– Universiteti Agronomik i Athinës shpalli Doktor Nderi (Ph.D.h.c.), Fortlumturinë e Tij, Kryepiskopin e Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, prof. dr Anastasin. –
Më 25 janar 1996, me rastin e 75-vjetorit të krijimit të Universitetit Agronomik të Athinës, u krye shpallja zyrtare Doktor Nderi i këtij Universiteti, e Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, Imzot Anastasit.
Ceremonia madhështore u krye në sallën e Universitetit, e cila ishte mbushur plot e përplot. Fortlumturinë e Tij, Kryepiskopin e Athinës, Serafim, e përfaqësoi i përndershmi, Mitropoliti i Versthenës, Imzot Dhimitrios. Morën pjesë kryepriftërinj, ministra, deputetë, rektorë, profesorë, studentë dhe shumë të ftuar të tjerë. Një ngjyrë veçanërisht festive shtoi kori i studentëve të Universitetit Agronomik, i cili në fillim, në fund të ceremonisë dhe gjatë intervaleve ndërmjetëse, interpretoi me muzikalitet të lartë himne fetare e të tjerë.
Prezantimin e parë e bëri Rektori i Universitetit Agronomik, Profesor i Gjenetikës, z. Mihail Llukas, i cili ngriti lart personalitetin e të nderuarit dhe theksoi se pritja në Fakultet e Fortlumturisë së Tij, nderon vetë Fakultetin e pedagogët, gjithë personelin dhe studentët.
Në vazhdim, foli zëvendës-rektori, Profesori i Informatikës, z. Aleksandros Sideridis, i cili trajtoi hollësisht jetën dhe veprën e shumanshme shkencore, fetare e shoqërore të Kryepiskopit Anastas, vepër të cilën e cilësoi të mahnitshme për nga thellësia dhe shtrirja, në aktivitet të palodhur, me krijimtari e durueshmëri të admirueshme. Njëkohësisht, ai theksoi ndershmërinë e karakterit, besimin e thellë tek Perëndia, i Cili i jep me bollëk Hirin e Tij për kapërcimin e vështirësive në shërbimin e Fortlumturisë në përgjithësi.
Më pas u bë leximi zyrtarisht i vendimeve përkatëse të Senatit të Universitetit për dhënien e titullit doktor (Ph.D.h.c.), në një atmosferë të përgjithshme prekëse dhe entusiazmi. Kryepiskopi Anastas me thjeshtësi veshi togën e Universitetit e më pas u ngjit në tribunë, nga ku, pasi shprehu falenderimet e tij, zhvilloi temën fetarologjike: “Njeriu dhe natyra tek fetë e mëdha”.
Pas përfundimit të gjithë ceremonisë dhe urimeve të funksionarëve, u dha një pritje nga ana e Fakultetit, ndërsa Fortlumturia e Tij priste urimet dhe shprehjet e respektit, të njohjes e të dashurisë nga të pranishmit. Plot gëzime dhe sinqeritet ishin manifestimet e këtyre njerëzve, nga të cilët shumë janë shkencëtarë të shquar, profesorë të institucioneve të ndryshme të larta të Athinës, si dhe miq, bashkëpunëtorë, të vjetër e të rinj, që për dhjetëvjeçarë të tërë kanë ndjekur arritjet e tij shkencore, shoqërore dhe përgjithësisht shpirtërore dhe mbështetjet e tij shpirtërore të herëpashershme. Kjo mbrëmje u dha të gjithëve gjallëri të veçantë dhe optimizmin, që sjell shpresa tek Perëndia dhe shembulli i atyre që e duan dhe i shërbejnë Atij.
Ditën tjetër, 26 janar 1996, Prof. Dr. Anastasi, në një seancë shumëorëshe, foli për kushtet dhe nevojat e Shqipërisë në epokën e sotme dhe u lut për mbështetje të Universitetit Agronomik të Athinës në programe zhvillimi, që synon Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, sidomos, pasi të rimarrë manastiret e saj. Të pranishmit treguan interesim të veçantë për një panel të tillë dhe iu krijua një komision i posaçëm pedagogësh, me koordinator Zv. rektorin, Profesor Sideridis, për bashkëpunimin e mëtejshëm.
Siç deklaroi Kryepiskopi Anastas, “çdo nderim figurës së tij, reflektohet tek Kisha, të cilës i shërbej” dhe përpjekjet e tij janë që gjithë miqtë e tij dhe gjithë ata, që shprehin konsideratë për veprën e tij, t’i bëjë miq dhe përkrahës të Shqipërisë”.
Korresp. i “Ngjalljes”