Më datën 2 maj Fortlumturia e Tij Anastasi, vizitoi fshatrat e Shpatit, në rrethin e Elbasanit. Stacioni i parë qe në Gjinar. Për të pritur Kryepiskopin kishin dalë klerikët e zonës, autoritetet lokale e besimtarë të shumtë, të rinj të veshur me kostumet karakteristike të krahinës së Shpatit. Më tej u vazhdua me Liturgjinë Hyjnore, në Kishën e Ngjitjes në Qiell, që ndodhet në një vend mjaft piktoresk mes pemëve, e cila është ndërtuar vitet e fundit me fondet e mbledhura nga Kryepiskopi.
Në predikimin e Tij, Kryepiskopi theksoi, se zona e Shpatit është me tradita në besimin Orthodhoks. Banorët e tij gjatë rrjedhës së shekujve kanë ditur të ruajnë brez pas brezi besën e tyre. Siç e dimë nga historia, banorët e Shpatit gjatë periudhës së errët të pushtimit otoman ishin kriptokristianë, d.m.th. në publik përdornin një emër të myslimanizuar, ndërsa në shtëpitë e tyre përdornin emrat e krishterë dhe kryenin në fshehtësi Shërbesat e Shenjta Orthodhokse.
Mbas Liturgjisë, grupet artistike të zonës dhanë një program të bukur artistik për t’i uruar mirseardhjen Fortlumturisë së Tij. Më pas Kryepiskopi vizitoi zyrat e “Shërbimit të Dashurisë” në Gjinar, ku u interesua për projektet e zhvillimit të kësaj zone. Kisha Orthodhokse ka investuar shumë në këtë zonë të thellë malore, në sajë të interesimit të vazhdueshëm të Kryepiskopit.
Gjithashtu, Fortlumturia e Tij u premtoi banorëve, se do ngrinte një kamp pushimi për fëmijët e kësaj zone të thellë malore.
I përcjellë nga besimtarë të shumtë dhe nga autoritetet lokale, Kryepiskopi u largua nga Gjinari, për të vazhduar vizitën në fshatin më të largët të komunës së Shpatit, në Zavalinë. Mes gëzimit të besimtarëve të shumtë, të mbledhur me këtë rast, Ai u premtoi atyre ndërtimin e kishës së re, që do mbajë emrin e Metamorfozës (Shën Sotirit).
I përcjellë nga autoritetet lokale dhe nga besimtarët e shumtë, Kryepiskopi u largua nga fshatrat e Shpatit, duke u dhënë atyre besim, forca e shpresa për të ardhmen.
Andrea LLukani