EmailFacebookKontakt

“Burim i vazhdueshëm drite dhe ushqimi shpirtëror”

– Intervistë me drejtorin e Shkollës Teologjike-Hieratike “Ngjallja e Krishtit”, Arkimandrit Joan Pelushi –

Trazirat e muajve të shkuar prekën edhe procesin mësimor në Shkollën Theologjike-Hieratike të Shën Vlashit. Mësimi u ndërpre, për t’u rifilluar në periudhën gusht-shtator. Tani, viti mësimor ’96-’97 ka mbaruar dhe për të mësuar diçka më shumë për ecurinë e tij, iu drejtuam drejtorit të shkollës, Arkimandrit Joan Pelushit.

Si u organizua mbyllja e vitit shkollor, të ndërprerë nga trazirat?

Siç dihet, në mars na u desh ta mbyllnim shkollën, jo vetëm për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme, por edhe sepse pjesa më e madhe e studentëve tanë banojnë në zonat më të prekura dhe u duhej të ndodheshin pranë familjeve të tyre. Me qetësimin e situatës dhe me përkujdesjen dhe mbështetjen e Kryepiskopit Anastas, u mendua që viti i ndërprerë të riniste në fillim të gushtit dhe në dy muaj punë intensive u përpoqëm të arrinim sa më shumë nga programi.

Fatmirësisht të gjithë studentët u kthyen dhe falenderojmë Perëndinë, që ata dhe familjet e tyre nuk ishin prekur.

Nga i gjithë personeli mësimdhënës u punua intensivisht dhe duhen falenderuar At Luka, At Martini, Prof. Papapavli, që ndonëse i sëmurë u tregua plotësisht i gatshëm, si dhe Dr. Piter Gillbert, të cilin patëm kënaqësinë ta kishim përsëri mes nesh dhe shpresojmë ta kemi edhe në të ardhmen.

Gjithashtu, duhen përshëndetur e uruar edhe dy mësuesit e rinj, Andrea Llukani dhe Jorgo Papadhopulli, të cilët sapo mbaruan studimet e larta teologjike jashtë vendit, si dhe priftëreshat që japin ndihmesën e tyre në shkollë, Urani Rici dhe Fotini Veroni.

A ndikuan këto vështirësi në cilësinë e përgatitjes?

Një periudhë emergjence nuk mund të zëvendësojë kurrë plotësisht një mësim normal, për vetë faktin, se në një kohë të shkurtër duhet të realizohet i njëjti program. Por, megjithatë, mendoj se në pjesën më të madhe, iu arrit qëllimit. Për këtë duhen falenderuar dhe studentët, që bashkëpunuan me përgjegjësi, duke kuptuar se duhej të punonin e sforcoheshin më shumë, për të asimiluar programin në një periudhë të reduktuar. Si përfundim, mund të them se jam i kënaqur nga arritjet.

Tani, që jemi në prag të vitit të ri shkollor, cilat janë vështirësitë që paraqiten?

Në fund të shtatorit ne mbyllëm provimet e vitit të kaluar dhe në mes të tetorit mendojmë të fillojmë vitin e ri shkollor, me një program normal. Gjatë kësaj periudhe pushimi do të bëhen të gjitha përgatitjet e duhura në ndërtesat e shkollës, për t’i pritur sa më mirë studentët.

Një shqetësim është, se si pasojë e trazirave, nuk qe e mundur të bëhej puna e duhur për përzgjedhjen e kandidatëve për vitin e parë. Kështu që, ndoshta, këtë vit numri i nxënësve të rinj do të jetë më i vogël. Por, me ndihmën e Perëndisë dhe interesin që tregon Kryepiskopi Anastas për çdo gjë që ka të bëjë me shkollën, gjithçka do të shkojë mbarë.

Për herë të parë këtë vit, Shën Vlashi u përdor për një veprimtari me të rinjtë. A do të vazhdojë të përdoren mjediset e shkollës për aktivitete?

Në pjesën e dytë të shtatorit, shkolla e Shën Vlashit u përdor për një takim shpirtëror të rinisë ose siç quhen më saktë “tërheqje shpirtërore”. Sivjet, për arsyet që i përmendëm më lart, nuk u zhvilluan kampingjet verore me rininë, kështu që, në pamundësi për të realizuar ato, u mendua që të kishim këtë “tërheqje shpirtërore”, që mendoj se janë edhe më frytdhënëse.

Ky aktivitet u organizua, duke mbledhur në dy periudha 4 ditore 80 djem dhe rreth 80 vajza. Gjatë kësaj kohe të shkurtër pati biseda dhe veprimtari të ndryshme shpirtërore, në fund të të cilave të gjithë mbetën të kënaqur dhe u larguan më të plotë shpirtërisht me fjalën e Perëndisë.

Edhe në të ardhmen, mjediset e shkollës sonë mund të përdoren për veprimtari të tjera, si për konferenca të ndryshme etj., dhe këto jo vetëm me rininë.

Së fundi, do të doja të falenderoja Perëndinë dhe Fortlumturinë e Tij, Imzot Anastasin, për pajisjen e Kishës sonë me një qendër kaq të rëndësishme shpirtërore. T’i lutemi Zotit, që ajo të bëhet burim i vazhdueshëm drite dhe ushqimi shpirtëror për Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe të gjithë vendin. Amin!