Në 23 gusht, u mbushën 200 vjet nga lindja e bamirësit të shquar nga Labova e Madhe, Vangjel Zhapës (1800-1865). Jeta e tij nisi si një aventurë, nga qëndrimi në oborrin e Ali Pashës deri në luftën përkrah suljotëve e më pas kontributi në Revolucionin Grek (ku mori gradën Komandant Brigade dhe u dekorua). Më pas, më 1931, do të shkonte në Rumani, ku falë aftësive tregtare dhe atyre si mjek popullor, do të arrinte të bëhej një nga njerëzit më të pasur të kohës, por për të asnjëherë paraja nuk u bë një qëllim më vete.
Me një edukim thellësisht të krishterë e koncepte tepër moderne dhe largpamëse për kohën e tij, Vangjel Zhapa do bëhej mbase bamirësi më i shquar i kohës, emri i të cilit do të lidhej në Greqi me ringjalljen e lojrave olimpike dhe ndërtimin e Pallatit Zapion në Athinë, me shumat e konsiderueshme që dhuroi për Universitetin, Bibliotekën Kombëtare, Akademinë e Athinës, Politeknikumin, Teatrot, Konservatorin, muzetë, Fondacionin “Arsaqi” etj.; në Rumani me kontributin për ngritjen e Akademisë Rumune, Universitetit dhe Teatrit të Bukureshtit, Kishën e Bronshtenit etj., në Turqi, në Konstandinopojë me kolegjin femëror Zapion dhe Kishën e Shën Triadhës, në Adrianopojë dhe disa qytete për shkolla objekte fetare etj., duke u nderuar me tituj nga Patrikana Ekumenike. Edhe në zonën e origjinës, megjithëse ende nën pushtimin otoman, ai kontribuoi ndjeshëm, duke ngritur objekte kulti e laike. Në fshatin e tij, që e quante “vend të shenjtë të takimit me Zotin”, ngriti shkollën, kishat, Manastirin e Tërbuqit, ndërtime publike, rrugë, bibliotekë etj. Madje, për të ndihmuar në bashkëjetesën fetare, ai ndërtoi edhe teqen e Hormovës. Por, bamirësia e tij ka lënë gjurmë edhe në Zagori, Dhrovjar Përmet, Delvinë, Qeparo Filat etj. Tepër domethënëse për besimin e tij, është edhe vendi që i la në testamenti ndërtimit të kishave, pagesës së priftërinjve e psaltëve etj. Madje vetë zbatimi i testamentit, për zonën e lindjes, iu besua klerikëve.
Me rastin e 200 vjetorit të lindjes së tij, në Labovë u bë një përshpirtje dhe u zbulua një pllakë përkujtimore, ndërsa në Tiranë, në bashkëpunim me Komitetin Olimpik Shqiptar, shoqata “Odrija” organizoi një sesion jubilar, ku ishte i pranishëm edhe Kryepiskopi Anastas, i cili më pas pati një bashkëbisedim të ngrohtë me bashkëfshatarët e këtij bamirësi të shquar.
Mbishkrimi mbi varrin e bamirësit, në Bronshtein: “Këtu prehet mëkatari dhe shërbëtori i Perëndisë, ndërtonjës i kësaj kishe, Vangjel Zhapa…”
Th. Dh.