EmailFacebookKontakt

Ceremonia e Fronëzimit të Kryepiskopit të Tiranës dhe të Gjithë Shqipërisë, Imzot Anastasit (kronika)

Të dielën, më 2 gusht 1992, në Kryekishën e Ungjillëzimit në Tiranë u zhvillua ceremonia e fronëzimit të Kryepiskopit të Tiranës dhe Gjithë Shqipërisë, Fort të Lumurit Imzot Anastasit.

Para ceremonisë së fronëzimit u zhvillua mesha e shenjtë, që atë ditë kujtonte lipsanin e Shën Stefanit, dëshmorit të parë të Kishës pas Krishtit. Meshën e kryesoi përfaqësuesi i Patriarkanës, sekretari i përgjithshëm i Sinodit të Shenjtë Ekumenik, Kryehirësia e Tij, Mitropoliti i Filadelfias, Imzot Melitoni. Ai u ndihmua nga një grup klerikësh, mes të cilëve mund të veçojmë atë Ilia Katren nga diaspora e SHBA-së, atë Gaqo Petrin etj.

Pas mbarimit të Liturgjisë, në orën 11.00, në një kishë të mbushur si rrallëherë, u zhvillua ceremonia e fronëzimit të Fortlumturisë së Tij, Imzot Anastasit, si Kryepiskop i Tiranës dhe i Gjithë Shqipërisë. Merrnin pjesë në këtë ceremoni të dërguarit e Patriarkanës së Shenjtë Ekumenike, Mitropoliti i Filadelfias, Imzot Melitoni, mitropoliti i Pergjit (Azia e Vogël), Imzot Vangjeli, përfaqësues nga Këshilli Evropian i Kishave, klerikë të huaj, përfaqësues të trupit diplomatik etj. Merrnin pjesë, gjithashtu, përfaqësues të këshillave kishtare nga të katërta Dioqezat, të cilat përfaqësonin gjithë elementin orthodhoks të Republikës së Shqipërisë, si dhe miq e kolegë të Kryehirësisë së Tij, Imzot Anastasit, të ardhur nga anë të ndryshme të botës. Mes tyre mund të veçohen priftërinjtë e murgeshat nga Afrika, ku Imzot Anastasi ka punuar për 10 vjet, deri para ardhjes në Shqipëri, si Kryepiskop – aktiv për mëkëmbjen e Kishës Orthodhokse të Kenias. Ugandës dhe Tanzanisë, me qendër në Nairobi etj.

Ishin ftuar për të marrë pjesë edhe autoritetet më të larta të shtetit e qeverisë, të institucioneve kulturore e arsimore, përfaqësuesit e mjeteve të informimit, atë Liolini dhe klerikët e tjerë të diasporës etj. Gjatë kësaj ceremonie, përfaqësuesi i Patrikanës së shenjtë Ekumenike të Konstandinopojës, Kryehirësia e Tij, Mitropoliti i Pergjit, Imzot Vangjeli, i dorëzoi Imzot Anastasit “Shkopin Baritor” që simbolizon pushtetin kishtar dhe u lexua përshëndetja e rastit e Patriarkanës.

Në këto çaste të gëzueshme, qindra besimtarë, që mbushnin kishën dhe sheshin para saj, duartrokisnin dhe brohorisnin pandërprerë në shenjë aprovimi. Nga fundi i ceremonisë, një grup i vogël, i përbërë nga disa orthodhoksë dhe disa myslimanë, përfshirë dhe një deputet të këtij besimi, shqetësuan dhe u përpoqën të prishnin këtë atmosferë dhe të pengonin mbajtjen e fjalimit të mbylljes të fronëzimit nga Imzot Anastasi.

Pas ceremonisë, në hotel “Tirana” u shtrua një drekë me pjesëmarrjen e të ftuarve.

Thoma Dhima