EmailFacebookKontakt

Besimi i krishterë dhe faltoret e para në Shqipëri

Besimi i krishterë, në vendin tonë është shumë i lashtë. Ai filloi me predikimet e para të apostull Pavlit, që në shekullin e parë të krishterimit. Ky predikues i shenjtë, e shkeli me këmbët e tij edhe tokën ilire dhe predikoi me devotshmëri në shtresat e ndryshme të popullsisë vendase, duke treguar për veprat, jetën, kryqëzimin dhe ngjalljen e Krishtit.

Ilirët, në kohën e parë të përhapjes së krishtërimit, nuk kishin një idolatri të kultivuar sikurse e kishin popujt fqinjë të tyre, grekë e romakë. Mbi besimin dhe Perënditë e tyre, deri më sot shumë pak është bërë e njohur. Më i qartë është trashëguar riti i varrimit të popullsisë ilire në “tuma” kodërvarre, të cilat kanë qenë përdorur si varreza për shumë shekuj me radhë. Disa nga këto varreza tregojnë se janë përdorur në vazhdimësi edhe pas kristianizimit të ilirëve, deri edhe në mesjetë.

Fara e mbjellë nga apostull Pavli, zuri rrënjë të thella dhe dha frute të menjëhershme e të vazhdueshme deri sa arriti edhe në ditët tona.

Besimi i krishterë ngjalli shpresa të mëdha në të gjithë popujt e nënshtruar të perandorisë romake. Tek të gjithë këta popuj, përfshi edhe popullin romak, besimi tek Iisu Krishti, ndryshoi rrënjësisht qëllimin kryesor të jetës, duke e drejtuar atë në përkushtimin e botës shpirtërore, kundrejt asaj materiale.

Predikimet e apostull Pavlit bënë që të parët tanë të përqafojnë me gjithë shpirt besimin e krishterë, duke e konsideruar atë si një dhuratë dhe njëkohësisht si përkrahje hyjnore për të përballuar vështirësitë e jetës së tyre të përditshme.

Në shekujt që pasuan përhapja dhe predikimi i besimit të krishterë bëhej edhe më i organizuar nga misionarët ungjillorë, të cilët me librat e shenjtë nëpër duar, lexonin ungjijtë e porsashkruar nga Apostujt: Mattheu, Marku, Llukai dhe Joani. Leximi dhe komentimi i shkrimeve të shenjta bëhej në vende të caktuara me pjesëmarrjen e të gjithë pjesëtarëve që kishin përqafuar besimin e krishterë. Mbledhjet apo ceremonitë fetare, deri në shek. IV zhvilloheshin në fshehtësi, pasi besimtarët e krishterë ndiqeshin dhe persekutoheshin nga pushteti romak.

Në mesjetën e hershme, shek. IV, besimi i krishterë u shpall zyrtarisht i lirë nga Konstandini i Madh për gjithë popullsitë e ndryshme të perandorisë bizantine. Ky perandor bizantin, me origjinë ilire, ishte i edukuar që në fëmijëri nga e ema e tij Shën Elena, me besim të plotë në fenë e krishterë. Konstandini i Madh vuri Kryqin e Krishtit në mes të flamurit të perandorisë së tij dhe njëkohësisht bëri organizimin e institucioneve fetare në të gjitha perandorinë bizantine. Në këtë kohë zënë fill edhe episkopatat e para, të themeluara në qytetet kryesore të vendit tonë, si në Durrës, Apolloni, Bylis, Amantia etj. Sipas të dhënave historike të kohës, peshkopët e qyteteve të sipërpërmendur, kanë marrë pjesë, me të drejta të barabarta, në sinodhet kishtare të para, që kishin për qëllim zgjidhjen e problemeve të ndryshme kishtare.

Për periudhën e parë të krishtërimit në vendin tonë, një ide edhe më të plotë na e japin zbulimet arkeologjike që janë bërë në qytete dhe vende të ndryshme të Shqipërisë. Në bazë të studimeve të veçanta të këtyre zbulimeve ndërtimore e arkitektonike, arrihet në përfundim se në periudhën fillestare të besimit të krishterë, janë përdorur si faltore, kryesisht bazilikat romake. Këto ndërtesa, për efekt të hapësirës dhe sipërfaqes së madhe që kishin, u përdorën duke u përshtatur si vende predikimi dhe për shërbesat liturgjike të besimit të krishterë.

Një shembull të qartë ne e kemi në rrënojat e kishës së vjetër që është zbuluar në zonën perëndimore të qytetit të Tiranës. Të dhënat arkeologjike kanë treguar se në këtë rast është zbuluar një ndërtesë, bazilike romake, e cila ishte kthyer e përshtatur në shek. IV. në faltore të krishterë. Elementet kryesore që vërtetojnë këtë gjë, dallohen në dyshemenë e kësaj ndërtese ku duken qartë si shtesa të mëvonshme, pjesë mozaiku ku përfaqësohen simbole të besimit të krishterë, si kryqe, peshq etj.

Zbulimi i rrënojave të kësaj kishe ka një rëndësi të veçantë dhe vërteton plotësisht për zanafillën shumë të hershme të besimit të krishterë në Shqipërinë e Mesme.

Gjurmë të tjera të faltoreve të hershme, janë zbuluar edhe në qytetet e lashtë të vendit tonë. Për t’u përmendur është edhe rasti, në qytetin e lashtë të Finiqit, ku që prej shumë kohësh janë zbuluar rrënojat e një “thesari”, monument i kohës antike, i cili ishte kthyer në faltore kristiane. Po kështu edhe në qytetin e Butrintit dhe atë të Amantias, ka të dhëna arkeologjike që tregojnë për kthimin dhe përshtatjen e faltoreve pagane në faltore të krishtera. Për periudhën e hershme bizantine, zbulimet arkeologjike kanë treguar se janë ndërtuar edhe ndërtesa të reja të cilat në planimetri paraqesin gjithnjë formën e bazilikave romake, të orientuara me drejtimin lindor, dhe kanë shërbyer posaçërisht si faltore të krishtera. Një e tillë është edhe kisha e Tepes e zbuluar në të hyrë të qytetit të Elbasanit, nga ana perëndimore e tij. Gërmimet arkeologjike kanë treguar se kjo kishë i takonte varrezës së qytetit të hershëm të Skampinit. Faza e parë e ndërtimit të kësaj kishe i përket shek. IV. Gjykuar nga materiali dhe teknika e ndërtimit, tregon se ajo ishte një kishë e thjeshtë. Faza e dytë paraqet ndryshime të rëndësishme, në pjesën e brendshme ku dallohet ndërtimi i altarit, në naosin qëndror para absidës së kishës. Në këtë fazë është rindërtuar dyshemeja e kishës, e cila është shtruar me mozaikë e pllaka mermeri. Të gjitha këto tregojnë për një pasurim të mjedisit të brendshëm të kishës së vjetër dhe në mënyrë të veçantë për një kristalizim të zhvillimit ceremonial të liturgjisë kishtare.

Në qytetin Butrintit është zbuluar gjithashtu një bazilikë tre nefershe, e cila sipas formës së planimetrisë dhe pjesëve të mozaikëve është datuar edhe kjo e shek. IV.

Në grupimin e kishave të zbuluara në vendin tonë që i takojnë periudhës së parë të besimit të krishterë dhe që karakterizohen nga përshtatja e monumenteve paganë në faltore të besimit të krishterë po përmendim edhe baptisterin e Butrintit, i cili është ndërtuar mbi mbeturinat e një ndërtese të kohës antike. Baptisteri i Butrintit, një nga monumentet më të rëndësishme të vendit tonë, për aq sa trashëgohet deri më sot, përfaqëson denjësisht dhe tërësisht botën shpirtërore të besimit të krishterë, në të cilin pagëzimi konsiderohet si i shenjtë. Ai ishte veprimi fillestar ku bazohet dhe zë fill besimi te Iisu Krishti i dërguar i Atit Zot Perëndi i vërtetë. Baptisteri i Butrintit ka një planimetri në formë rrethi, një sallë qendrore me dy radhë kolonash dhe vaskën e pagëzimit në mesin e saj. Një zgjidhje arkitektonike kjo shumë e përshtatshme dhe funksionale për zhvillimin e ceremonisë së ritit të pagëzimit. Nga ky monument është ruajtur pothuaj tërësisht dhe në gjëndje mjaft të mirë dyshemeja e shtruar me mozaik shumëngjyrësh, me vlera të mëdha artistike, si edhe pjesë të elementëve arkitektonikë, kolona, kapitele etj. Në hyrjen kryesore të këtij monumenti, në mozaikun e dyshemesë paraqitet skena e eukaristisë, një nga simbolet kryesorë të besimit të krishterë, ekzekutuar me mjeshtëri të dallueshme në këtë fushë.

Në kohë më të vonshme, siç do të kemi rastin të shohim në vazhdim, besimi i krishterë, arriti të përhapet e të pranohet nga të gjithë. Burimet historike të vërtetuara edhe nga zbulimet arkeologjike në vendin tonë tregojnë se: besimi i krishterë dhe kisha e krishterë bëhen burime jetëdhënës të vërteta që bashkojnë dhe lidhin gjithë popullin me Iisu Krishtin, shpëtimtar hyjnor për mbarë njerëzimin, në tokë e në qiellin e pambarim.

* Koço Zheku