EmailFacebookKontakt

Ç’është psaltiri dhe nga e ka marrë emrin?

Psaltiri është një nga të 49 librat, që përbëjnë Dhiatën e Vjetër. Emrin e ka marrë nga një instrument muzikor, që quhej “Psaltir” dhe që përdorej nga shumë Hebrenj të vjetër. Hebrenjtë përdornin dhe vegla muzikore të tjera, si lirën, trumbetën, timpanin etj. Psaltiri ishte një instrument muzikor, i cili, motivin e tingujve e kishte të lartë. Kështu, meloditë e psalmeve, që këndoheshin me këtë instrument, e drejtonin lart shpirtin dhe mendjen e atyre, që i dëgjonin e jo poshtë, në gjërat e kësaj bote.

Kush e bëri psaltirin

Tradita e vjetër judaike e talmudike (2 Mak. 2,13-14. Talm. Baba Bathra 15 a) pohon, se shkrimtar e kompozitor i psalmeve dhe i psaltirit është profeti dhe mbreti David, i cili ka jetuar gjatë shekullit X para Krishtit. Kjo traditë kaloi pastaj nga Sinagoga në Kishën e Krishterë, pothuaj, që në fillim të themelimit të saj (Hebrej. 4,7). Emri i profetit dhe mbretit David dhe ai i Psaltirit u bënë sinonime. Këtë pikëpamje shprehin dhe shumë nga Etërit e mësuesit e shquar të Kishës, si Shën Joan Gojarti, Shën Ambrozi, i lumturi Agustin e të tjerë.

Tradita e vjetër, judaike dhe ajo e krishterë mbështetet në faktin, se Davidi është i pari, që, me frymëzimin hyjnor, pati dhuntinë të shkruajë dhe të kompozojë psalme dhe se shumica e psalmeve, që përmban Psaltiri, janë kompozime të tij.

I urti Sirah thotë për Davidin: “I këndoi dhe e deshi me gjithë zemër Atë, që e krijoi dhe vuri psaltër në altar, që me zërin e tyre, t’i këndojnë këngë të ëmbla; u dha shkëlqim të kremteve dhe caktoi me hollësi kohën e kryerjes, që me anën e tyre, të lavdërohet emri i Tij i Shenjtë dhe, në të cilat qysh në mëngjes herët të gjëmojë me këngë vendi i Tij i shenjtëruar” (Sirah. 47, 8-10).

Psaltiri përmban gjithsej 150 psalme. Vetë titujt e psalmeve, si edhe kritika historike dhe letrare kanë përcaktuar, se 87 nga këta mbajnë si autor emrin e Davidit, 12 të Asafit, 10 të bijve të Koresë, 4 të Agjeut e të Zaharisë dhe nga një, emrat e Moisiut, Solomonit, Emanit dhe Ethanit, kurse 33 psalme nuk kanë asnjë shënim. Në fund të tekstit ekziston dhe një psalm shtesë, me shënimin, se është shkruar nga vetë Davidi kur u ndesh me Goliathin.

Lidhur me sa më sipër Shën Thanasi i Madh, në veprën e tij “Sinojosis”, thotë: “Po, megjithë që Psaltiri mban në krye të tij vetëm emrin e Davidit, në të ka edhe psalme nga persona të tjerë. Mirëpo, libri mban vetëm emrin e Davidit, sepse ai është i pari, që duke u pajisur nga Perëndia me dhuntinë e këngës, filloi të kompozojë e të shkruajë psalme para të gjithëve. Psalmistët e tjerë i caktoi ai vetë, duke i zgjedhur mes priftërinjve….”

Për psalmet, që janë pa emër, i lumturi Jeronim thotë, se ato duhen konsideruar, se janë të atij poeti, emri i të cilit, është në krye të psalmit të mëparshëm. (Shih letrën drejtuar presviterit Qiprian).

Shën Joan Gojarti, në prologun e predikimit të tij për psalmet, e sqaron këtë problem, duke thënë: “Psalmet, megjithëqë, sipas titujve, që kanë u përkasin personave të ndryshëm, sipas frymës së tyre përbëjnë një tërësi të vetme, të njëjtë me këngën e Davidit. Në këtë kuptim, disa nga Etërit e Kishës me plot të drejtë ngulin këmbë në pikëpamjen, që krejt Libri i Psalmeve duhet konsideruar si i Davidit, të mbështetur në këtë edhe në faktin, se as Zoti, as Apostujt nuk kanë treguar ndonjë tjetër autor përveç Davidit”.

Dhe po e mbyllim këtë me fjalët, që i lumturi Teodorit ka shprehur në prologun e shpjegimit të psalmit 150: “Disa thonë se psalmet nuk janë të gjithë të Davidit. Unë nuk them asgjë për këtë, sepse të gjithë psalmet janë të shkruar nën ndikimin e Shpirtit të Shenjtë. Profeti, qoftë David, qoftë dikush tjetër, ka patur vetëm cilësinë t’ia vinte veten si organ, Hirit Hyjnor”.

(Vijon)

Përkthyen e përgatitën:
Dh. Beduli Th. Qendro