“… Krishti i qiellit vjen, dilni priteni…”, kjo pjesë e bukur e një prej psalmeve të shumta të kësaj date të madhe për mbarë botën, solli përshëndetjen: Gëzuar Krishtlindjen!
Me këto fjalë përshëndetjeje e gëzimi u zgjua Durrësi i lashtë e besimtar mëngjesin e 25 dhjetorit.
Qindra e qindra njerëz mbushën që në orët e para të mëngjesit Kishën e “Shën Gjergjit”, të restauruar tashmë për të festuar ditën e lindjes së Krishtit, Perëndisë sonë, që mori trup njeriu për shpëtimin e gjithë brezave. Kjo ditë feste ishte edhe një gëzim i madh shpirtëror për shumë besimtarë, të cilët, me shpresë e besim, mbajtën kreshmët e shenjta përpara kësaj feste dhe që morën me frikë Perëndie Kungimin e Shenjtë Hyjnor.
Mesha e Shenjtë, e celebruar nga At Petro Thanashkodër, i enorisë së Kryeengjëjve, u shoqërua nga zëri i bukur i fëmijëve të Kishës, që zbukuruan edhe më shumë këtë ditë të shenjtë.
Gjithashtu, nderuan me urimin e tyre dhe kryetari i bashkisë së Durrësit z. Tornorr Golemi dhe prefekti i Durrësit z. Viktor Margilaj. Pasdite vazhduan vizitat tradicionale nëpër shtëpitë e besimtarëve deri vonë, ku përsëritej urimi: “Gëzuar, për shumë vjet Krishtlindjen”!…
Dhe, si “mbyllje” e bukur e një grupi festash të mëdha të krishtërimit brenda dy javësh, është dita e Ujit të Bekuar, dita në përkujtim të pagëzimit të Krishtit në lumin Jordan, dita e larjes së mëkatit stërgjyshor, dita e marrjes së festës, për shpëtim pranë Krishtit për çdo njeri, nga momenti që e merr këtë mister të shenjtë.
Durrësi ka një veçanti të shumë për kremtimin e kësaj feste të madhe, detin.
Mbi të, në kodrën më të afërt përballë ngrihet Kisha e “Shën Gjergjit” nga ku mijëra njerëz edhe të besimeve të tjera, shoqëruan ceremoninë e Meshës Hyjnore, si dhe hedhjen e Kryqit të Shenjtë në ujë. Të rinjtë durrsakë, që u hodhën në det e dëshironin të gjithë kapjen e Kryqit të bekuar, por ky bekim i takoi të riut Alban Mëhilli.
Pastaj, njerëzit e shumtë u kthyen në Kishë për përfundimin e kësaj ceremonie të shenjtë e të bukur. Të gjithë morën në shtëpitë e tyre ujin e bekuar për bekim, mbarësi dhe shërim të çdo sëmundjeje shpirtërore dhe trupore kur e merr atë me besë dhe frikë Perëndie.
Pasditja vazhdoi me dërgimin e Kryqit të bekuar nëpër shtëpitë e besimtarëve.