Ne, disa besimtarë orthodhoksë, të mbledhur sot, të dielën, 16 shkurt, në Kishën Orthodhokse “Ungjillëzimi i Hyjlindëses”, në Tiranë, për të ndjekur Liturgjinë Hyjnore, të njohur me vendimin e Qeverisë sonë, për të dhënë një truall shtesë, i cili bën të mundur ringritjen e Katedrales Orthodhokse të kryeqytetit, shprehim kënaqësinë dhe gëzimin tonë për këtë vendim, i cili vë në vend një padrejtësi të bërë prej 4 dekadash.
Sa për disa mendime të shprehura në shtyp, që me argumente të stilit ateist i kundërvihen kësaj, kujtojmë se në gjithe botën, të civilizuar ose jo, objektet e kultit ngrihen në qendër të qyteteve, në vendet më të bukura, ashtu siç ishte edhe kisha orthodhokse e shkatërruar aty ku sot ngrihet 15-katëshi, apo edhe xhamia ekzistuese. Komunizmi la pas njerëz bosh nga ana shpirtërore, që kryen gjithë ato gjëra të tmerrshme, në emër të një zoti të rremë – parasë. Ndaj, pa u rikthyer besimi tek Perëndia i vërtetë, pa u mbushur shpirtrat e tyre me vlera të vërteta, zor se kemi për të shkuar në Evropën moderne, aty ku të tjerët kanë arritur me punë të ndershme, djersë, por edhe lutje e respekt të thellë për fenë.
Sa për lulishten, jemi të sigurt se Kisha do ta mbajë fjalën për të mbjellë shumëfishin e pemëve që do të preken, por na shqetëson fakti, se pse gjithë këta “ekologjistë” u kujtuan për gjelbërimin vetëm tani dhe heshtën kur ndërtimet e paligjshme private e “publike” masakruan Tiranën.
Do të deshëm që kisha të ndërtohej aty ku ka qenë, në Sheshin Skënderbej, për të rikrijuar binomin simbolik të tolerancës dhe bashkëjetesës fetare me xhaminë, por, në pamundësi, jemi të predispozuar të mbështesim këtë zgjidhje. Vetëm, i lutem, Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit Anastas, që të mundësojë ngritjen sa më shpejt të Katedrales sonë dhe u bëjmë thirrje gjithë besimtarëve orthodhoksë të kontribuojnë financiarisht për të, sepse ajo është edhe e tyrja dhe do jetë vendi ku ata do t’i falen Perëndisë dhe do qetësojnë shpirtrat.
Nga një grup besimtarësh orthodhoksë
Niko Zherdhi, Vlash Koçimari, Prof Dr. Lluka Heqimi, Diogjen Sevo, Anesti Rudhja, Zogulla Lita, Thoma Meksi, Vangjel Zoto, Stavri Koçillari, Leonora Bogdani, Fotika Liço, Vllasi Feshti, Irini Kosta, Ilia Dhrami, Vasil Strakosha, Varvara Koçimari, Dhiogjen Feshti, Kristo Mazniku, Vasilika Strakosha, Llazi Angjeli, Tana Shamo, Armand Afezolli, Koço Marko, Telo Dedi, Kristo Çako, Mira Koja etj.