EmailFacebookKontakt

‘Bibla për fëmijë’

Ka dalë në qarkullim libri për fëmijë “Bibla për fëmijë” me autor Zoi Kanava, ilustrimet, Kristo Gusidhi dhe përkthyes, Thoma Qendro.

Ky është një libër me tregime nga Shkrimi i Shenjtë dhe ka për qëllim zbatimin e kësaj porosie të Zotit: “Lërini fëmijët të vijnë tek unë, dhe mos i ndalni; sepse e këtillëve është mbretëria e Perëndisë” (Mk. 10:14).

Libri përmban 17 tregime me temë nga Dhiata e Vjetër dhe 23 me temë nga Dhiata e Re, nëpërmjet të cilave lexuesi i vogël njihet me tërë ecurinë e ngjarjeve që nga krijimi i botës nga Perëndia, me kryerjen e mëkatit të parë nga dy njerëzit e parë të krijuar prej Tij, Adamit dhe Evës, të cilët duke mos dëgjuar fjalën e Perëndisë humbën parajsën, si dhe me ngjarje të tjera. Ai njihet gjithashtu edhe me shpirtmadhësinë e pakufi të Perëndisë, që i do aq shumë njerëzit, sa për shpëtimin e tyre dërgoi në botë Birin e Tij të vetëmlindur, Jisu Krishtin, i cili për këtë qëllim u sakrifikua në kryq dhe u ngjall të tretën ditë sipas Shkrimeve dhe u ngjit në qiell tek Perëndia – Atë.

Jetën, veprën dhe mësimin e Tij, besimin tek Ai, Krishterimin, i përhapën nëpër botë nxënësit e Tij, siç i porositi vetë Zoti.

Ky libër është shkruar me një gjuhë të thjeshtë e të kuptueshme, i konceptuar për fëmijët e moshave 5-11 vjeç.

Libri u botua nga Shtëpia Botuese “Akritas”, me botues z. Dh. Koqino.

Këtë botim të ri të Kishës sonë, mund ta gjeni pranë kishave dhe grupeve të katekizmit.