Dega e Lidhjes rinore orthodhokse të qytetit të Ersekës i ka dërguar një mesazh përshëndetjeje lidhjes rinore orthodhokse “Bij të Dritës” dhe gazetës së saj. Kjo degë e lidhjes, që u ngrit “nga një bërthamë” prej 60 djemsh e vajzash në prag të Krishtlindjeve, u krijua me dëshirën për të ngritur lart “besimin orthodhoks që përfaqëson vijën më të drejtë, drejtimin më të kulluar të lëvizjeve fetare të kohës sonë.”
Duke theksuar në mesazh se si pasardhës të atyre kolonjarëve që kanë vënë trupin në rrezik jo vetëm për Atdhe, por edhe për Orthodhoksinë, duke qenë “Pishtarë të Dritës” në çdo kohë të vështirë e të errët, këta të rinj do të punojnë për t’i zgjeruar rradhët e tyre, duke synuar që si misionarë të Krishtit të ngrenë vetëdijen e besimtarëve dhe njerëzve. Vështirësitë që kanë aktualisht; mungesa e një kleriku, kishat e pakta në një zonë, kur deri përpara vitit 1967 ekzistonin rreth 100 kisha, literatura, ikona, shtypshkrime etj., i shtojnë dëshirën për misionin që i kanë ngarkuar vetes. Një ndër detyrat më të ngutshme për ta ishte krijimi i korit të kishës së “Shën Gjergjit”. Mesazhi mbyllet me një urim të ngrohtë për të gjithë të rinjtë anëtarë të Lidhjes rinore orthodhokse “Bij të Dritës”.