Përmet – Vazhdon beteja për të mbrojtur “Shën Marinë e Pazarit”
Besimtarët mbrojnë Kishën, gjykata shtyn vendimin
Që në orët e para të ditës së enjte (12 shkurt), shumë besimtarë orthodhoksë, të rinj e të moshuar, u nisën nga Tirana, Elbasani, Kavaja e Lushnja, drejt Përmetit. Ata do të shkonin me një qëllim të lartë, për t’u solidarizuar me besimtarët e këtij qyteti në një orë vendimtare kur edhe pritej të zbatohej urdhri i Gjykatës së Lartë për sekuestrimin e Kishës të Hyjlindëses së Tërëshenjtë ose siç njihet ndryshe nga vendasit “Shën Maria e Pazarit”. Rruga dukej si një udhëtim drejt së panjohurës sepse nuk dihej se çfarë do të ndodhte dhe aq më tepër nuk mund të imagjinohej se si mund të hynin me forcë disa persona që përfaqësojnë shtetin dhe të hiqnin nga ai ambient shpirtëror Kryqin e Nderuar, Altarin e Shenjtë, ikonat e për më tepër të shkelnin me dhunë mbi një vend të shenjtë. Në orën 11:00 të asaj dite pritej të zbatohej vendimi. Në këtë kohë, besimtarët përmetarë dhe shumë besimtarë të tjerë të ardhur nga disa qytete të Shqipërisë, u mblodhën në Kishë dhe morën pjesë në Shërbesën e Paraklisit të Shën Marisë duke iu lutur Perëndisë për mbrojtjen e Kishës.
Ajo që të bënte përshtypje ishte prania e 40 fëmijëve të kopshtit që ndodhet në ambientet e Kishës, të cilët luteshin bashkë me besimtarët e tjerë. Një nga edukatoret e tyre, Elvira Dhimitri tha për gazetën: “Ne protestojmë përkrah klerikëve tanë, orthodhoksëve të Përmetit dhe të gjithë Shqipërisë, kundër prishjes së kishës dhe bashkë me të edhe të kopshtit. Ky kopsht u shërben më shumë fëmijëve se sa një bilardo që ishte më parë”.
Ndërkohë, në një kënd të kishës ishin vendosur edhe pankartat: “Stop terrorit ateist”, “Ndaloni përndjekjen ndaj Kishës Orthodhokse”, “1997- Drejtësia na jep kishën”, “Duam kishën, jo lojëra bixhozi”, “Enver Hoxha “i gjithëfuqishëm” që donte të rrëzonte Kishën, u rrëzua vetë”, “2003, duan të na sekuestrojnë Kishën”, “Kultura e vërtetë është kultura e shpirtit”, të cilat u demonstruan nga besimtarët gjatë procesionit të Litanisë kur të gjithë me ikona dhe qirinj nëpër duar marshuan përreth kishës duke psalur himne kishtare.
Gjatë kohës që besimtarët bënin shërbesën, i ngarkuari i Zyrës së Përmbarimit erdhi nga Tirana, i shoqëruar me policinë për të bërë sekuestrimin e kishës. Por kur ata panë besimtarët në kishë duke u lutur, u tërhoqën nga vendimi, duke e shtyrë atë për një datë të mëvonshme.
Fundi i kësaj historie që po endet nëpër procese gjyqësore ende nuk dihet se çfarë zgjidhje do të ketë. Megjithatë, siç tha edhe vetë Jisu Krishti: “Me besim asgjë nuk është e pamundur”, le të besojmë, të lutemi dhe të bashkohemi me mendje, zemër e shpirt për të mbrojtur me forcën e patundur një të vërtetë dhe një të drejtë që u takon të krishterëve orthodhoksë të Përmetit që kisha e Shën Marisë së Pazarit të vazhdojë të jetë një vend i shenjtë, një vend lutjeje e adhurimi ndaj Perëndisë.
Nga i dërguari ynë në Përmet
Isidor Koti
At Vasil Thomollari – “Jemi të vendosur ta mbrojmë Kishën”
“Në një moment shumë kritik për Kishën Orthodhokse të Shqipërisë dhe konkretisht për kishën e Përmetit, në një moment kur të gjitha të drejtat e njeriut që i kërkon sot Evropa, neve po na i grabitin edhe ato pak liri që kemi, drejtësia shqiptare dhe individë të caktuar. Jemi mbledhur për t’i thënë: “Stop terrorit ateist, stop të gjithë atyre që duan të shkatërrojnë vlerat dhe kulturën tonë, të cilat i kemi krijuar me mund e djersë ndër shekuj.” Mijëra shërbesa të shenjta janë kryer në këtë kishë dhe sot vjen një ateist, një njeri që është gjoja i veshur me petkun e kulturës dhe kërkon ta rrëmbejë. Tani bëhet një gjyq famëkeq, por ne jemi të vendosur me lutjet tona t’i bëjmë ballë këtij sulmi, këtij terrori të madh që po ndodh. A mund t’i heqim fëmijët nga kopshti? Po besimtarët? Ne kemi shumë fakte (në këtë moment At Vasili iu tregoi besimtarëve të pranishëm në kishë një fotografi autentike të vitit 1956. Kjo fotografi u botua në numrin e kaluar të gazetës fq.1). Ne u bëjmë thirrje gjithë organizmave ndërkombëtarë, të hiqet dorë nga padrejtësia që po i bëhet Kishës Orthodhokse Shqiptare. Ju bëj thirrje që zërin tonë ta përçoni me lutje dhe kreshmë kudo, për të vendosur drejtësi dhe për ta patur gjithmonë Kishën e Hyjlindëses Mari.”
At Stavri (i ardhur nga Elbasani) – “Perëndia nuk do të na braktisë”
“Në emër të të gjithë besimtarëve orthodhoksë të Elbasanit marrim pjesë në këtë dhimbje të Kishës sonë dhe i mbështesim fuqimisht përpjekjet e besimtarëve të Përmetit për ta marrë këtë kishë, e cila është e jona dhe do të mbetet përsëri e jona. Politika mund të bëjë punën e saj, por ne Perëndia nuk do të na braktisë”.