EmailFacebookKontakt

Bij të dritës

Në takimin e zhvilluar disa kohë më parë me një grup të rinjsh orthodhoksë, Kryepiskopi i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë Fortlumturia e tij Anastasi theksoi se “Rinia nuk është vetëm shpresa e së ardhmes por në radhë të parë është forca e të tashmes”. E përmenda këtë fakt sepse nga ai takim u mor nisma për formimin e organizatës së të rinjve orthodhoksë. Në zanafillën e saj kjo organizatë përbëhej vetëm prej disa studentësh por numri i tyre vjen duke u rritur vazhdimisht. Në të aderojnë të rinj nga mosha 18-25 vjeç. Megjithë ngarkesën mësimore, dëshira e të gjithëve për të qenë forca kryesore në rimëkëmbjen e Kishës sonë është e madhe. Për këtë qëllim, fillimisht u ngrit një grup pune prej 12 të rinjsh për organizimin e punës. Dhe frytet nuk munguan.

Në bashkëpunim të ngushtë me organizatat kishëtare ato zhvilluan një serë veprimtarish, si për dhiakoninë e dashurisë, ngritjen e grupeve të katekizmit, ngritjen e zërit për kthimin e objekteve kishëtare etj. Ishte pikërisht gjithë ky aktivitet dhe shtimi i numrit të të rinjve që morën pjesë në jetën e kishës, por edhe nevoja e lidhjes me organizatat simotra ndërkombëtare që shtruan nevojën e çuarjes përpara të kësaj nisme, duke organizuar lidhjen e Rinisë Orthodhokse Shqiptare. E kësaj lidhjeje iu dha emri kuptimplotë “Djem të Dritës” (Efes 5:8), sepse ata janë bij të dritës së Shpirtit të Shenjtë. Statuti i tyre i vërtetë është “Dhiata e Re”, prej nga marrin mësimet dhe ndiçimin, sepse ajo që vjen nga drita kthehet në dritë. Këta të rinj e dinë që të jenë “Djem të dritës”, që të jesh bir i Krishtit duhet të ndërpresësh çdo lidhje me errësirën, duhet të kuptosh ç’kërkon Perëndia prej teje. Në radhë të parë për të arritur këtë kërkohet studim i Shkrimit të Shenjtë, por është po aq e rëndësishme edhe dëshmia që secili duhet të japë në ambientin ku jeton dhe më gjerë.

Mbledhja për krijimin e Lidhjes së Rinisë Orthodhokse Shqiptare u zhvillua në datën 6 qershor, nën kujdesin e Fortlumturisë së tij, Kryepiskopit të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, Anastasit, me pjesëmarrjen e të rinjve të grupeve të katekizmit të Tiranës dhe me përfaqësues të rretheve. Në të u paraqitën drejtimet bazë të projektstatutit dhe u bënë zgjedhjet e kryesisë. Kjo do të jetë edhe bërthama nga do të shtrihet në gjithë vendin puna e Lidhjes. Më poshtë po japim këtë projekt-statut:

Detyrat e Lidhjes së Rinisë së Krishterë Orthodhokse:

1) Të studiojë besimin Orthodhoks dhe traditën e Kishës.
2) Të marrë pjesë në një detyrë konkrete në jetën e Kishës si:
a) Katekizmi
b) Vepra dhiakonale
c) Botimet
d) Aktiviteti ndërtimor
e) Kori dhe arti kishëtar
3) Të marrë pjesë në një shprehje liturgjike gjatë javës
4) Të japë dëshminë orthodhokse në botën studentore dhe në hapësirën e rinisë punëtore.
5) Të komunikojë dhe të bashkëpunojë me rininë orthodhokse në botë.

Struktura e Lidhjes së Rinisë së Krishterë Orthodhokse

1) Anëtarët e saj janë pjesë e gjallë e Kishës të cilët pranojnë besimin, traditën dhe kanunet e Kishës
2) Udhëheqësi shpirtëror është Kryepiskopi
3) Struktura organizative do të ndjekë, sa më shumë që të jetë e mundur, strukturën kishëtare.
4) Të gjithë të krishterët orthodhoksë të pagëzuar, me moshë 18 deri 30 vjeç, kanë të drejtën të anëtarësohen në Lidhjen e Rinisë.
5) Të gjithë anëtarët duhet të jenë dakord me Statutin, ta firmosin dhe ta zbatojnë atë.
6) Komiteti Ekzekutiv do të përbëhet nga nëntë veta, si vijon: 1 kryetar, 2 nënkryetarë, 1 sekretar, 1 arkëtar dhe 4 anëtarë.

Zgjedhjet e Komitetit Ekzekutiv

1) Zgjedhjet do të bëhen një herë në vit.
2) Pasi zgjidhet Komiteti Ekzekutiv, ai zgjedh nga anëtarët e vet kryetarin, nënkryetarët, sekretarin, dhe arkëtarin.
3) Rezultatet e zgjedhjeve bëhen të vlefshme pas aprovimit nga Kryepiskopi

Korresp. i “Ngjalljes”

Nga 17-19 maj në seminarin e Durrësit u mbajt e para Konferencë e Rinisë Orthodhokse me përfaqësues nga të rinjtë e të gjitha dioqezave dhe miq të Organizatës Botërore të Rinisë Orthodhokse “Syndesmos”. Në foto: Çast nga punimet e Konferencës (majtas) dhe nga një meshë në vendin ku ka qenë kisha e Shën Vlashit, Durrës.