Pashka e Madhe, në vitin e gjashtë të rihapjes së institucioneve fetare, në qytetin e lashtë të Beratit u festua me madhështi në dy kisha njëkohësisht, sepse tanimë, krahas priftit të mirënjohur Vangjel Xoxe, meshon edhe At Petraq Simnia, i hirotonisur kohët e fundit nga Fortlumturia e Tij, Imzot Anastasi.
Kremtimit të kësaj dite të shënuar i parapriu një javë më parë festimi i të Dielës së Dafinave. Besimtarë të shumtë u mblodhën në kishën e rindërtuar para pak kohësh të Shën Thomait dhe me dafina në duar pritën me gëzim ardhjen e “Mbretit Krisht në Jeruzalem”. Veçanërisht, shumë besimtarë erdhën në Kisha të mërkurën, në shërbesën e Efqelisë, si simbol i afrimit të çdo besimtari me Krishtin, të Enjten e Madhe, kur përkujtohet Darka Mistike, gjatë së cilës Iisui i paralajmëroi të 12 apostujt se shpejt Ai do të flijohej për të marrë mbi vete mëkatet e njerëzve, të Premten e Zezë, ditën e Kryqëzimit. Në këtë ditë, si në kishën e Shën Thomait, ashtu edhe në atë të Fjetjes së Shën Marisë në Kalanë e Beratit u kënduan vajtimet për vdekjen e Zotit Krisht. Rreth orës 20.00 të kësaj mbrëmji e nga Kisha e Shën Thomait doli pitafi, i mbajtur në supet e shpresëtarëve dhe i pasuar nga qindra e qindra të tjerë me qirinj të ndezur, duke kënduar himnin “Ti o Krisht, o jetë…”, rreth rrugicave të lagjes Goricë. Të panumërtdshin qytetarët beratas që sodisnin nga parmakët e anës tjetër të lumit Osum bukurinë e rrallë të këtij imazhi madhepës. Mijëra qirinj të ndezur vezullonin si yje dhe pasqyroheshin në ujërat e Osumit. Po kështu, doli edhe epitafi rreth kishës së Profet Ilias. Të Shtunën e Madhe në mbrëmje, mijëra orthodhoksë mbushën kishën e Shën Thomait, dhe të Fjetjes së Shën Marisë, si dhe oborret e tyre. Në orën 24.00 At Vangjeli dhe At Petraqi bënë faljen e Ngjalljes së Krishtit dhe të gjithë me hare të papërshkrueshme uronin duke përpjekur vezëte kuqe. “Krishti u Ngjall!” – “Vërtet u Ngjall!”
Këmbanat e reja të ardhura me ndërmjetësinë e Fortlumturisë së Tij Anastasit dhe të montuara në këmbanoren e kishës së Shën Thomait, si edhe ato të kishës së Fjetjes së Shën Marisë oshëtinë gjithë këto ditë në qytetin tonë të lashtë. Këto kisha u falën dhe ditën e hënë pas Pashkës, kurse të martën mbasdite, ditën e tretë të Pashkës, u fal kisha e Shën Ilias, ku sipas traditës beratase, u shuan qirinjtë “e tre ditëve” të Pashkës së Madhe të Zotit.
Ilia Zaka