EmailFacebookKontakt

I këndoi Perëndisë deri në fund të jetës

Në Myzeqe të gjithë e njohën dhe e çmuan për veprën e tij të mirë, një njeri që jetoi duke lëçitur fjalën e Perëndisë. Ky ishte besimtari Mina Prifti, i cili lindi më 1916 në Matkëz, në një fshat afër Manastirit të Shenjtë të Shën Kozmait.

Kur ishte i vogël prindërit e merrnin në kishë për çdo të kremte. Dalëngadalë në shpirtin e Minait zuri vend dashuria për Perëndinë. Krahas punëve të shumta në familje ai nuk mungonte të shkonte në kishat dhe manastiret e zonës së Myzeqesë, Vlorës, Beratit.

Me krijimin e fermës “Çlirimi” punoi si marangoz në sektorin e Semanit. Pas punës, tregojnë shokët, xha Minai shkonte nëpër kishat e zonës kur kishte darka të kremte. Të dielave shkonte në kishën e Fierit. Aty, duke parë zërin e tij të fuqishëm dhe të pastër, prifti i kishës, i nderuari dhe i respektuari Papa Lizoj, e merr si psalt. Si psalt xha Minai shërbente edhe në Manastirin e Shën Kozmait, kur kishte të kremte më 24 gusht. Me zërin e tij ai i bënte për vete besimtarët e panumërt. Ndërsa në punën shtetërore, disa flamurtarë të ateizmit filluan ta tallnin, ta përbuznin, duke e quajtur të lajthitur, të marrë, për shkak të përkushtimit të tij tek Perëndia.

Mbyllja e kishave më 1967 dhe fillimi i natës polare ateiste krijoi një zbrazëti, por nuk e largoi nga shpirti i xha Minait besimin tek Perëndia. Kështu, njerëz dashakeq raportonin tek organet e sigurimit, se Minai po merret me propagandë fetare, por u thoshin se nuk merreshin me një “të çmendur”. Minai, kur ulej e bisedonte me njerëzit, bënte kryqin në tokë me një copë shkop dhe kur mundte u fliste për mrekullitë e Perëndisë, për gjithë veprat që kishte bërë për njerëzit mbi tokë, për profecitë e Shën Kozmait etj.

Në vitin 1981 vendoset me banim në Mujalli. Aty fshati e shihte me një sy të mirë. Edhe në natën polare ateiste xha Minai shkonte në Manastirin e Shën Kozmait, ku lutej në heshtje. Me dyllë blete bënte qirinj që i ndizte për të kremtet dhe Pashkët. Në Javën e Madhe dëgjonte stacionet e huaja radiofonike që psalnin.

Mezi e priste që të agonte ringjallja e besimit. Dhe dita u gdhi. Më 24 gusht të vitit 1990 shkon në manastirin e Shën Kozmait, ku lutet me zë të lartë e të pastër, si 25 vjet më parë.

Më 7 prill 1991 psali për herë të parë në Liturgjinë Hyjnore, po në Manastirin e Shën Kozmait në Kolkondas, ku Pashkët u festuan në ditë me diell. Më 23 prill 1991 psali në tribunën e improvizuar të kishës së Fierit, e cila qe shembur më 1967. Më 24 gusht 1991 psali kur erdhi Kryepiskopi Anastas dhe në kishë qenë grumbulluar besimtarë të panumërt.

Nuk mungonte asnjëherë në ditët e diela në kishën e Shën Gjergjit, Fier, Manastirin e Ardenicës, Pojan etj. Më 1991 i thanë që të merrte përsipër detyrën e priftit, por nuk e pranoi dhe tha: “Unë kam qenë një besimtar i Perëndisë, një shërbëtor i bindur që i kam kënduar me psalme Perëndisë. Kështu dua të jem deri në vdekje.

Ai në dhomën e vet ruante librat e shenjtë, shënimet, qirinjtë që ndriçonin ikonat. Edhe pse i sëmurë, i ndiqte të gjitha festat e mëdha të kishës në të gjitha kishat e Fierit, Vlorës, Lushnjës Beratit. Kishte njohje me at Kozma Qirjo, At Ilia Zaka, At Ilia Bita, At Konstandin Doko etj. Të gjithë e njihnin si njeri të përkushtuar e të ndershëm. Fjeti më 23 janar 2002, pas një sëmundjeje, në moshën 86-vjeçare. U varros me nderime në varrezat e Manastirit të Shën Kozmait.

K. Dino