EmailFacebookKontakt

Ava Evagrio

Ava Evagrio tha: “Ndërkohë që rri në qelinë tënde, mblidh mendimin tënd. Kujto ditën e vdekjes. Shiko ahere vdekjen e trupit. Ndje këtë dhimbje të madhe. Prano mundin. Kupto kotësinë e botës. Ashtu do të mund të mbetesh gjithmonë në prirjen e qetësisë dhe nuk do të sëmuresh. Kujto edhe çfarë ndodh tani në Ferr. Mendohu si janë aty shpirtrat, në çfarë heshtje të tmerrit të skajshëm, në çfarë psherëtime të stërlodhur, në çfarë frikë, agoni dhe pritje. Dhimbjen e pandërprerë. Lotin shpirtëror dhe të paprerë. Po kujto ditën e Ngjalljes, ku do të qëndrojmë përpara Perëndisë. Imagjino atë hap të tmerrshëm dhe të frikshëm. Sill ndër mend çfarë i pret ata që mëkatojnë. Turpin e madh përpara Perëndisë dhe engjëjve, edhe kryeengjëjve dhe gjithë njerëzve. Dënimet, zjarrin e përjetshëm, krimbin e pafjetshëm, acarin, terrin, kërcitjen e dhëmbëve, frikën dhe vuajtjen. Mendo tani edhe të mirat që presin të drejtët, gojën e lirë që do të kenë te Perëndia dhe Ati, edhe te Krishti, të engjëjt dhe kryeengjëjt, edhe te Kuvendi i Shenjtorëve, Mbretërinë e Qiejve dhe gjithë të mirat e saj, gëzimin dhe shijimin e tij. Sill në kujtesën tënde edhe të parat edhe të dytat. Derdh lot edhe për dënimin e mëkatarëve, mba zi, me frikën se mos gjendesh edhe vetë në vendin e tyre. Për ato që presin të drejtët, të gëzohesh dhe të ngazëllohesh. Kështu, kujdesu të shijosh këto dhe t’u largohesh të tjerave. Përpiqu të mos humbasësh kujtimin e tyre kurrë, qoftë kur gjendesh brenda qelisë, qoftë diku jashtë. Kështu, duke kujtuar ato, do të shmangësh mendimet e ndotura dhe të dëmshme.”