Mjeku pranë jush
ÇFARË ËSHTË ALERGJIA DHE SI MJEKOHET?
Alergjia është një gjendje ndjeshmërie e rritur e organizmit ndaj substancave të caktuara, që quhen alergjene. Ato janë substanca kimike të ndryshme, në shumicën e rasteve proteina, të cilat, kur futen në organizëm, nxisin qelizat e disa indeve të prodhojnë antitrupa (antikorpe). Kur këto antitrupa, kur bien në kontakt të përsëritur me alergjenin specifik, shkaktojnë irritim në disa organe: hundë, bronke, lëkurë, sy, në organet e tretjes etj, duke sjellë sëmundje alergjike, si: rinite, astmë, ekzemë, konjuktivite, urtikarie. Të tilla manifestime vijnë pas një periudhe të gjatë ekspozimi ndaj alergjenit. Shembull për këtë janë p.sh. astma bronkiale tek punonjësit e fabrikave të miellit apo ekzema në lëkurë në punonjësit e plastikës, çimentos etj.
Sëmundjet alergjike kanë ekzistuar që në kohët e lashta, por në vitet e fundit, si kudo në botë edhe tek ne janë përhapur shumë. Për këtë kanë ndikuar një sërë faktorësh, si zhvillimi i industrisë, trafiku i shtuar në qytete, përdorimi i lëndëve pesticide në bujqësi, veshjet sintetike, medikamentet e shumëllojshëm, si edhe konsumimi i ushqimeve të konservuara.
Cilët janë alergjentët më të përhapur?
Alergjentët më të zakonshëm janë pluhuri dhe myku i shtëpisë, më saktë, në pluhurin e shtëpisë alergjeni kryesor është një mikroorganizëm i vogël, që shihet vetëm me ndihmën e mikroskopit elektronik, zhvillimi i të cilit favorizohet në mjedise të errëta dhe me lagështi dhe gjendet kryesisht i depozituar në shtresat e fjetjes. Një alergjen tjetër i rëndësishëm dhe shumë i përhapur është poleni i luleve, drurëve (pishës, plepit, ullirit). Si alergjenë mund të jenë edhe qimet e kafshëve shtëpiake, leshi, pambuku, kimikatet, substancat kozmetike, medikamentet etj. Nga substancat ushqimore alergji më shpesh japin: peshku, vezët, qumështi, çokollata, nga frutat: agrumet dhe arrat. Helmi i grenzës, bletës dhe i disa insekteve të tjera pickuese, gjithashtu, mund të jetë shkaktar i disa gjendjeve alergjike, madje edhe të rënda. Alergjia mund të shkaktohet edhe nga faktorë fizikë si: i ftohti, i nxehti, rrezet e diellit. Rëndësi ka kontakti i përsëritur me substancën alergjizuese. Kështu, penicilina shkakton reaksione zakonisht jo në dozen e parë. Megjithatë, ka raste që reaksioni mund të zhvillohet që në injeksionin e parë. Në këtë rast duhet menduar se bëhet fjalë për një alergjizim alergjenë, të cilët janë prezent gjatë gjithë vitit (pluhuri i shtëpisë, myku).
Astma bronkiale është sëmundje e aparatit të frymarrjes, që karakterizohet me pengesë në frymarrje, frymarrje me “fishkëllima”, me kriza të herë pas hershme, që shpërthejnë kur i sëmuri ekspozohet në ambjent me alergjenin shkaktar.
Dermatiti atopik është alergji e lëkurës, që shprehet klinikisht me të krrojtura, flluska të mbushura me sekrecione (lëngje), që shpërthejnë dhe lëkura ripet peta peta. Zakonisht filon në një vend, por mund të përhapet në të gjithë trupin. Në këtë sëmundje lot rol trashëgimia. Shkaktarët janë të shumtë, ndërsa lodhjet fizike dhe emocionet ndikojnë në keqësimin e sëmundjes.
Dermatiti i kontaktit është një gjendje alergjike, që shkaktohet nga kontakti i lëkurës me substanca të ndryshme si: kimikate, substanca kozmetike, kontakti me barin e njomë, fnet, me medikamente të përdorur në formë pomade (kryesisht ato me përmbajtje lanoline).
Urtikaria është semundja alergjike më e njohur, që karakterizohet nga një e ngritur e lëkurës ne formë nodusi (si ajo e shkaktuar nga hithrat) me ngjyrë rozë, që shoqërohen me të krrojtura të forta. Shkaku më i shpeshtë i shfaqjes së tyre janë ushqimet.
Si zbulohet alergjeni?
Për të gjetur shkaktarët e alergjisë rëndësi ka të merret nga ana e mjekut një histori e hollësishme e sëmundjes, ku të evidentohen rrethanat: vendi ku banon dhe punon i sëmuri, stina kur janë shfaqur shenjat e para të sëmundjes dhe kur ato përsëriten. Në bazë të këtyre të dhënave bëhen provat e lëkurës, për të gjetur alergjenin përgjegjës. Teknika është e thjeshtë: në parakrahun e të sëmurit hidhen pika alergjenesh të ndryshëm (për shembull pluhur, myk shtëpie, polen etj.) dhe mbi të bëhen shpime të lëkurës me majën e ages sterile, pa nxjerrë gjak dhe pas 15 min shihet rezultati (nëse p.sh. personi është alergjik ndaj pluhurit të shtëpisë, atëherë në atë zonë ku është hedhur alergjeni i pluhurit do të formohet një si e ngritur e skuqur).
Mjekimi i alergjisë
Alergjia po të njihet mjekohet. Në mjaft raste, duke njohur shkakun eliminimi i tij lehtëson ose qetëson plotësisht të sëmurin. Kështu, mund të jetë heqja nga dieta e një ushqimi shkaktar të urtikarive apo largimi i një kafshe shtëpiake në rastin e alergjive nga qimet apo zbokthi i tyre. Kjo është metoda më e efektshme.
Në raste të tjera, kur shkaku nuk mund të mënjanohet, bëhet mjekimi hyposensibilizues specifik, që konsiston në aplikimin e një sërë injeksionesh të përgatitur me ekstraktin e alergjenit shkaktar. Në alergjitë nga poleni bëhen injeksione një herë në javë, nga janari deri 15 mars; kjo, për tre vjet. Ndërsa për alergjitë nga myku dhe pluhuri i shtëpisë bëhen gjatë gjithë vitit sipas një skeme të caktuar. Me anën e kësaj metode arrihet një ulje e ndjeshmërisë në pacientë alergjikë në një të tretën e rasteve.
Krahas mjekimit specifik sipas sëmundjeve përdoren edhe medikamente të ndryshme, siç janë preparatet antihistaminike: prometazinë, incidal etj.
Parandalimi
Në qoftë se dikush mendon se është alergjik ndaj diçkaje, duhet të konsultohet me mjekun specialist alergolog.
1. Per të parandaluar alergjinë rëndësi kanë masat higjieno-sanitare, të cilat kanë për qëllim uljen e përqendrimit të alergjenit në mjediset e banimit dhe te punës (ajrimi i përditshëm dhe i herë pas hershëm i dhomave të fjetjes, ndenjes etj). Në rastin e alergjisë nga pluhuri i shtëpisë rëndësi ka edhe shkundja dhe nxjerrja në diell e batanijeve çarçafeve etj.
2. Pastrimi me larje i dyshemesë, për të mos ngritur pluhur (kur ka mundësi me fshesë me korrent), si dhe përdorimi i kondicionerëve të ajrit.
3. Teshat e fjetjes, tapetët të dizinfektohen me solucione antimykotik.
4. Të sëmurët me alergji nga polenet duhet të ekspozohen sa me pak në mjedise me gjelbërim.
5. Në rastin e alergjisë ushqimore dhe asaj medikamentoze pacienti duhet të evitojë të hajë e ushqimit shkaktar apo të përdorë medikamentin ndaj të cilit është alergjik.
6. Për të shmangur reaksionet e renda, jo rrallë vdekjeprurëse, nga medikamentet, si penicilina etj., është e domosdoshme që injeksionet të bëhen ne prani te personelit mjekësor, qe ne rast reaksioni të jepet menjëherë ndihma e shpejtë. Për të qenë më të sigurt, i sëmuri duhet të mbahet nën mbikqyrje të paktën 30 min.
Dr. Violeta Dhimitri