At gjenerues i hebrenjve dhe shembull i besimit (shek. XIX ose XVIII para Krishtit).
Sipas Gjenezës (kap. 11-25), së bashku me babanë Tharan dhe familjarët e tij u shpërngulën nga Uri për në Haran (qytete në Mesopotami). Atje, duke iu bindur verbërisht Zotit, braktis fisin e tij dhe tashmë 75-vjeçar merr shërbëtorët dhe kryesisht pasurinë e tij nomade dhe niset drejt së panjohurës me bashkëshorten e tij Sara (E Diela e Paraetërve, kur festohen edhe Melkisedheku dhe Isaaku, që përmenden më poshtë, si dhe përsëri Avrahami). E shoqëron Loti (festohet sot dhe të Dielën e Paraetërve), i biri i vëllait, Aranit.
Sara ishte motra e Avrahamit me tjetër nënë, nëse do shpjegojmë fjalë për fjalë vargun 20.12; por, nëse do ta shpjegojmë fjalën “motër” të vargut, si “anëtar shumë i afërm i familjes”, gjë që ndeshet jo rrallë, ajo ishte e bija e vëllait, Aranit, e cila quhej edhe Jeska (11.29).
Perëndia i premtoi Avrahamit se do ta bekonte atë dhe kombin e madh që do të rridhte nga ai, ashtu si, nëpërmjet pasardhësit të tij – Mesisë – gjithë botën!
Në Palestinë mëson se atje është atdheu i ri i tij. Por, për arsye zie buke shkon për pak kohë në Egjipt dhe bashkë me të edhe Loti. Atje, me këshillën e Avrahamit, Sara u shtir si motra e tij, që të mos vritej patriarku, për t’u marrë ajo nga Faraoni, sepse ishte e bukur. Perëndia e torturoi Faraonin, deri sa ai kuptoi dhe e ktheu tek bashkëshorti. Diçka e tillë u ndodhi edhe me mbretin e Filistisë, kur emigruan atje.
Pastaj u kthyen dhe banuan në Hebron, në jug të Jerusalemit, ku Avrahami ndahet nga Loti, që të mos kishin më konflikte mes barinjve të tyre. Madje, me dashamirësi i la atij rrethinat e gjelbëruara të Jordanit, të cilat ai i kërkoi.
Pas një lufte të egër të nëntë mbretërve, u kap rob edhe Loti me të tij të, por Avrahami me 318 njerëz të tij i çliroi nëpërmjet një sulmi të befasishëm natën. Duke u kthyer, bekohet nga mbreti i Jerusalemit dhe njëkohësisht prift, Melkisedheku, të cilit Avrahami i dhuron plaçkë lufte.
Sara, meqë ishte shterpë, i dha Avrahamit për t’i bërë shoqëri skllaven e saj egjiptiane Agara, me qëllim që biri që ajo do të lindte, d.m.th. Ismaili, të konsiderohej si biri i Sarës. Por Sara më vonë pati zili për të dhe e keqtrajtoi.
Gjatë një prej shumë theofanive (shfaqje të Perëndisë), i Larti bëri “marrëveshje”, besëlidhje me të drejtin. I ndryshoi atëherë emrin nga Avram (hebraisht = at i lartë), siç quhej deri atëherë në Avraham (= at shumice) dhe e siguron se do të lartësohet si gjenerues i një kombi nëpërmjet Sarës. Madje ndryshon edhe emrin e saj nga Sara (etimologjia është e paqartë), në Sarra (= hegjemone, pra emri Sarra me “rr” është më korrekt).
Kështu, kur Avrahami ishte njëqindvjeçar gruaja i lindi Isaakun, siç i kishin paralajmëruar tre engjëj – Njësia Trinisore, Perëndia! Domethënë, kur ai i mikpriste u fliste në njëjës, megjithëse u drejtohej të treve dhe, për më tepër, i përgjigjeshin si të ishin një! Sara, kur i kishte dëgjuar duke i thënë burrit të saj, se ajo do të lindte – megjithë 90 vitet e saj – qeshi fshehtaz, me mosbesim… Por, Trinia e tejshikoi dhe ajo e frikësuar e mohoi këtë. Ndërkaq u bë nënë!
Më vonë, kur ajo pa Ismailin të lozte si i barazvlershëm me Isaakun, i kërkoi Avrahamit me këmbëngulje dhe e dëboi bashkë me nënën e tij, shemrën e Sarës. Me këtë kishte rënë dakord edhe Perëndia, sepse vërtet edhe Ismaili do të bëhej gjenerues (i ismailitëve, agarinëve), por populli i zgjedhur do të rridhte nga Isaaku.
Sara fjeti 127 vjeçe në Hebron dhe Avrahami e varrosi në “shpellën e dyfishtë”, që ishte në një arë, të cilën e bleu nga vendasit hititë.
Avrahami kishte nga gra të tjera të rangut të dytë edhe bij të tjerë, të cilëve pasi u dha para, i dëboi. U vu në provë pozitivisht kur Sabaothi i kërkoi që të therrte (gjoja), për flijim Isaakun! Vdiq 175 vjeç dhe u varros në Hebron, pranë Sarës. Gjiri i tij simbolizon lumturinë qiellore (Luk. 16.23).
Sipas Gal. 4.22-31, skllavja Agara parafiguron Dhiatën e Vjetër, ndërsa Sara e lirë, Dhiatën e Re dhe theksohet veçanërisht farefisnia shpirtërore dhe jo trupore me Avrahamin.
At Justini