Kërkohet largimi i personelit katolik nga zona e Gjinarit dhe pezullimi i punimeve “bamirëse”.
Ditën e enjte, më 14.9.1995, pas Liturgjisë Hyjnore, në ditën e Ngritjes së Kryqit të Nderuar, në kishën e Shën Thanasit në Gjinar (Elbasan), u lexua para të pranishmëve protesta e besimtarëve orthodhoksë të kësaj zone kundër proselitizmit të Kishës Katolike në ato anë. Ajo pati aprovim të njëzëshëm dhe më pas të gjithë, bashkë me priftin e Kishës Orthodhokse, u nisën për një takim me motrat katolike, të cilat ishin lajmëruar që prej dy ditësh. Ai u bë në shkollën e mesme të Gjinarit, pasi motrat katolike nuk lejuan të bëhej në territorin e manastirit që kanë ndërtuar vetë. Në këtë takim, në të cilin morrën pjesë dhjetëra besimtarë orthodhoksë të moshave të ndryshme, u lexua sërish protesta nga një e re. Protestën për proselitizëm motra katolike u mundua ta justifikojë nën emrin e Ungjillit, duke thënë që përgjigjen përkatëse do ta gjeni në Ungjill. Reagimi i popullit ishte i kundërt me këto justifikimine.
Një prej të rinjve iu drejtua me këtë pyetje: “A është e lejueshme që në një zonë me besim shekullor Orthodhoks të bëhet katekizëm sipas mësimeve katolike?” Një nga motrat iu përgjigj se “nuk është e vërtetë që ne kemi bërë një punë të tillë që të japim mësime të ndryshme nga mësimet e Kishës Orthodhokse. Ne u kemi folur vetëm për dashurinë e Zotit Iisu Krisht, dhe duke dhënë asistencë materiale dhe shpirtërore.” I riu iu përgjigj motrës katolike se: “ju nuk jeni më tani një shoqëri bamirëse, por përfaqësues të Klerit Katolik.” Një person tjetër e kundërshtoi motrën Katolike duke thënë: “Nuk është e vërtetë që ju nuk keni folur kundër Kishës Orthodhokse dhe në favor të Kishës Katolike, sepse ju vetë i keni ftuar motrat tona dhe vajzat e kësaj zone që të bëhen murgesha katolike.”
Por, mbi të gjitha përgjigjen e motrës katolike e përgënjeshtroi një fëmijë, pjesëmarrës në mësimet e katekizmit katolik, i cili i pyetur për të bërë shenjën e kryqit, me pastërti fëminore çohet dhe e bën atë sipas ritit Katolik. Një tjetër pjesëmarrës shprehu indinjatën e tij duke thënë: “A është e drejtë që këtij populli që rezistoi për 5 shekuj proselitizmit islamik dhe ateizmit komunist t’i kthehet besimi. Dhe në qoftë se kërkohet të shikohet se kush do ta ruajë apo ndryshojë besimin, të bëhet një referendum popullor.” Në këtë moment motra katolike u largua, pa përshëndetur popullin pjesëmarrës dhe duke lënë bisedën e parafolësit përgjysëm. Ky veprim solli reagim tek pjesëmarrësit, të cilët shprehën indinjatën e tyre për këtë veprim ofendues. Në fund takimi përfundoi me lutjen e përbashkët – Ati ynë që je në Qiell.