Përballë neglizhencës sistematike të organeve të posaçme dhe autoriteteve shtetërore për moscënimin urban të zonës, pronësi të manastirit të Shën Jorgjit, në Dhemas-Çukë, dhe kryesisht për të shmangur masakrën ekologjike që po kryhet në drutë e ullirit dhe bimësinë tjetër përreth, besimtarë orthodhoksë të zonës vendosen të realizojnë një rrethim të improvizuar me kolona të lehta betoni, të zonës në ruajtje.
Përballë këtij sensibiliteti religjioz, kulturor, mjedisor dhe me synim nikoqirllëkun në zonë, hasin brutalitetin e Drejtorisë Shtetërore të Pyjeve, me në krye z. Ferruz Basha, drejtori Ndërmarrjes Pyjore në Sarandë.
Është me të vërtetë një dyfytyrësi e paskrupullt. Kjo drejtori, e cila ka për detyrë të shmangë shkatërrimin e pyjeve dhe kullotave të vijë kundër ndërhyrjeve thellësisht ekologjike për ruajtjen e këtyre zonave. Në vend që të ndërhyjnë për të ndërprerë atë ç’ka bëhet në të gjithë atë zonë si gërmime, prerje drurësh, shkelje e koncepteve pronësore etj., u kundërvihen besimtarëve orthodhoksë, të cilët me një histori shekullore dëshmojnë se kanë krijuar vetëm rezultat pozitiv.
U kërkojmë Ministrisë së Bujqësisë dhe Ushqimit si dhe organizmave urbanistike që të ndërhyjnë me gjithë autoritetin e tyre për të ndërprerë veprimet abuzive me paramendimin korruptiv në shfrytëzimin e bregdetit në atë zonë, si dhe për dhënien e zgjidhjes përfundimtare për Manastirin e Shën Jorgjit, pronësitë e të cilit faktohen ligjërisht.