U mbush një vit qëkur fjeti me Perëndinë i dashuri, i respektuari dhe i nderuari Dhimitër Beduli. Askush s’mund ta mendonte kur e përcillnim sypërlotur për në banesën e fundit, se do të vazhdonim ta kishim kaq afër, gjithmonë si edhe atëherë. E megjithatë, asnjë prej besimtarëve orthodhoksë nuk mbeti për asnjë çast pa fjalën, psalmin, predikimin e tij.
Ai është aty, në psaltirin e djathtë të Kishës së Ungjillëzimit, me zërin kumbues e melodioz, me pamjen e urtë e fisnike, me predikimin e ngrohtë dhe të ëmbël.
E njohin porsi edhe atëhere, të rinj edhe të moshuar, klerikë dhe laikë, besimtarë të vjetër e të porsandriçuar. Në Kishë, aty ku bashkohet bota njerëzore me ëngjëlloren, e këtushmja me të përjetshmen jetë, prof. Beduli meritoi “kurorën e jetës”. Bëri të vetën udhën dhe të vërtetën e Perëndisë dhe trashëgoi jetën.
Udhën e jetës e nisi në Skore, në Pogon, aty ku qielli shpohet nga lartësitë e Nemerçkës dhe këmbanoret krenare të kishave. Shorti i kësaj udhe është ndoshta përcaktuar në të përbashkëtat e shurpta të karakterit e vendlindjes së tij. Ashtu siç mahnitet udhëtari me kulturën dhe vlerat shekullore që gjen mes ashpërsisë së këtyre maleve ashtu habitej edhe ai që bisedonte me prof. Bedulin, me urtësinë e dijet e gjera që fshiheshin pas thjeshtësisë e përulësisë së tij.
Udha, veç, është si për këdo e gjatë. Por, kudo dhe kurdoherë z. Dhimitër Beduli ndoqi udhën e Perëndisë, të vërtetën e tij, Zotin tonë Iisu Krisht. E kërkoi të vërtetën me diluri, e shndëroi dhe në mënyrë jete. Ishte gjithmonë në një udhëtim të pafund shpirtëror. Udha nuk mund të kishte për të fund të ndryshëm nga ajo e Zotit tonë Iisu Krisht. Në të nuk mund të mungonte Kryqi.
Në ditët e obskurantizmit ateist, para se të mbyllnin kishat deshën të mbyllnin gojën e Bedulit. Por s’mundën të ndryshonin atë që vlerësoi Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, Anastasi, në Shërbesën e përmotshme të z. Beduli: “Besimin e tij të thellë, të kthjellët dhe të fortë e përcillte gjithashtu me predikimin e tij në këtë kishë, me fjalën e shkruar, por edhe kur heshtte me shembullin e tij”.
Udhëtar besnik në udhën e Krishtit u bë i denjë të jetojë Ngjalljen e Kishës së Krishtit në vendin tonë e bashkë me të edhe ngjalljen e tij. Në moshë të thyer, por i palodhur, i sëmurë, por i patërhequr, z. Beduli u bë krah i Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit Anastas, në misionin e tij të shenjtë e të paprecedent të rimëkëmbjes së Kishës Orthodhokse nga hiri i saj, të Ngjalljes së saj.
Vlerësimi i figurës së prof. Bedulit, i veprës së tij, i qëndrimit të tij, s’mund të mos shtrihej në të gjithë hapësirat e Kishës së vetme, të shenjtë, të përgjithshme e apostolike. “U bë Mësues Arhond i Ungjillit” përfaqësoi Kishën tonë në aktivitete të rëndësishme ndërkombëtare. Por, mbi gjithçka, gjeti plotësinë e vet me përjetësinë që Perëndia u fal bijve të vet.
Vangjel Dule