EmailFacebookKontakt

Axhenda të dyshimta në zemër të vendit tonë

Një rrezik i përfshirjes së çështjeve politike me sfond fetar

Zoti Jisu Krisht tha: “Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them: Ai që nuk hyn nga dera në vathën e deleve, por hipën nga tjetër vend, ai është vjedhës e kusar” (Ungjilli sipas Joanit 10:1).

Këto ditë u informuam përmes mediave televizive lokale dhe rrjeteve sociale për “vizitën” e papritur në qytetin e Elbasanit, të një personazhi sa enigmatik aq edhe qesharak, i prezantuar si “Kryepeshkopi i Rumanisë” i kalendarit të vjetër për të gjithë vllehtë në botë me emrin Vasic Moisije.

Personi në fjalë kryen një “ceremoni” fetare të çuditshme në qilarin e shtëpisë së mikpritësit të tij Nikolla (Bllazhde) Xhufka, që ky i fundit kërkon ta paraqesë si “kishë katakomb”, e në fund të saj, nën flamurin kombëtar të Rumanisë, varur në murin e shtëpisë, pretendohet se tashmë Nikolla është dorëzuar “prift” prej tij.

Një skenë e tillë do të ishte e përshtatshme për një komedi satirike, por fatkeqësisht gjithçka kryhet nën emrin e Orthodhoksisë dhe të simboleve të shenjta që Kisha jonë Orthodhokse i ruan me aq fanatizëm dhe i nderon me përkushtim. Gjithçka e paraqitur dhe kryer aty nuk ka asgjë të shenjtë dhe kanonike, përkundrazi, provokojnë vetëm indinjatë te besimtarët dhe kleri orthodhoks në Shqipëri.

Kleriku në fjalë, prezantuar si “Kryepeshkopi i Rumanisë”, i cili bën deklarata në gjuhën serbe, me flamurin e Rumanisë në sfond, si përfaqësues i vllehve dhe jep leksione atdhetarie për shqiptarët, është jo vetëm një ironi e tepruar, por sinjalizon dhe një rrezik të përfshirjes së çështjeve politike me sfond fetar dhe axhenda të dyshimta në zemër të vendit tonë, në qytetin e Elbasanit.

Shprehim keqardhjen tonë, që në këtë rrugë të gabuar dhe të rrezikshme është përfshirë i riu Nikolla (Bllazhde) Xhufka, i cili ka qenë për një kohë pranë Kishës sonë, ende pa mbushur moshën e duhur, pa arsimimin fetar, injoron dhe shkel katërcipërisht kanonet dhe rregullat e Kishës Orthodhokse, kërkon të prezantohet si klerik dhe prift orthodhoks!

Ju bëjmë me dije: besimtarëve orthodhoksë të Mitropolisë sonë të Elbasanit, Shpatit dhe Librazhdit, autoriteteve dhe institucioneve vendore, komuniteteve të tjera fetare dhe opinionit të gjerë publik, se Nikolla (Bllazhde) Xhufka nuk konsiderohet klerik dhe as prift nga Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë. Dorëzimi i tij konsiderohet i pavlefshëm dhe në kundërshtim të hapur me Kanonet e Kishës Orthodhokse.

Gjithashtu, u kërkojmë organeve kompetente ligjore dhe administrative, që ta shohin me shumë vëmendje këtë incident dhe të ndjekin, sipas kompetencave që u jep ligji dhe detyra, që fenomene të tilla të përçarjes me bazë nacionaliste, fetare dhe politike të merren seriozisht në konsideratë dhe të parandalohet përshkallëzimi i tyre.

Mbarëvajtja e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë nuk mund të jetë në dorën e një personi anonim dhe as të një aventurieri djaloshar, të cilët, për ambicie e delire personale, janë të gatshëm të përfshihen në lojëra dhe axhenda të rrezikshme me pasoja të rënda për Kishën dhe vendin tonë.

Mitropolia e Elbasanit, Shpatit dhe Librazhdit, drejtohet prej disa vitesh nga Imzot Andoni, një shqiptar i formuar me edukim fetar dhe të përgjithshëm, i cili me devocionin dhe përkushtimin e tij gëzon respektin dhe vlerësimin e besimtarëve dhe të komunitetit në Elbasan dhe në mbarë vendin. Përpjekjet për të përçarë Kishën Orthodhokse, edhe në këtë rast, me hirin dhe ndihmën e Zotit, do të dështojnë. Amin.

Elbasan, më 24 nëntor 2021