Gjithë njerëzit kanë një gjë të përbashkët: e dinë se diçka nuk shkon. Duam të jetojmë, por dimë se do të vdesim. Me zemër e ndjejmë se duhet ta duam njëri-tjetrin, por shohim një botë të mbushur me urrejtje dhe zemërim. Duam paqe, por jetojmë në një botë me luftë. Kemi dëshirë të mësojmë të vërtetën, por shohim gënjeshtra rreth e qark. Përpjekjet tona njerëzore për t’u bërë të lumtur janë të shumta.
Duke dashur të kemi për vete sa më shumë gjëra, duke kërkuar kënaqësinë fizike, duke u përpjekur të kemi pushtet mbi të tjerët, duke përdorur drogat dhe alkoolin, apo duke fluturuar nëpër fantazira të kota – përpjekjet tona përfundojnë në dështim e zhgënjim. Megjithatë ne e dimë se jemi krijuar për të qenë të lumtur, për ta jetuar jetën me të gjitha të mirat e saj. Kristianët orthodhoksë besojnë se Perëndia bëri një botë të mirë, një botë që reflekton mirësinë e vetë Perëndisë. Por njerëzit deshën të bëhen vetë zotër të vegjël. Ata harruan se Perëndia është burimi i tyre, ashtu si dhe dielli është burimi i dritës. Perëndia i bëri njerëzit siç deshi vetë, që të jetonin me Të. Por ata duke bërë mëkat e prishën lidhjen me Perëndinë. Mëkat është zgjedhja e një jete ndryshe nga jeta që Perëndia na dha neve. Kjo do të thoë se ne përpiqemi të bëhemi vetë zotër, të jemi të pavarur nga Perëndia, të kemi një jetë pa Perëndi. Ky është burimi i të gjithë vuajtjeve njerëzore. Iisui erdhi të na përtërijë e të na kthejë ne dhe gjithë njerëzinë në jetën që do Perëndia. Iisui ishte njeri, por pa mëkate. Ai ishte me Perëndinë dhe jetoi mes njerëzve si dashuri e vetë Perëndisë. Ai erdhi tek ne dhe ndau shpirtin e tij me ne, për të na dhënë të vetmen jetë të vërtetë – jetën e vetë Perëndisë. Pikërisht me këtë mision u dërgua Iisui që në fillim. Ai është quajtur “Krisht” që do të thotë “i bekuari, i zgjedhuri” nga Perëndia për të na treguar mënyrën e jetës që duhet të bëjmë. Nëpërmjet fjalëve dhe shembullit të Tij, Iisui na mësoi se si duhet të jetojmë. Ai shëroi të sëmurët, u jepte shpresë të varfërve dhe i mësoi njerëzit si ta donin njëri tjetrin. Duke vdekur i kryqëzuar, Ai tregoi se ç’kuptim kish dashuria. Bota nuk mund ta duronte mirësinë dhe dashurinë e Tij, prandaj edhe njerëzit e vranë. Por Ai edhe ata i donte. Ne të gjithë jemi vrasësit e Tij, sepse të gjithë jemi mëkatarë. Ai na donte, prandaj edhe u ngrit nga vdekja për të na treguar se dashuria e Perëndisë e mund vdekjen. Ai ishte burim i tillë jete sa që pranoi edhe vdekjen për dashurinë e gjithë njerëzimit. Vdekja nuk mundi ta vrasë Atë. Ai u ngrit për të na treguar se në qoftë se ne do të bëjmë jetën e Tij, edhe vdekja do të kapërcehet. Gjithë çfarë na duhet neve (sepse jemi njerëz, dhe jemi bërë të ndajmë dashurinë me Perëndinë) gjendet në Iisuin. Ai na tregon rrugën për tek Perëndia, çfarë është e vërtetë dhe çfarë duhet të bëjmë për të patur jetë. Iisui vetë tha: Unë jam Udha, e Vërteta dhe Jeta. Askush nuk vete tek Perëndia përveç se nëpërmjet meje.
Kristianët orthodhoksë besojnë se Iisui është gjallë, me Perëndinë. Ai është njeri, por në të njëjtën kohë është edhe hyjnor. Kur njohim Iisuin, njohim vetë Perëndinë. “Kush më njeh mua, njeh Perëndinë”, u thoshte dishepujve të Tij. Iisui është Perëndi, një me Atin, që e bën gjithë jetën me Atin. Ai na dërgon Shpirtin e Shenjtë që të na ndihmojë të ecim në udhën e Perëndisë. Ajo udhë është vetë jeta e Tij, dhe është e Tij me të drejtë. Ajo i takon Atij që para fillimit të kohës. Ajo udhë është jona si dhuratë e Perëndisë, e dhënë nga Ati në Krishtin, nëpërmjet Shpirtit të Shenjtë. Një shkrimtar i hershëm kristian i quajti Iisuin dhe Shpirtin e Shenjtë: “Dy duart e Atit”.
Iisui është i pranishëm në Kishë. Pasi u kthye tek Ati Iisui dërgoi Shpirtin e Shenjtë të jetojë në kishën e Tij. Shpirti i Shenjtë ka pasë qenë midis njerëzve të Perëndisë që në fillim. Para se Iisui vinte, Shpirti i Shenjtë frymëzoi profetët dhe gjithë ata që shkruan Dhiatën. Në Dhiatë gjejmë mënyrën se si ka punuar Perëndia me njerëzit. Ajo u shkruajt sepse Shpirti i Shenjtë gjithmonë punonte midis atyre që Perëndia zgjodhi për t’u treguar planet e Tij. Mënyra me të cilën Perëndia jetoi mes njerëzve u bë akoma më direkte pas Iisui na u tregua me shëmbëllimin e Atit. Tani Iisui është më të vërtetë mes nesh, në Kishën e Tij. Iisui u bëri thirrje pasuesve të Tij për t’i pagëzuar të gjithë ata që i bindeshin fjalës së Tij.
Apostujt ishin shokët dhe pasuesit e parë të Iisuit. Ata ishin gjithashtu njerëzit që patën dëshmuar ringjalljen e Tij. Këta dëshmitarë i ranë botës përqark, duke dhënë mësime e duke filluar bashkime në të cilat njerëzit pagëzoheshin. Prania e Iisuit ndihej në kungatë, veprim që nënkuptonte “Faleminderit Perëndisë”. Apostujt zgjodhën udhëheqës për këto bashkime. Ata ishin episkopët e parë. Gjithë episkopët orthodhoksë janë pasardhës, ndajnë dhe vazhdojnë jetën e Iisuit. Episkopët caktojnë priftërinjtë të bëjnë çfarë urdhëroi Iisui për pasuesit e tij: të pagëzojnë, të ndajnë bukë e verë dhe të mbajnë mend se kudo – në martesë, në sëmundje, në shëndet, në vdekje dhe jetë – Ai është me ne, dhe se jeta e Tij është jeta jonë. “Unë do të jem me ju, çdo ditë deri në mbarim të jetës” – tha Iisui.
Në pagëzim, ne vdesim dhe ngjallemi me Krishtin, si dhe na premtohet ngjalja: në qoftë se jemi besimtarë, do të jemi si Iisui dhe vdekja s’do të jetë fundi ynë. Ne do të jetojmë përgjithmonë me Iisuin, me gëzimin që e kemi ditur se Ai na takon ne. Ky gëzim dhe kjo jetë e re fillon që tani, në jetën tokësore. Kur Kisha mblidhet dhe ha bukë me verë (siç bëri Iisui me shokët e tij në Darkën Mistike para se të kryqëzohej për ne, Iisui është me të vërtetë aty. Ai na jep veten e Tij në kungatë, për të na frymëzuar e ndihmuar të ndryshojë shumë e më shumë për t’u bërë si Ai.
Iisui është udha jonë, e vërteta jonë dhe jeta jonë. Ai kërkon nga ne t’ia japim veten tonë Atij, që Ai të mund ta kapërcejë vdekjen e të na largojë vuajtjet. Mbi tokë ne ndajmë kryqin dhe vuajtjet e Tij. Por ne dimë se Ai ka korrur fitoren finale duke mposhtur vetë vdekjen, për t’i sjellë njerëzit edhe njëherë në bashkim me Perëndinë. Ne kurrë s’mund të bëjmë mjaft për ta merituar këtë sakrificë. Ne kurrë s’mund ta bëjmë veten të vlefshëm për të. E vetmja gjë që mund të bëjmë ne, është ta pranojmë Atë me mirënjohje, duke falënderuar Iisuin dhe duke u përpjekur ta duam njëri-tjetrin ashtu si Ai na do ne.
(Marrë nga një botim i Seminarit Orthodhoks Teologjik të Shën Vladimirit)