E thënë thjesht, pagëzimi është vdekja, varrimi e ngjallja jonë, në bashkim me Iisu Krishtin. Ai është një rit kalimi, i dhënë Kishës nga Krishti, si hyrje në Mbretërinë e Perëndisë dhe jetën e përjet-shme.
Apostulli i shenjtë Pavli përshkruan në mënyrë më lakonike premtimin e Perëndisë në këtë “mister”, siç e quajnë shumica e Orthodhoksëve, kur shkruan: “U varrosëm, pra, me Atë me anë të pagëzimit në vdekje, që, sikundër Krishti u ngjall prej së vdekurish me anë të lavdisë së Atit, kështu edhe ne të ecim në jetë të re” (Rom. 6:4). Pagëzoj (Gr. baptize) ka kuptimin zhys, fus brenda. Historikisht, Kisha Orthodhokse pagëzon me zhytje të trefishtë, “në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit të Shenjtë” (Matt. 28:19).
Në Dhjatën e Vjetër, pagëzimi pasqyrohej, nëpërmjet kalimit të popullit të Perëndisë me Moisiun përmes Detit të Kuq (I Kor. 10:1,2). Joan Pagëzori, profeti i fundit i Dhjatës së Vjetër, pagëzonte në ujë pagëzim pendimi (Mark. 1:4; Vp. 19:4). Me pagëzimin e Joanit u pagëzua edhe Iisui, i Cili transformoi kështu ujin dhe vet pagëzimin.
Në Dhjatën e Re, pagëzimi është mjeti me anë të të cilit ne hyjmë në Mbretërinë e Perëndisë (Joan. 3:5), bashkohemi me Krishtin (Rom. 6:3), dhe na jipet ndjesa e mëkateve tona si edhe dhurëtia e Shpirtit të Shenjtë (Veprat 2:38).
Çfarë rrjedh nga Pagëzimi?
Që në fillim Kisha e ka kuptuar pagëzimin si:
1. Vdekje e parë dhe e dytë
Vdekja jonë e parë me Krishtin në pagëzim ishte vdekja jonë bashkë me Të mbi Kryq. Në shekullin e katërt, Kirilli i Jerusalemit udhëzonte besimtarët e tij të rinj: “Ju u udhërrëfyet nga dora në baptisterin e shenjtë të pagëzimit hyjnor… dhe secili prej jush u pyet nëse besonte në Emrin e Atit e të Birit edhe të Shpirtit të Shenjtë. Dhe ju bëtë pohimin shpëtimtar, u zhytët në ujë dhe u ngritët përsëri tri herë. Në të njëjtin çast vdiqët dhe u lindët”.
Vdekja e dytë e pagëzimit është e vazhdueshme duke vdekur përditë në mëkat sikundër ecim në të renë e jetës.
Apostulli i shenjtë Pavli, në letrën e tij dërguar Kolosianëve në lidhje me Pagëzimin (Kol. 2:12) shkruan e konkludon duke thënë: “Bëni të vdekura anët e trupit tuaj që janë mbi dhe: kurvërinë, ndyrësinë, zemrën e keqe, dëshërimin e lig edhe lakminë që është idhulltari” (Kol. 3:5).
2. Ngjallja e drejtësisë
Kjo është jeta jonë më Krishtin, lindja jonë e re dhe hyrja në Mbretërinë e Perëndisë (Joan. 3:3). “jeta jonë e re” (Rom. 6:4). Eshtë qenia jonë e bashkuar me Krishtin në humanitetin e Tij të lavdëruar dhe ku Vet Perëndia ka bërë të ndenjur (Joan. 14:23).
Marrëdhënia jonë me Perëndinë nuk është diçka statike, as ndonjë akt ligjor që na është dhënë nga një Gjykatës Hyjnor. Përkundrazi, ajo është një jetë dinamike dhe e vërtetë më Krishtin, duke mbajtur premtimin e jetës së përjetshme. Ngjallja jonë në një jetë të re krijon tani një prelud të ngjalljes së trupit tonë në Ardhjen e Dytë të Krishtit.
3. Një shoqëri intime dhe e vazhdueshme me Perëndinë
Ne ngrihemi në një jetë të re për një qëllim: bashkim dhe shoqëri me Shpirtin e Shenjtë. Në këtë kuptim pagëzimi është fillimi i jetës së përjetshme. Për këtë arsye, apostulli i shenjtë Petri shkruan se pagëzimi tani na shpëton ne (I Petr. 3:21) – ai nuk është vetëm të hedhurit tej të ndyrësisë së mishit, po ai na pajis me “ndërgjegje të mirë për Perëndinë”.
Për shkak të këtyre premtimeve, prif’ti lutet për të porsapagëzuarin, duke falenderuar Perëndinë “që na fali ne të padenjëve pastrimin e lumur me anën e Pagëzimit të shenjtë; dhe shenjtërimin hyjnor me hrizmën jetëbërëse, që dhe tani denjove të rilindësh shërbëtorin tënd të porsandriçuar me anën e ujit dhe të Shpirtit dhe i dhurove ndjesën e mëkateve të bëra me dashje dhe padashje;”