EmailFacebookKontakt

Shën Grigor Theologu

Ishte fryt i shën Grigorit, episkopit të Nanzianzit në Kappadoki të Azisë së Vogël (1 janar) dhe i shën Nonës (5 gusht), më vonë hallë e shën Amfillohit episkopit të Ikonisë (23 nëntor). Çifti nuk lindte fëmijë për shumë vjet, por falë lutjeve të bashkëshortes lindën shën Gorgoninë (23 shkurt), shenjtorin tonë Grigorin dhe shën Kesarion (9 mars). Grigori u lind në vitin 328 në Arianzo, afër Nanzianzit të Kapadokisë. I ndjeshëm dhe poetik studioi filologji dhe retorikë në Çezari, Aleksandri dhe Athinë (350-359) ku u shpall nga studentët profesor. Kur u kthye në Nanzianz u pagëzua dhe jipte mësime retorike, por duke qënë “teoricien”, misticist, i lë të gjitha, siç do të bëjë edhe në vazhdim, për t’u bërë në v.360 asket në Pont, me shën Vasilin e Madh (1 janar). U kthye shpejt dhe bindi babain e tij shumë të moshuar filoarian të kthehej në besimin e vërtetë dhe e merr për ndihmës, duke e hirotonisur prift (361 ose 362). Por vitin tjetër shkon sërish te miku i tij, i cili e bindi të kthehej dhe të ndihmonte babain e moshuar. Në v.370, duke iu bindur të atit, shkoi në Qezari dhe kontribuoi në hirotoninë e Shën Vasilit, i cili e bëri në v.372 me zor episkop të Sasimit, fshat i vogël, por nevralgjik. Grigori e vizitoi, por nuk meshoi. Në v.374 fjeti episkopi i Nanzianzit dhe Grigori, që të mos ia ngarkonin atij episkopatën, iku në manastir, ku qëndroi deri sa sinodhi i mbledhur në Antioki e dërgoi në Konstandinopojën e atëhershme ariane. E ribëri Orthodhokse për dy vjet (!) me fjalët e tij teologjike në kishën e vetme që në fillim orthodhokse “Anastasia” (d.m.th. ngjallja e besimit). I trishtuar nga një komplot kundër tij, organizuar nga një njeri të cilin e kishte ndihmuar u largua, veçse lotët e njerëzve e sollën prapë. U shpall zyrtarisht Kryepiskop i Konstandinopojës (v.381) nga Sinodhi i Dytë Ekumenik, të cilin e drejtoi ai. Ndërkohë si diplomat i ngathët shkaktoi reagime. Kështu, për çudinë e gjithë Sinodhit dha dorëheqjen, përshëndeti grigjën e vet në mënyrë prekëse me fjalën e tij përmbledhëse dhe u tërhoq në vendlindjen e tij, ku fjeti në v.391. Kremtohet në 25 janar dhe në 30 janar; në 19 janar kremtohet transferimi i lipsanit të tij në Konstandinopojë. Koka ruhet në Mal të Shenjtë, ndërsa trupi afër Kavallës në Greqi (ose në Romë, nëse në Kavallë është trupi i të atit). Ishte më letrari ndër Etërit dhe i ruhen 45 fjalime, 240 letra, 17.000 vargje, si dhe fjalimi i përmortshëm para kufomës së të atit, në prani edhe të Vasilit të Madh. Gjithashtu ai mbajti edhe dy fjalime të përmortshëm për dy vëllezërit e tij. Në mënyrë origjinale ai predikoi për Triadhën e Shenjtë dhe ndikoi mbi himnshkrues dhe dogmatikë.

At Ju.