë Krishtin nuk është e mjaftueshme vetëm të dëgjojmë Ungjillin, kjo nuk është e mjaftueshme për të qenë entuziast për Krishtin, nuk është e mjaftueshme, madje, as për ta besuar Atë. E gjithë kjo nuk është e mjaftueshme, në qoftë se ne nuk japim fryte në jetën tonë DERI NE FUND TE SAJ. Në librin e Zbulesës Jisui paralajmëron të krishterët e hershëm në Efës; “Kam diçka kundër teje, sepse dashurinë tënde të parë e le. Kujtohu, pra, se nga ke rënë, pendohu, dhe bëj veprat e para”! (Zb. 2:4,5).
Një pjesë e farave ranë në ferra. Toka është e mirë. Ka shumë potential. Në një tokë të tillë farat mund të rriten. Problemi i vetëm është se nuk rriten vetëm farat e mira, por edhe shumë të tjera, që nuk i lenë vend farës së mirë të japë fryte. Në jetën tonë si të krishterë kemi shumë barëra të këqija, që i zënë vendin Krishtit. Etërit e Kishës shpesh flasin për tre barëra të këtilla: përkujdesjet e botës, mashtrimet e pasurisë dhe dëshirat për kënaqësi.
Shoqëria jonë është e mbushur me shumë gjëra, që zënë kohën tonë: televizioni, bilardo, poker, bingo, kafënetë, baret, stadiumet, muzika, madje dhe puna. Disa nga këto gjëra nuk janë të këqija në vetvete. Megjithatë ato mund t’i zenë vendin Krishtit. Në qoftë se ka ndonjë gjë në jetën tonë që na zë shumë kohën, sa që nuk mund të kalojmë kohë me Perëndinë, ndonjë gjë që na largon përqendrimin dhe përkushtimin më Krishtin, si gjënë më të rëndësishme për ne, atëhere këto gjëra janë bërë barëra të këqija në jetën tonë. Ne duhet t’i shkulim dhe t’i hedhim tutje. Nuk duam asgjë që na pengon, që të rritemi me Krishtin. Nuk duam asgjë që na ndalon të japim fryte.
Së fundi, një pjesë e farave ranë në tokë të mirë. Toka e pranon farën, e lejon të rritet pa u penguar nga asgjë tjetër e pastaj bëhet një bimë që jep fryte. Kujtoni gjithmonë: qëllimi përfundimtar i jetës sonë të krishterë është të japim fryte. Vetëm të rritemi nuk mjafton. Nuk mjafton vetëm të kesh gjethe. Ne duhet të japim frytet e Perëndisë në jetën tonë.
Si të bëhemi tokë që jep fryte? Toka e mirë është një përzierje e dhuratave të natyrshme dhe e një kultivimi të kujdesshëm. Toka mund të ketë shumë përbërës të ushqyeshëm, që janë dhënë nga Perëndia, por duhet të ketë edhe një bujk që punon në fushë. Toka duhet kultivuar, ujitur dhe duhet treguar kujdes. Kjo vlen edhe për jetën tonë shpirtërore. Nuk mund të kemi një jetë shpirtërore autentike, të vërtetë pa përpjekje të përditshme me durim, pa luftuar për të shtypur mendime dhe ndjenja të caktuara, pa një disiplinë të fortë, pa meditim dhe pa vetëshqyrtim, pa përpjekje asketike. Megjithëse Perëndia është i gatshëm të na japë direkt frytet, për të cilat kemi nevojë në jetën tonë, Ai nuk do të na i japë derisa të na shohë të përpiqemi për të kultivuar e përgatitur tokën tonë.
Kështu pra, çfarë toke jeni ju dhe unë?
Jemi tokë e fortë, e cekët, tokë me ferra apo tokë e mirë? Në qoftë se jemi të ndershëm, do pranojmë se brenda nesh kemi pjesë prej secilës tokë. Të gjithë jemi nganjëherë të fortë, nganjëherë të cekët, nganjëherë të mbushur me barëra të këqija e nganjëherë tokë e mirë. Kini kujdes, ky Ungjill na kujton! Vështroni veten tuaj! Vini re, ku jeni tokë e fortë dhe zbutuni! Vini re, ku jeni të cekët dhe thellohuni! Vini re, ku i keni barërat e këqinj dhe filloni t’i shkulni! Le t’i bëjmë zemrat e shpirtrat tanë një tokë që e pranon fjalën e Perëndisë, që i jep asaj përbërësit e ushqyeshëm, për tu rritur dhe, më në fund, jep fryte.
Iisui përfundon, duke thënë: “Ata që kanë veshë për të dëgjuar, le të dëgjojnë”. Në këtë artikull çdokush mund ta lexojnë fjalën time, por jo të gjithë e kuptojmë vërtet mesazhin që sjell Krishti. Ishte njësoj edhe gjatë kohës së Krishtit. Mijëra njerëz vinin për të dëgjuar fjalën e tij, por vetëm pak i dëgjuan e i kuptuan dhe akoma më pak i vunë në jetën e tyre, ato që predikoi Krishti. Kur Iisui thotë, “Ata që kanë veshë për të dëgjuar, le të dëgjojnë”, Ai na paralajmëron të gjithë ne të bapim zemrat tona, ashtu si edhe veshët tanë, të dëgjojmë e të kuptojmë. Pra, le të dëgjojmë me të vërtetë fjalën e Perëndisë dhe të lejojmë mesazhin e tij të ndryshojë jetën tonë! Amin.
At Luka Veroni