EmailFacebookKontakt

Boshllëku demografik – kërcënim për Trashëgiminë Kulturore orthodhokse

Kontributi i Kishës sonë Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë në sektorin e ripërtëritjes së objektve të adhurimit, të cilat njëherësh mbartin vlera të veçanta dhe janë shpallur Monumente të Kulturës, përbën natyrisht një kontribut që do të çmohet edhe më shumë me kalimin e kohës. E gjithë kjo vepër është realizuar falë frymëzimit dhe, për më tepër e kryesisht, me mbështetjen e nevojshme financiare të Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe të Gjithë Shqipërisë, Imzot Anastasit.

Faktet flasin shumë më tepër se mundësitë përshkruese edhe të reportazhit më të mirë. Dhe, natyrisht, bëhet fjalë për çështje ndërgjegjeje.

Vetë kryepiskopi, për nga detyra dhe formimi i tij, përbën faktor të vyer përsa i përket ndjeshmërisë dhe predispozicionit për ruajtjen, promovimin, rijetësimin dhe restaurimin e gjithë pasurisë së krijimtarisë shpirtërore Orthodhokse. Me mjaft mund ai arriti të sigurojë fonde dhe burime specialistësh të shquar të fushës, për të realizuar në parametrat më të avancuar teknikë rehabilitimin e dhjetëra kishave dhe komplekseve të manastireve apo dhe më gjerë në urbanistikë, duke qëndruar në pararojë të këtij procesi kompleks.

Shteti, duke vazhduar të qëndrojë refraktar dhe rob i politikave dhe praktikave të formësuara në periudhën e regjimit ateist, i cili e persekutonte Besimin Orthodhoks, vijon të ketë rezerva për të bashkëvepruar me Kishën tonë madje edhe në këtë fushë, ku interesi i përbashkët është i dukshëm, por dhe urgjent.

Megjithatë, ky artikull nuk synon të përqendrohet në këtë pikë.

Synimi është evidentimi dhe, në vazhdim, përcaktimi i mënyrave më të përshtatshme për përballimin e këtij fenomeni, i cili është kthyer në problem, pasi përtej dimensionit shpirtëror, përmban edhe elementin e ndërgjegjësimit për përgjegjësinë ndaj historisë, dëshmisë dhe vazhdimësisë së traditës.

Terreni i Shqipërisë së sotme përbën dëshmi apostolike të Besimit Krishterë. Gjithashtu, për shkak të pozicionit të favorshëm gjeografik, ka qenë një rajon me interes të posaçëm për Perandorisë shumëshekullore Bizantine, e për pasojë ngarkohet me përgjegjësi për një numër të konsiderueshëm krijimesh të trashëgimisë shpirtërore dhe kulturore Orthodhokse.

Pavarësisht nëse këto objekte, në mënyrë abuzive ende nuk i janë kthyer Kishës Orthodokse Autoqefale të Shqipërisë, Mitropolive të saj përgjegjëse, enorive dhe manastireve, në të shumtën e rasteve përdoren për nevoja të adhurimit dhe si qendra liturgjikale të Komuniteteve lokale Orthodhokse. Për pasojë, këto komunitete, që janë dhe trashëgimtarë ligjorë të këtyre objekteve, i mbulojnë natyrisht edhe nevojat e mirëmbajtjes, konservimit në shumë raste dhe jo rrallë edhe nevoja të restaurimit të tyre.

Kjo përbën kontributin më të vyer të Kishës Orthodhokse. Sepse pavarësisht ndjeshmërisë së synuar, kontributit të dëshiruar, pjesëmarrjes së instancave shtetërore, organizatave joqeveritare ose medias informative, më thelbësor është pikërisht krijimi dhe motivimi i komuniteteve adhuruese për këto objekte me dimension monumental dhe historik.

Madje, për dekadat e mëparshme, kur as interesi shtetëror dhe as kompetenca formale profesionale nuk ishte në nivelet e sotme, ishin pikërisht komunitetet Orthodhokse të cilat, si detyrim ndaj besimit, garantonin mirëqenien dhe jetëgjatësinë e kishave dhe të manastireve të trashëgimisë shpirtërore dhe kulturore.

Ndërkaq, konstatohet intrasigjencë e ndërgjegjshme e instancave shtetërore: nga njëra anë për të mos rikthyer me të drejta të plota burimet pasurore të paluajtshme apo të luajtshme, të faktuara dhe publikisht të njohura si të drejta të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, dhe nga ana tjetër, për të krijuar dhe zbatuar një program konvergues për bashkëveprim të ndërsjellë më efektiv, për të mbrojtur, promovuar dhe restauruar thesarin e trashëgimisë shpirtërore dhe kulturore Orthodhokse.

Situatat dhe dëshmitë historike diktojnë detyrimisht veprime emergjente dhe veçanërisht bashkëpunim midis këtyre dy palëve. Refuzimi i një kuadri të këtillë konsiderohet shmangie e përgjegjësisë dhe me pasoja të parikuperueshme në të ardhmen.

Por, faktori më vendimtar që kërcënon deri në mosekzistencë infrastrukturën e këtyre objekteve adhurimit lidhet kryesisht me zbrazjen demografike të rajoneve rurale. Është fakt i dëshmuar historik se i gjithë thesari i trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore u krijua në kushte të caktuara të lulëzimit demografik dhe mirëqenies ekonomike të rajoneve ku ai dëshmohet.

Duhet theksuar fakti fakti se popullsitë që mbështetën financiarisht, me ofrime dhe pjesëmarrje të drejtpërdrejtë, ishin thellësisht të lidhur me besimin dhe adhurimin orthodhoks, si dhe përjetimin e thellë të tij. Kjo duket jo vetëm gjatë krijimit, ndërtimit, sendërtimit në punishte artistësh dhe nga grupe të tilla, por edhe në vijim, në mirëmbajtjen dhe përjetësimin e tyre.

Sot e gjithë kjo trashëgimi është e ekspozuar ndaj një rreziku me dimension objektiv dhe subjektiv. Nga njëra anë, kërcënohet nga largimi i popullsisë nga rajonet rurale, që si pasojë i privon monumentet e trashëgimisë shpirtërore dhe kulturore Orthodhokse nga “pelikula” mbështjellëse e kujdesit dhe mirëmbajtjes, së bashku kjo edhe me përballimin e kostove respektive financiare. Nga ana tjetër, është indiferentizmi shpirtëror. Madje, ky i dyti ndikohet edhe nga faktorë të caktuar të propagandës shtetërore të sotme. Kështu, nxiten qëndrime që synojnë zbehjen e dimensionit të hyjshëm të vendeve historike të adhurimit, duke promovuar thjesht vlera të artit dhe kulturës që ato mbartin. Kjo ndikon subjektivisht në zbehjen e ndjenjës së detyrimit të pjesëtarëve të komuniteteve lokale për pjesëmarrje aktive në mirëmbajtjen e tyre. Mungesa e vullnetit dhe iniciativave për bashkëveprim nga ana e strukturave shtetërore, të cilat kanë dhe përgjegjësi ligjore për këtë gjë, është gjithashtu një alibi e padëshiruar për mosveprim.

Sidoqoftë, objektiv mbetet ndikimi dhe pasoja e shthurjes demografike të rajoneve rurale, e pashembullt më parë për këto zona.

Ndaj, është shembull frymëzues përpjekja ambicioze dhe aspak e lehtë e Kryepiskopit Anastas, për të përballuar efektet e braktisjes diakronike të objekteve adhuruese dhe gjithashtu të indiferencës vijuese. Por, kjo kërkon mbështetje financiare dhe njerëzore për të pasur perspektivë dhe për të përballuar situatat e rënduara që krijon zbrazja demografike.

Orfea Beci