ZBULIMI
Gjatë Luftës së Parë Botërore një oficer austriak, i cili qe edhe arkeolog i shkëlqyer ndër më profesionistët që kanë ardhur ndonjëherë në Shqipëri, pa dhe zbuloi një monument të zakonshëm në pamje të parë. Qe një pllakë guri gëlqeror që u gjet gjatë punimit të ushtarëve austriakë xhenierë, që nxirrnin gurë për një fortifikatë nga gërmadhat e katundit Ballsh të Mallakastrës.
Monumenti prej guri u pa nga oficeri dhe arkeologu austriak, i cili quhej Kamilo Prashniker. Ai, me intuitën dhe diturinë e tij të pazakontë, e kuptoi menjëherë se ndodhej para një zbulimi të jashtëzakonshëm. Eshtë ky Prashniker që zbuloi në qytetin e Durrësit, afërsisht në të njëjtën kohë, mozaikun e famshëm, që quhet konvecionalisht dhe metaforikisht “Bukuroshja e Durrësit”, që i takon fundit të shekullit IV para Krishtit, një nga kryeveprat më të mëdha në rrafsh evropian të mozaikut helenistik, që është mbiquajtur në një nga librat e mi si “Xhokonda e Durrësit”. Ky mozaik i mrekullueshëm ndodhet sot i ekspozuar në Muzeun Kombëtar dhe është padyshim emblema artistike e nivelit më të lartë, më fin, që ruajmë ne shqiptarët që nga lashtësia.
FATI I ZBULIMIT
Prashnikeri, kur zbuloi monumentin prej guri në Ballsh, u interesua menjëherë dhe dërgoi në qytetin e Durrësit për vendosjen në një vend të sigurtë, ku ruheshin atëherë disa objekte të tjera arkeologjike, që për fat të mirë ruhen edhe sot. Por ndërsa mozaiku dhe këto objekte në fjalë ekzistojnë, guri me mbishkrime i Ballshit, për fatin tonë të keq nuk dihet se ku është më. Padyshim që atë nuk e ka marrë me vete Prashnikeri, por humbja e këtij guri duhet të ketë një histori shumë të ndërlikuar, të ngjashme ndoshta me subjektin e një filmi hollivudian të llojit “thriller”. Pa dashur të hyj në hollësi dhe hamendje se a është zhdukur përfundimisht ky gur apo dhe mund të gjendet ndonjë ditë dua të flas për përmbajtjen e mbishkrimeve që për fatin e mirë janë kopjuar saktësisht dhe janë botuar në një libër të Kamilo Prashnikerit në Vjenë, në vitin 1918. Ky botim i Prashnikerit është koncetrimi i kujtesës dhe përjetësimi deri në fund i këtij zbulimi të madh.
Mbishkrimi i parë: (Sllavët bullgarë u pagëzuan të krishterë në Shqipëri)
Guri monumental i Ballshit në njerën faqe të tij ka një mbishkrim në greqishten bizantine të përbërë prej dhjetë rreshtash. Guri është i lartë 1 metër e 60 centimetra dhe i gjerë 40 centimetra dhe po 40 centimetra është dhe i trashë. Guri është pjesërisht i dëmtuar në pjesën e tij të sipërme, por megjithatë ky gur monumental ruan qartë mbishkrimin në greqishten bizantine, që jep një informacion të rrafshit botëror e të vetmit deri më sot në botë.
Prashnikeri ka bërë për herë të parë transliterimin e mbishkrimit dhe përkthimin e tij. Më vonë me këtë transliterim janë marrë dijetarë të tjerë si Jordan Ivanovi dhe sidomos mesjetarologu i shquar shqiptar Theofan Popa, i cili është i pari që e ka përkthyer në gjuhën shqipe.
Çfarë thotë ky mbishkrim?
Ja teksti i plotë:
“U pagëzua sundimtari i Bullgarisë Borisi Cari, i quajtur Mihal, së bashku me popullin e tij të dhënë prej Perëndisë në vitin 6374” (data është dhënë sipas kalendarit biblik të Kishës Lindore Kostandinopojase dhe i korrespondon, sipas kalendarit të sotëm gregorian, vitit 866 mbas Krishtit).
Pra, nga ky mbishkrim del qartë se pikërisht në Ballsh të Mallakastrës në një truall tipik të Shqipërisë së krishterë në shekullin IX pas Krishtit, populli sllav i bullgarëve pranoi zyrtarisht për herë të parë në historinë e tij të konvertohej e të bëhej i krishterë. Pra bullgarët u krishterëzuan pikërisht në Ballsh të Shqipërisë. Ky krishtërizim i sllavëve bullgarë nuk u bë rastësisht në këtë pikë gjeografike thelbësore të Shqipërisë. Shqiptarët dhe trualli i Shqipërisë e kanë njohur krishtërimin që në kohën apostolike… sidomos të Shën Palit. Pra, krishtërimi në Shqipëri daton që në shekullin I dhe ne, shqiptarët, jemi nga popujt e paktë të Evropës që, kemi plotësisht të drejtë dhe jo me mburrje të kota pa asnjë kuptim, të themi se kemi një histori tërësisht të plotë 2-mijë vjeçare të krishtërimit botëror. Ky fakt nuk duhet harruar asnjëherë nga historia dhe duhet ridimensionuar nga të gjithë historianët modernë sidomos sot dhe në të ardhmen. Ky fakt i bën një nder të veçantë Shqipërisë, por dhe vetë historisë së Krishtërimit në tërësi.
BALLSHI, VENDI I SHENJTËRIMIT TË SLLAVËVE
Dihet që sllavët për shekuj të tërë nuk e pranuan krishtërimin. Monumenti i Ballshit na jep datën ekzakte, pra na jep të shkëlqyer, se bullgarët janë krishterizuar me në krye Carin e tyre, Borisin, pikërisht më 866, në Ballsh të Shqipërisë. Dihet që sllavët e tjerë u krishterizuan akoma më vonë. Populli i stërmadh rus e pranoi Krishtërimin si fe zyrtare vetëm në vitin 1000, pra një shekull më vonë apo dy se sa vetë bullgarët. Po kështu dhe sllavë të tjerë të kontinentit evropian.
Lë të më lejohet këtu të them një fakt intim që më ndodhi në një vizitë zyrtare në Parlamentin e Polonisë, në Varshavë. Doktori ynë i nderuar Pandeli Çina, me të cilin unë isha në delegacion së bashku me intelektualë të tjerë të njohur, si Fatos Arapi, Xhevahir Spahiu, Bardhyl Londo, Preç Zogaj etj., gjatë prezantimit që na bëri në Parlamentin polak, duke më përmendur emrin, shtoi diçka për librin tim më të fundit, të quajtur “Mes Laokontit e Krishtit – Onufri II”, se Zeqo ka bërë një libër, ku ka mbledhur faktet kryesore që vërtetojnë 2000 vjet krishtërim të shqiptarëve. Personalitetet polake në takim reaguan menjëherë dhe në bisedat që pata me ta, njeri prej tyre, jo pa çudi, më tha, se kish mbetur i habitur, sepse kish menduar se shqiptarët janë një popull thjesht mysliman dhe se vetë polakët, historinë e krishtërimit, e kanë vetëm 1000 vjeçare, kurse tani, dilte se shqiptarët paskan një krishterim edhe 1000 vjet tjetër më të hershëm. Përtej këtij fakti, që s’ka të bëjë me asnjë meritë timen, absolutisht e vërteta është e palëkundur dhe na thotë qartë, se 2000 vjet krishtërim të Shqipërisë mund të shpjegojnë deri diku bindshëm pse sllavët bullgarë në shekullin IX bënë aktin e tyre piblik botëror të pranimit zyrtarisht të fesë së vetme të krishterimit, në Ballsh të Mallakastrës. Për këtë zbulim kanë folur shumë dijetarë si Zlatarski, D. Anastasjeviç etj.
VETË BORISI E PRANON
Një letër e mëvonshme e Car Borisit, një nga figurat më të shkëlqyera dhe më me emër të shtetit mesjetar bullgar dërguar Papës së Romës vërteton pikërisht të dhënën unikale, që mbart monumenti i Ballshit. Po ka dhe të tjera burime që e vërtetojnë këtë gjë. Kështu në një libër të dijetarit mesjetar bizantin Homatjanit, thuhet se në jetëshkrimin e Shën Klementit të Ohrit del qartë se Klemneti kishte ngritur në Ballsh shtylla me mbishkrime të gdhendura, që bënin fjalë mbi pagëzimin e popullit bullgar. Trupi i Shën Klementit të Ohrit është varrosur në kishën që sot quhet Kisha e Shën Klementit, e cila ka një mbishkrim të qartë, është ndërtuar nga princi shqiptar tepër i njohur i shekullit të XIV Andrea Gropa. Mbishkrimi është ende dhe sot dhe sejcili mund të bindet për këtë të vërtetë duke e parë me sytë e tij. Shtylla e Ballshit me sa duket, duhet të ketë qenë një nga shtyllat e tjera, që bënin publike “urbi et orbi” pranimin e krishtërimit të bullgarëve në tokën shqiptare. Po në Ballsh është zbuluar një katedrale e shekullit të VI pas Krishtit ndërtuar në kohën e Justinianit të Madh me 5 mbishkrime poetike, që sot ndodhen në Muzeun Arkeologjik si dhe në Muzeun Historik Kombëtar. Këto janë dokumente paraprijëse të krishtërimit 3 shekuj më parë se sa të bëhej ceremonia madhështore dhe e veçantë e Carit të fuqishëm bullgar Borisit në Ballsh.
Moikom Zeqo
Marrë nga “Gazeta Shqiptare”