Besimtarët kremtojnë me madhështi “Shën Ilian”
Në Fier
Më 20 korrik qindra besimtarë të ardhur nga fshatrat dhe qyteti u mblodhën në rrënojat e kishës së “Shën Ilisë” për kremtimin tradicional të festës të Shenjtorit të madh.
Në periudhën e regjimit ateist, ashtu si shumë kisha dhe kisha e “Shën Ilias”, u shkatërrua nga themelet. U shkatërrua kisha, por shpirti i besimtarëve nuk u shua, ai gjithmonë dëgjonte zërin hyjnor, urdhërin e Zotit, nëpërmjet shkrimeve të shenjta “Nuk do të kesh Perëndi tjetër, përveç meje” (Eksodi 20:3). Besimtarët fierakë, qysh prej fillimeve të krishtërimit, e njihnin Zotin Krisht, jetën dhe veprën e tij të mrekullueshme, Ungjillin, kur shumë popuj të Europës ishin nomadë. Pushtimi shekullor dhe regjimi ateist u munduan të shkatërrojnë jo vetëm kishat, por dhe ndërgjegjen e besimtarëve, për t’i larguar nga udha e vërtetë e Zotit, por nuk mundën t’ia arrijëë qëllimit. Ja koha erdhi, dhe Fryma e Shenjtë triumfoi mbi satanain. Gëzimi i besimtarëve qe i papërmbajtur. Ata i janë shumë mirënjohës demokracisë dhe në mënyrë të veçantë Fortlumturisë së tij, Prof. Dr. Anastasit, që me mësimet e shenjta ndriçon mendjen dhe zemrat e besimtarëve, hap dritare që sjellin shpresë për jetën. Kjo bëri, që më 20 korrik të mblidhen besimtarët në rrënojat e kishës së “Shën Ilias”.
At Kostandini me dhjakët Sokrat dhe Elazar, meshuan në rrënojat e kishës në prani të besimtarëve, të cilët nga ndjenja e gëzimit dhe e besimit, thanë fjalët më të mira, urimet më të mëdha për Zotin, Perëndinë tonë.
Mbasi mbaroi mesha u bënë edhe pagëzime në familje.
Ky kremtim madhështor mbyllet me besimin e madh tek Fortlumturia e tij, Kryepiskopi Anastas, se vitin tjetër çdo veprimtari do të kryhet brenda në kishë.
At Jovan Koroveshi