Më 24 dhjetor 2022, në vigjilje të Krishtlindjes, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, së bashku me Episkopin e Bylisit, Hirësi Astin dhe atë Nikolla Kodhelin shërbyen një vakt të ngrohtë për njerëzit në nevojë në qendrën sociale “Gonxhe Bojaxhi”.
“Në këtë qytet me një milion banorë ka shumë njerëz, të cilëve u ka ecur jeta mbarë, që janë bekuar me më shumë se sa kanë nevojë. Unë njoh plot njerëz në vështirësi, por jo të gjithë, po ashtu edhe Kisha Orthodhokse mund të dijë shumë njerëz në nevojë, por ndoshta nuk i di të gjithë. Në pallatin tuaj, secili e di kush është nevojtar, kush është me aftësi ndryshe, ose i vetmuar.
Thirrja ime është për të gjithë ata qytetarë që e kanë mundësinë, të ndajmë me ta një vakt, një lodër, apo edhe një veshje të ngrohtë, tani që jemi në dimër. Mund të ndajmë qoftë edhe vetëm një urim për dikë që është fillikat dhe ka nevojë të ndjejë solidaritet”, – u shpreh Kryebashkiaku.
Korresp. i Ngjallja