EmailFacebookKontakt

Bratislavë – Vizitë e Patrikut të Moskës

Bratislavë

Vizitë e Patrikut të Moskës

Patriku i Moskës Aleksi II, primat i Kishës orthodhokse ruse, kreu një vizitë zyrtare në Sllovaki me ftesën e dhioqezave orthodhokse të Sllovakisë dhe të qeverisë. Kjo ishte vizita e parë zyrtare e Patrikut në këtë vend, ku Kisha orthodhokse ka nevojë për një ndihmë urgjente dhe ka vështirësi në riorganizimin e saj, pasi të tëra objektet e saj të kultit i janë dhënë nga autoritetet civile kishës unite.

Gjatë qëndrimit të tij, Patriku i Moskës ishte i shoqëruar nga mitropoliti Dorothe i Pragës, primat i Kishës orthodhokse çeke dhe sllovake, si dhe prej episkopëve të vendit, arqipiskopi Nikolla i Presovit dhe episkopi Joan i Mihalovicës.

Më 18 maj në Mihalovicë Patriku Aleksi II drejtoi një ceremoni të përurimit të katedrales orthodhokse kushtuar Shën Qirilit dhe Shën Metodit. Kjo është e 19-ta kishë që ndërtohet në këto gjashtë vjet në dioqezën e Mihalovicit, për të zëvendësuar objektet e kultit të uzurpuara nga komuniteti uniat. Katër do të mbarohen deri në fund të vitit dhe gjashtë të tjera do të ndërtohen për të plotësuar nevojat shpirtërore të 12 000 besimtarëve orthdhoksë të dioqezës, theksoi me këtë rast episkopi Joan i Mihalovicës.

Të nesërmen në Presov, Patriarku i Moskës drejtoi liturgjinë eukaristike në mjedis të hapur përpara katedrales Shën Aleksander Njevski, në praninë e 25 000 besimtarëve, të ardhur nga e gjithë Sllovakia, por edhe nga Republika Çeke, nga Hungaria, Polonia e Ukraina. Presidenti i Republikës sllovake, Mihai Kovaç asistoi në këtë liturgji, që u transmetua edhe në televizion. Në pasdite, Aleksi II vizitoi fakultetin e theologjisë orthodhokse në Presov dhe u takua me mësues e studentë.