EmailFacebookKontakt

“Bëjeni shpirtin dhe zemrën tokë ku Fjala e Perëndisë do të lidhë fryt”

E diela e 13 nëntorit do të mbetet e paharruar për besimtarët orthodhoksë të Delvinës dhe gjithë Dioqezës, për deputetët të zonës dhe autoritetet e pushtetit lokal etj. Kryepiskopi i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e Tij Anastasi, mes një gëzimi të përgjithshëm dhe nën peshën e kujtimeve të 5 vjetëve më parë, se si e gjeti Delvinën dhe gjithë objektet e kultit të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, kreu Shërbesën e Bekimit të Kishës së re “Ungjillëzimi i Hyjlindëses”.

Besimtarë nga qyteti i Delvinës e fshatrat përreth, nga Saranda e Gjirokastra etj., kishin ardhur që herët për të gëzuar së bashku, për të marrë bekimin e Fortlumturisë së tij, për t’i dhënë kuptim asaj që tha Kryepskopi, se kjo Kishë do bëhet qendër e mbjelljes së Fjalës të Perëndisë, qendër lutjeje, qendër nga do rrezatojë drejtësi, paqe, mirëkuptim.

Për të pranishmit ishte emocionues kujtimi nga Kryepiskopi Anastas i fundit të vitit 1991, kur vizitoi për herë të parë qytetin. Nuk kishte as edhe një konizmë të vogël, për të bërë qoftë një shërbesë të vogël. Poshtë një rrapi, tek i cili u vendosur një kryq prej druri, ishte vendi ku Kryepiskopi kreu Liturgjinë e parë Hyjnore pas shumë vitesh. Kisha e mëparshme e Ungjillëzimit ishte shembur në vitet e regjimit komunist, për t’i lënë vendin varrezave të dëshmorëve, thua se nuk mund të gjendej vend tjetër në gjithë qytetin…

Kisha e mbushur përplot nuk i nxuri të gjithë besimtarët që kishin ardhur për përurimin, të cilët mbushën edhe sheshin përpara saj. Shërbesa e Bekimit u shoqërua edhe nga koret e kishave të Sarandës, Këlcyrës dhe Dervicianit, të cilët psalnin vazhdimish lavde Perëndisë tonë, zotit Iisu Krisht dhe të tërëshenjtës Mari, duke krijuar një atmosferë mjaft të ngrohtë shpirtërore.

Herë pas here, Kryepiskopi dilte në derën e bukur dhe njihte besimtarët me shërbesën e akoluthisë që po kryhej, si vendosjen e Lipsaneve të Tërëshenjta në Tryezën e Shenjtë dhe rregullimin e saj, vulosjen me kryq të të katër anëve të Kishës etj.

Në predikimin e së dielës, gjatë Liturgjisë Hyjnore, Kryepiskopi, duke perifrazuar Ungjillin e ditës, që bënte fjalë për Mbjellësin e Mirë, drejtoi një thirrje ndaj të gjithë pjesëmarrësve, që ta bëjnë shpirtin dhe zemrën e tyre tokën e parapërgatitur ku do të bjerë Fjala e Perëndisë dhe do të lidhë fryt. Edhe një herë tjetër Fortlumturia e Tij pati rastin të bëjë një përmbledhje të shkurtër rreth veprës së këtyre viteve për ringritjen nga themelet të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Rreth 45 kisha të reja presin të njëjtën shërbesë dhe kjo vepër ndërtimore është pjesa më e dukshme e punës së bërë.

Imzot Anastasi theksoi se me të njejtin përkushtim vazhdon, me këmbëngulje e sakrifica, edhe vepra shpirtërore për ndërtimin e kishës mistike në shpirtin e çdo njeriu, si dhe vepra filantropike në ndihmë të njerëzve, pa dallim besimi.

Kisha e re e Delvinës është e tipit gjysmëparafabrikat, me një sipërfaqe të përgjithshme rreth 260 m2 dhe ka kushtuar rreth 25 milionë lekë të reja. Vetëm ikonostasi i mermertë, i punuar në Tino të Greqisë, dhuratë e besimtarit Stefan Cimi, ka një vlerë më shumë se 4 milionë lekë.

Kryepiskopi falenderoi edhe dhuruesit anonimë e me emër që kontribuan në ndërtimin e saj, si komuniteti orthodhoks i Shtutgartit, që grumbulloi bërthamën e parë të fondeve të nevojshme, miqtë e shumtë të Fortlumturisë së Tij etj. Në të njëjtën ditë, pa u çlodhur Kryepiskopi Anastas udhëtoi drejt fshatit Livadhja të Sarandës, ku mes një gëzimi të veçantë të besimtarëve që e prisnin, vendosi gurin e themelit dhe bekoi fillimin e punimeve për ndërtimin e kishës së re të këtij fshati të thellë. Kisha do të mbajë emrin e Shën Kozmait. Në fjalën e Tij Kryepiskopi përmendi momente nga jeta e Shenjtorit, duke theksuar se i shenjti Kozma nuk ndenji në qetësinë e tij, por, duke mos llogaritur sakrificat, la Malin e Shenjtë dhe erdhi në këto troje, ku njerëzit kërcënoheshin nga shumë rreziqe të humbje së besimit dhe u bë mbështetësi i tyre shpirtëror, u bë frymëzuesi tyre, u bë shenjtori i tyre i dashur.

Të nesërmen Kryepiskopi vizitoi Himarën dhe fshatrat e zonës përreth. Ndalesa e parë ishte në Manastirin e Shën Dhimitrit në Qeparo. Në oborrin e manastirit Kryepiskopi zhvilloi një bisedë të ngrohtë prej ati shpirtëror me fëmijët e shkolës 8-vjeçare, që e rrethuan menjëherë. Fortlumturia e Tij u komuhikoi të pranishmëve lajmin e gëzuar të fillimit të rikonstruksionit të Kishës së Manastirit dhe menjëherë pas kësaj do të vazhdohet me godinat e tjera, në mënyrë që të shndërrohet sa më shpejt në një qendër shpirtërore në ndihmë të të gjithë besimtarëve të fshatrave përreth. Gjithashtu, Kryepiskopi Anastas shprehu bindjen se në verën e ardhshme në këtë vend do të organizohet kampingu i rinisë orthodhokse, që do të kryejë punë katekiste edhe në fshtrat rrotull, që vuajnë një farë izolimi.

Në Himarë, Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i Tiranës dhe Gjithë Shqipërisë, Anastasi, vizitoi disa nga kishat e qytetit, me shqetësimin që sa më shpejt edhe Himara e Poshtme, ku banon shumica e popullsisë të ketë Vendin e saj të lutjes dhe jetës shpirtërore. Besimtarët e shumtë të Bregdetit që takuan Kryepiskopin i konsideruan si bekim të veçantë këto vizita.

Në kthim, në orët e vona të natës, ishte shumë prekëse vizita në shtëpinë e besimtarit të përkushtuar Petro Xhuveli. Megjithëse në moshë të shkuar ai ia ka kushtuar jetën Perëndisë, duke kontribuar në gjithë fshatrat përreth ashtu si në vitet e territ ateist kishte ngushëlluar e kishte zbutur dhimbjet e shumë shpirtrave njerëzish në kërkim të Perëndisë, pa u trembur nga rreziqet që kjo sillte.

Orfea Bedo