Gjatë vizitës së Tij në SHBA, m’u dha rasti të takoj Kryepiskopin Anastas edhe për vet faktin se së shpejti do të punoj nën drejtimin e tij për Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Në fillim të gushtit Seminari “Kryqi i Nderuar” në Boston ishte mikpritës i Konferencës Ndërkombëtare për Ierapostolinë e Ungjillëzimin. Kryepiskopi Anastas ishte ftuar të marrë pjesë dhe të mbajë ligjëratën kryesore. Unë isha në Boston gjatë asaj fundjave për një takim të shqiptarëve të diasporës që zhvillohej aty pranë dhe pata mundësinë ta takoj dhe të marr bekimin për punën që po nis në Shqipëri.
Më vonë gjatë asaj jave, Mitropoliti Theodhos, kreu shpirtëror i Kishës Orthodhokse në Amerikë dhe në të njëjtën kohë edhe i Kishës Orthodhokse Shqiptare në Amerikë ftoi Kryepiskopin Anastas në selinë e tij në New York. Vizita në selinë e Mitropolitit Theodhos u pasua nga shërbesa e mbrëmësores dhe darka për nder të Fortlumturisë së Tij, ku merrnin pjesë dhe Episkopi Peter i New Yorkut, Episkopi Herman i Filadelfias, at Jani Trebicka dhe klerikë të Kishës Orthodhokse Shqiptare në Amerikë, nga kryesia e Kishës shqiptare të Shën Nikollës në New York dhe personalitete të tjera. Po përgatitesha për të ardhur në Shqipëri brenda dy javësh dhe pata nderin të ftohesha në këtë darkë, gjatë së cilës Kryepiskopi Anastas dhe Mitropoliti Theodhos shkëmbyen dhurata dhe folën për rëndësinë e forcimit të mëtejshëm të lidhjeve midis dy Kishave. Mësuam gjithashtu për disa prej arritjeve e përpjekjeve të Kishës në Shqipëri. Të nesërmen në mëngjes Kryepiskopi iku nga New Yorku për të vazhduar programin e tij shumë të ngarkuar me takime dhe vizita.
Qëndrimi im në Shqipëri sapo ka filluar dhe jam shumë e emocionuar për këtë mundësi, sepse jam amerikane me origjinë shqiptare. Jam pjesëtare e Kishës Orthodhokse Shqiptare Shën Nikolla në New York dhe anëtare e Organizatës Kombëtare Shqiptaro-amerikane. Studiova 6 vjet në universitet për arsimtare dhe erdha për një vit në Shqipëri për të punuar me rininë. Puna ime sponsorizohet nga International Orthodox Christian Charities. Mundësia për të takuar Kryepiskopin Anastas para se të vija këtu ishte për mua nder dhe jam e lumtur që do të punoj nën drejtimin e një udhëheqësi të tillë shpirtëror. Drejtimi i tij përbën bekim për mua dhe për Kishën e Shqipërisë.
Kristina Fundo