“Organizatë kishash që pohojnë Zotin Iisu Krisht, Perëndi dhe Shpëtimtarin sipas Shkrimeve, ndaj dhe kërkojnë të realizojnë bashkëthirrjen e tyre të përbashkët për lavdinë e Perëndisë së Vetëm, Atit, Birit dhe Shpirtit të Shenjtë”.
Ideali i unitetit të Kishës nuk u zhduk kurrë plotësisht nga ndarjet historike të Krishtërimit. Por ideali filloi të lulëzojë në mënyrë të veçantë nga fundi i shekullit të XIX. Kjo shënoi fillimin e lëvizjes ekumenike moderne, në të cilën është rrënjosur organizata e Këshillit Botëror të Kishave.
Patriarkana Ekumenike e Konstandinopolit, më 1920 u dërgoi një letër “të gjithë Kishave të Krishtit, kudo”, duke nxitur formimin e një “lige të kishave”. Ky propozim i parë zyrtar kishtar për një shprehje institucionale të Ekumenizmit të përbotshëm shënoi fillimin e angazhimit aktiv ekumenik nga Kishat Orthodhokse.
Po këtë vit u realizua themelimi i tre lëvizjeve për punë kooperuese ndërmjet të krishterëve – në ierapostoli, në veprimtarinë shoqërore dhe në trajtimin e ndryshimeve doktrinale.
Me 1937 udhëheqësit kishtarë vendosën të krijojnë një Këshill Botëror të Kishave. Shpërthimi i Luftës së Dytë Botërore vonoi realizimin e vendimit deri në gusht 1948, kur përfaqësuesit e 147 kishave u takuan për të formuar Këshilin Botëror të Kishave në Asamblenë e tij të parë në Amsterdam. Kisha jonë orthodhokse, e cila qe e angazhuar në mbrujtjen e lëvizjes ekumenike para Luftës së II Botërore, me siguri që do qe anëtare themeluese e Këshillit Botëror të Kishave, po të mos e kishte ndërprerë persekutimi ateist.
Shumica e kishave themeluese qenë Europiane dhe Amerikanoveriore. Që atëherë, numri i kishave anëtare të Këshillit Botëror të Kishave është rritur më shumë se dyfish (gjithsej 324 me Kishën tonë), dhe Këshilli është bërë gjithmonë edhe më tepër organizmi botëror që sugjeron vetë emri. Paraprirëse të unitetit të premtuar dhe vegla të ndërtimit të këtij uniteti janë veprat e solidaritetit për drejtësi, paqe dhe integritet të Krijesës. Sot në të gjitha kishat anembanë botës vazhdon kërkimi ekumenik.
Kisha Romano-Katolike nuk është anëtare e Këshillit Botëror të Kishave, por ka punuar ekumenikisht me Këshillin Botëror të Kishave në shumë rrugë të rëndësishme që nga Koncili II i Vatikanit (1962-1965).
Nga ana organizative përfaqësuesit e gjithë kishave anëtare mblidhen çdo shtatë vjet në Asamble, e cila zgjedh edhe komitetin Drejtues prej 150 vetësh, që mblidhen një herë në vit, dhe nga i cili zgjidhet edhe Komiteti Ekzekutiv. Drejtimi administrativ realizohet nga Sekretariati i Përgjithshëm, ndërsa sipas qëllimeve kryesore të Këshillit Botëror të Kishave funksionojnë katër seksione, me 270 nëpunës gjithsej. Këto seksione, që kanë qendrat e tyre në Gjenevë – janë: Seksioni I: Unitet dhe Përtëritje. Seksioni II: Ierapostoli, Edukim dhe Dëshmi. (Shënojmë se Kryepiskopi Anastas ka punuar si moderator i seksionit II për 7 vjet: 1984-1991). Seksioni III: – Drejtësi, Paqe dhe Krijim. Seksioni IV: Pjesëmarrje dhe Shërbim.