Kozma Rusi lindi më 1.1.1929, nga një familje me traditat e besimit orthodhoks. Që në moshë të vogël, gjyshja e rriti me ndjenjën e besimit e dashurinë për himnet kishtare, ku qëndronte pranë psalltirës. Në klasën e 7-të i ati i bleu një fizarmonikë, ku filloi të këndojë e të kompozojë. Mbasi mbaroi shkollën e mesme ai iu bashkangjit bandës frymore të qytetit, që më vonë iu besua ta drejtonte. Gjatë kësaj kohe krijoi këngë popullore, këngë të muzikës së lehtë e për fëmijë, si dhe marshin fetar «Himni i Besës».
Pas mbylljes së kishave nga monizmi, ai u lut që Perëndia të ruante besimin në familje. Me ardhjen e demokracisë dhe të Eksarkut, Imzot Anastasit, Kozmai me të vëllain ishin nismëtarët për rihapjen e kishës. Në nëntor 1991, Imzot Anastasi bëri një vizitë në shtëpinë e tij, ku në mes të të tjerave i thotë: Këngë të lehta dhe këngë popullore ke krijuar, tani duhet të krijosh korin e muzikës bizantine kishtare. Kishën do ta ndërtojmë më të bukur, se besimtarët e Kavajës e duan Kishën, Zoti nuk do të na braktisë. Me të vërtetë, Kozmai dha shumë për qytetin dhe për Kishën. Për gjithë veprimtarinë e tij, në shtator të vitit 2000 iu dha titulli qytetar nderi i Kavajës.
Me fjetjen e tij, më 27.10.2003, familja humbi njeriun e dashur, Kisha humbi një nga besimtarët e devotshëm dhe dirigjentin e së Premtes së zezë, ku për 12 vjet drejtoi bandën frymore që shoqëronte Epitafin në rrugët e qytetit; Kavaja humbi mësuesin e disa brezave këngëtarësh e muzikantësh. Gjatë shërbesave fetare, ai u përcoll nga personalitetet e bashkisë, të besimit orthodhoks e mysliman etj., ndërsa banda frymore shoqëroi trupin e tij nëpër bulevard, deri tek shtëpia e madhe e tjetjes, ku ai të prehet i qetë, duke pritur trumbetën e ringjalljes dhe jetës së pasosur.
Llazar Pjeshkazini
At Vasil Thomollari