EmailFacebookKontakt

Besimtarët kremtuan së bashku me klerikët kanonikë – Elbasan

Krishtlindjet në Elbasan, për shkak të pushtimit të dhunshëm të Kishës së Shën Marisë, u bënë në Kishën e Shën Thanasit, e cila është në rikonstruksion dhe në periferi. Megjithatë, qindra besimtarë ndoqën me devotshmëri Liturgjinë Hyjnore.

Ndërsa Uji i Bekuar u kremtua në mënyrë origjinale, duke ringjallur një traditë të hershme. Me gjithë të ftohtët, Liturgjia Hyjnore e Epifanisë u celebrua në natyrë pranë urës së Shkumbinit, në prani të qindra e qindra besimtarëve orthodhoksë e qytetarëve e të besimeve të tjera. Meshuan klerikët kanonikë të qytetit At Gjergji Trebicka, At Pavli Dimashi dhe dhiakonët Janaq Gjica, Stavri Çipi dhe Jani Ranxha.

Pastaj, duke kënduar përlëshoren e Ujit të Bekuar “Në Jordan kur pagëzoheshe, o Zot…”, klerikët e besimtarët iu drejtuan mesit të urës, nga ku At Gjergji bëri hedhjen e kryqit në lumë. Mjaft të rinj u lëshuan për ta kapur, jo vetëm nga dy anët e lumit, por disa u hodhën edhe nga parmakët e urës, nga 15 m lartësi. Nderimi i gjetjes së kryqit i takoi të riut Vladimir Ziu.

I gjithë kremtimi shkoi si jo më mirë, duke dëshmuar në mënyrë të qartë mbështetjen dhe besimin e besimtarëve orthodhoksë elbasanas për Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe Kryepiskopin Anastas.