EmailFacebookKontakt

Bashkëpunim dhe ndihmë për Radion “Ngjallja”

Në nëntor të këtij viti, bëri një vizitë pune në Kishën tonë z. John Maddex, themeluesi i Radios dhe i botimeve “Ancient Faith” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai ka 40 vjet përvojë në transmetim radiofonik, pasi ka shërbyer në Institutin e Biblës “Moody”, ku ka qenë përgjegjës për 35 stacione radiofonike të këtij instituti. John Maddex ka shërbyer në bordin e Shoqërisë së Shën Jakovit, që boton revistat “Touchstone” dhe “Salvo”, si dhe të Transmetuesit Fetar Kombëtar.

Të enjten, 17 nëntor 2022, ai zhvilloi një takim pune me stafin e Radios “Ngjallja”, si trajnim për përdorimin e teknologjisë në median e radios dhe platformave bashkëkohore. Në këtë takim u shkëmbyen edhe përvoja për Radion e Kishës. Pasi vlerësoi përparimin në vitet e fundit, ai shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar me të në të ardhmen. Z. Maddex dha mbështetje për ecurinë e Radios, duke filluar së shpejti ndërtimin dhe krijimin e platformës bashkëkohore “Podcast”.

Në fund të këtij takimi, ai dhuroi për Radion Ngjallja një regjistrues dixhital Tescam, mjaft praktik dhe pajisje profesionale për regjistrimet në terren. Gjithashtu, përgjegjësi i Radios, atë Grigori, e njohu atë me mjediset e Radios “Ngjallja” dhe programet që realizon. Z. Maddex vlerësoi përpjekjet dhe rezultatet e stafit dhe uroi që puna të ecë përpara në përçimin e mesazheve të Ungjillit, nëpërmjet emisioneve dhe programeve që transmetohen në FM, rrjetet sociale, web dhe në të ardhmen edhe në Podcast.

Aleksandër Dimroçi