EmailFacebookKontakt

Çelen takimet me të rinjtë orthodhoksë në Qytetin Studenti

Në një festë të vërtetë rinore, me entuziazmin dhe zellin e moshës më të bukur, u çelën më 19 tetor aktivitetet shpirtërore dhe kulturore që organizon Kisha jonë me të rinjtë e Qytetit Studenti. Në kinoklubin e qytezës studentore ishin mbledhur më shumë se 100 të rinj, studentë të Universitetit të Tiranës dhe studentë të ardhur nga Akademia Teologjike, të cilët ndoqën nga afër prezantimin e veprimtarive kishtare dhe kulturore që do të organizohen në vitin akademik 2004-2005.

“Kemi filluar me një festë, sepse i japim shumë rëndësi shoqërisë si një nga vlerat që kemi në Kishë. Kjo është lidhja me njëri-tjetrin dhe shpresoj që do bëjmë shumë gjëra argëtuese bashkë, do të njohim njëri-tjetrin më shumë dhe do të gjejmë shoqëri më shumë. Ne do të përpiqemi të marrim edhe ushqimin shpirtëror, sepse vetëm me argëtim nuk jetohet, por duhet diçka edhe për shpirtin, gjë që na e ofron Kisha jonë”- theksoi gjatë fjalës përshëndetëse misionari amerikan Nathan Hoppe, i cili këtë vit ka marrë përsipër organizimin e të gjitha aktiviteteve me të rinjtë orthodhoksë në Qytetin Studenti.

Duke ndjekur traditën e pasur, edhe këtë vit do të organizohet çdo të martë në orën 17.00 takimi i përjavshëm me diskutimin e një teme shpirtërore ose sociale. Ndërsa të enjten në orët e para të mëngjesit (06:30) do të zhvillohet Liturgjia Hyjnore. Çdo të premte këta të rinj janë të ftuar të marrin pjesë në shërbesën e Paraklisit, e cila do të zhvillohet në shtëpinë e rinisë orthodhokse “Bij të Dritës” në Tiranë. Të shtunën në mesditë do të organizohet çdo javë takimi shpirtëror me At Justinin me diskutime të hapura rreth temave të ndryshme të zgjedhura nga vetë të rinjtë.

Vlen të veçohet jeta shpirtërore e studentëve orthodhoksë të Qytetit Studenti, të cilët do të vazhdojnë edhe këtë vit traditën e bukur të takimeve të përditshme, të lutjeve dhe agripnive që organizohen gjatë kohës së kreshmës.

Sipas koordinatores së veprimtarive në këtë qytezë, Ana Baba, këtë vit do të rritet numri i aktiviteteve shpirtërore dhe kulturore me studentët, për të gjallëruar sa më shumë jetën e tyre në komunitetin e krishterë orthodhoks dhe për t’i afruar ata me Perëndinë.

I. Koti