Në muajin korrik Kryepiskopi Anastas pranoi detyrën si Kryepiskop i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Kjo detyrë për të, nuk ishte fron nderimi, por një kryq për t’u mbajtur, për shkak të përkushtimit shpirtëror, profilit intelektual dhe kontributit të veçantë që kishte dhënë në lëvizjen ekumenike.
Po japim një biografi të përmbledhur të tij:
Lindi më 4 nëntor të vitit 1929 në Pire, Greqi. Ka qenë profesor i Historisë së Feve (1972-92) dhe Dekan i Fakultetit Teologjik të Universitetit Kombëtar Kapodistrian të Athinës (1983-1986) B.D dhe Th.D (me nderimet më të larta) dhe sot është Profesor Emeritus i po të njëjtit Universitet. Ai është shpallur Doktor Nderi i Teologjisë apo Doktor Nderi i Filozofisë, Th.D.h.c, DD hc PhD h.c nga 19 universitete, fakultete ose degë universitare (në Greqi, SHBA, Qipro, Rumani, Gjeorgji, Shqipëri, Itali), Anëtar Korrespondent (1993-2005) dhe Anëtar Nderi (nga viti 2006) i Akademisë së Athinës.
Studimet Pasuniversitare:
Histori e Feve, Etnologji, në Universitetet e Hamburgut dhe të Marburgut në Gjermani, (me bursë pasuniversitare të Institutit “Alexander von Humboldt Stiftung”). Ai studioi gjithashtu edhe fetë e botës, duke kryer udhëtime në vendet ku ato lulëzuan.
Gjuhët që njeh: Përveç greqishtes së re dhe të vjetër), anglisht, frëngjisht, gjermanisht; lexon në: latinisht, italisht, spanjisht, rusisht, shqip.
Luajti rol parësor në ringjalljen bashkëkohore të Hierapostullimit Orthodhoks në botë (nga viti 1958). U hirotonis dhjak (1960); prift – arkimandrit (1964), Episkop i Andrusës (1972) me detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të “Shërbimit Apostolik të Kishës së Greqisë” (1972-91); Kryepiskop mëkëmbës (Kryepiskop në detyrë) i Mitropolisë së Shenjtë të Irinupolit në Afrikën Lindore (1981-1990); Mitropolit i Andrusës dhe Ekzark Patriarkal në Shqipëri (1991-92). Kryepiskop i Tiranës dhe i Gjithë Shqipërisë (qershor 1992 e në vazhdim).
Veprimtari ndërkishtare ndërkombëtare:
Ka qenë Sekretar i Përgjithshëm i Komitetit Ekzekutiv për Misionarizmin jashtë vendit (1958-61) dhe Zëvendëspresident i Organizatës Ndërkombëtare të Rinisë Orthodhokse “Syndesmos” (1964-1977); Themelues dhe President i Qendrës Ndërorthodhokse Hierapostolike “Porefthendes” (nga viti 1963). Ka qenë anëtar i Komitetit Ndërkombëtar për Misionarizmin i Këshillit Botëror të Kishave (1963-1969), Sekretar për Kërkimin Misionar dhe Marrëdhëniet me Kishat Orthodhokse në KBK (Gjenevë 1969-1971). Ka organizuar e drejtuar Qendrën për Studimet Misionare në Universitetin e Athinës (1971-1974) dhe Qendrën Ndër-Orthodhokse në Athinë e Kishës Orthodhokse të Greqisë (1971-1974). Si Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit Apostolik të Kishës së Greqisë, ai promovoi programe teologjike, edukuese dhe botuese; në veçanti, zhvilloi sektorin e misioneve jashtë vendit. Në Afrikën Lindore (Kenia, Uganda, Tanzani), organizoi dhe zhvilloi misionet orthodhokse. Ai është vlerësuar si “Bamirës i Madh i Patriarkanës së Aleksandrisë dhe gjithë Afrikës”.
Si Kryepiskop i Shqipërisë (1992 deri më sot), në rrethana jashtëzakonisht të vështira, ringriti nga gërmadhat dhe zhvilloi më tej Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, që për 23 vite ishte e shpërbërë. Bashkë me veprën e rivitalizimit të Kishës Orthodhokse, u realizuan edhe programe inovative në sektorët e shëndetit, kujdesit social, edukimit, zhvillimit rural, kulturës dhe ekologjisë. Njëkohësisht, u përpoq për të ndihmuar në zbutjen e shumë tensioneve në Ballkan.
Është zgjedhur vazhdimisht në pozicione të shquara në udhëheqjen e organizmave ndërkombëtarë: Moderator i Komitetit për Misionin dhe Ungjillëzimin Botëror (1984-1991) dhe i Konferencës së Misionarizmit dhe Ungjillëzimit Botëror në San Antonio Teksas (1989); anëtar i Këshillit Evropian të Udhëheqësve Fetarë (2003-2010); Zëvendëspresident i Konferencës së Kishave Evropiane (2003-2009); President i Këshillit Botëror të Kishave (2006-2013); President Nderi i Konferencës Botërore të Feve për Paqen (2006 e në vazhdim).
Është autor i 24 librave (kërkime për Fetë Afrikane, ese në Theologji dhe në Historinë e Misioneve, predikime etj.), ku përfshihen: “Islami, një vështrim i përgjithshëm” (16 botime), “Historia e Feve- Gjurmë nga kërkimi i Transhendentes”, “Globalizmi dhe Orthodhoksia”, “Hierapostullim në gjurmët e Krishtit”, “Deri në skajet e dheut”, “Bashkekzistenca, Në Shqipëri – Kryq dhe Ngjallje”. Ka botuar mbi 200 ese dhe artikuj me tema teologjike e baritore. Studimet dhe artikujt e tij janë përkthyer në 17 gjuhë të huaja.
Është nderuar me 27 medalje dhe çmime nga shumë Kisha Orthodhokse dhe vende të ndryshme, si: “Kryqi i Madh i Urdhrit të Nderit i Republikës së Greqisë” (1997); çmimi “Athenagora për të Drejtat e Njeriut” (Nju Jork, 2011); çmimi për “Kontributin e shquar për unitetin e popujve orthodhoksë” (Moskë, 2005); dekorata “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” (Tiranë, 2010).
Kryepiskopi Anastas është njohës i thellë në fushën e Historisë së Feve dhe të dialogut ndërfetar. Kontributi i tij i rëndësishëm në Hierapostullimin e Krishterë, në Teologji dhe në bashkëjetesën paqësore të popujve dhe të komuniteteve fetare është i njohur botërisht.