Muajin e kaluar vdiq në moshën 82-vjeçare prof. Dhimitër Beduli, një nga teologët e mëdhenj të KOASH-it dhe një nga aktivistët më të gjallë e më produktivë për zhvillimin dhe lartësimin e Orthodhoksisë shqiptare. Veprimtaria e tij karakterizohet nga disa tipare të veçanta; nga një përkushtim i rrallë ndaj Kishës, nga pasuria e larmia e kontributit dhe nga kohëzgjatja e saj e madhe, plot gjashtëdhjetë vjet, nga rinia deri në pleqëri një jetë e tërë, duke milituar përkrah teologëve të tjerë të nderuar, klerikë dhe laikë, për përparimin dhe lulëzimin e KOASH-it.
Natyrisht, që në një artikull gazete mundesh të ndalesh veçse kalimthi dhe në disa momente kryesore të jetës dhe veprimtarisë së tij, e cila është aq e pasur, e gjerë dhe e larmishme, sa që meriton të bëhet, në shenjë respekti dhe mirënjohjeje, objekt i një monografie nga brezi i ri i klerit dhe i theologëve, të cilit ai iu kushtua me shumë dashuri dhe përkujdesje.
Duke kthyer vështrimin prapa në kohë, mendoj se ishte një fat i madh për Kishën, që, në vitet para e pas shpalljes së Autoqefalisë, të militonin në gjirin e saj theologë dhe intelektualë të zotë, si prof. Beduli me shokë. Sa u kthye nga studimet e larta për theologji në Rumani, të cilat i mbaroi me rezultate të shkëlqyera, u emërua drejtor i seminarit “Shën Pavli” në Tiranë, detyrë tepër e rëndësishme, por edhe me përgjegjësi të madhe, sepse i besohej përgatitja dhe formimi i brezit të ri të klerit të ulët. Por ai, me horizont të gjerë dhe me kulturë, arriti të sigurojë një zgjidhje optimale. Në marrëveshje me Ministrinë e Arsimit të kohës seminaristët vazhdonin paradite Gjimnazin e Tiranës, për t’u pajisur me konvikt e mencë. Në mungesë të kuadrit pedagogjik të specializuar për lëndët fetare, atij iu desh të mbulonte disa lëndë, përfshirë edhe muzikën kishtare bizantine. Për fat të keq, seminari i konceptuar dhe realizuar si më sipër, u mbyll për shkak të luftës dhe një pjesë e nxënësve u dërguan jashtë shtetit, sidomos në Rumani.
Veprimtaria e prof. Dh. Bedulit për zhvillimin dhe lulëzimin e KOASH-it do të gërshetohej me aktivitete të tjera, në fushën e përkthimeve e të botimeve. Në këtë kuadër, do të përmendim shndërimin e të përjavshmes së Kishës “Predikimi”, në revistë të përmuajshme “Jeta Kristiane”, kryeredaktor i së cilës ishte vetë ai. Kjo revistë, me nivelin e saj të lartë intelektual e fetar, do të luante një rol të rëndësishëm në ngritjen e nivelit theologjik të klerit, të intelektualëve dhe të anëtarëve të komunitetit orthodhoks. Botimi i saj u prit me gëzim e kënaqësi, sepse mbushte një boshllëk të ndjeshëm.
Krenar për lashtësinë e Krishtërimit në Shqipëri, prof. Beduli ishte i pari studjues shqiptar që ndriçoi historinë e KOASh-it në shekuj. Në trevat e Ilirisë ka predikuar apostulli i madh i kombeve PAVLI, i cili në letrat e tij thotë se në udhëtimet misionare për predikimin e Ungjillit kishte ardhur deri në Iliri. Pra, krenar për lashtësinë e krishtërimit të mirëfilltë në Shqipëri e për të ndërgjegjësuar masën e besimtarëve orthodhoksë për këtë trashëgimi apostolike, ai u bë hulumtuesi i parë i historisë së Kishës me tekstin: “Historia e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë deri në vitin 1944”, vepër që, me interesimin e Kryepiskopit Anastas mundi të shohë dritën e shtypit, veç në vitin 1992. Aty përshkruhen episkopatat e mitropolitë e Ilirisë në kohën e perandorive romake e bizantine; flitet për përpjekjet që kanë bërë patriotët e mëdhenj orthodhoksë për futjen e gjuhës shqipe në shërbesat kishtare, si hieromonaku Kostë Beratasi, Theodhor Haxhifilipi (Dhaskal Todhri), Naum Veqilharxhi, Grigor Gjirokastriti, Kostandin Kristoforidhi, Mihal Grameno etj; flitej mbi përpjekjet për realizmin e autoqefalisë; për hierarkët e mëdhenj të Kishës Autoqefale: episkopë, mitropolitë e kryepiskopë; për manastiret e vendit tonë, me kishat e tyre shekullore monumente me vlera artistike të paçmuara etj.
Gjithashtu, veprimtaria intelektuale e prof. Dh. Bedulit (theologjike, pedagogjike, studimore dhe publiçistike) pleksej edhe me veprimtarinë praktike kishtare. Çdo të diel dhe të kremtet e vitit atë do ta gjejë në kishë në rolin e psaltit, mjeshtri të cilën ai e zotëronte në mënyrë të përsosur, si askush tjetër. Me zërin e tij të bukur dhe kumbues, ai i jepte meshës hyjnore një rezonancë bizantine.
Pas çlirimit të vendit, falë kulturës e prestigjit si intelektual me zë u emërua profesor në Gjimnazin e Tiranës, ku dha biologji për disa vjet. Më pas u caktua ekonomist e më vonë shef plani në Uzinën Mekanike të Tiranës, ku punoi deri sa doli në pension. Këtu, falë aftësive të tij në organizimin e punës, përkushtimit në detyrë, korektesës, fitoi respektin e dashurinë e punëtorëve. I tillë ishte profesor Dh. Beduli shkëlqente kudo që punonte!
Po, a mund ta harronte ai Kishën, duke u integruar në jetën civile të shoqërisë komuniste? Kurrsesi! Në fshehtësinë më të madhe, si në kohën e persekutimeve kundër kristianëve nga perandorët paganë të Romës, ai u gjendej pranë besimtarëve orthodhoksë në raste të caktuara. Bashkë me një prift të zhveshur, larg turmës që asistonte në ceremoninë e varrimit, ata pëshpërisnin lutjet e përmortshme për të ndjerin, sipas riteve orthodhokse…
Pas triumfit të demokracisë kishat e xhamitë u hapën, por çdo gjë ishte rënuar nga themelet, objektet e kultit dhe kleri. Në kushtet e varferisë së përgjithshme ishte e pamundur ringjallja e tyre pa ndihmën nga jashtë. Dhe bota na u gjend pranë. Në krye të grupit iniciator për ringjalljen e KOASH-it u vu prof. Dh. Beduli, aktivist i madh, i palodhur dhe i devotshëm i Kishës. Sytë dhe shpresat u drejtuan nga diaspora e SHBA, si në të kaluarën, por me këtë radhë nuk u dërguan as klerikë për të drejtuar ringjalljen e Kishës as ndihma financiare për rimëkëmbjen e objekteve të kultit. Në këto kushte, u kërkua ndihma e Patriarkisë Ekumenike të Kostandinopolit, me qendër në Fanar të Stambollit. Me miratimin e udhëheqjes së lartë të shtetit erdhi në Shqipëri një hierark i lartë grek. Prof. Dr, hirësia e tij episkopi Anastas Janullatos, figurë e madhe e Orthodhoksisë, personalitet presigjioz në mbarë krishtërimin. Prof. Dh. Beduli u bë krahu i djathtë i tij dhe më vonë miku i tij i madh. Kisha, si zogu Feniks në mitologji, nisi të rilindë nga hiri i vet.
Ndihma e këshilltarit, i cili njihte realitetin e vendit të vet me shumë besime fetare, mentalitetin, zakonet dhe psikologjinë e popullit të vet, ia lehtësuan shumë punën Kryepiskopit për kapërcimin e vështirësive dhe pengesave objektive e sidomos, subjektive, shumë të sajuara se sa reale, për ringjalljen e përgjithshme të Kishës.
I lumturuar që arriti ta shohë përsëri Kishën të ringjallur, Prof. Dh. Beduli iu rikthye punës pedagogjike me hov djaloshar në seminarin e Durrësit, i gatshëm për të dhënë mësim, në mungesë të kuadrit, në të gjitha disiplinat; iu kthye veprimtarisë publicistike, duke marrë përsipër barrën e drejtorit të gazetës “Ngjallja”, duke përgatitur vetë ose duke përkthyer broshura për kurset e katekizmës. Kryepsalti i dikurshëm u kthye përsëri në vendin e vetë në kishë dhe të gjithë kujtojnë jo vetëm psaltiqinë e tij të bukur, por edhe recitimin bashkë me popullin të lutjeve madhore “Ati ynë që je në qiell” dhe “Simboli i Besimit”. Një kujdes të veçantë ai i kushtoi rikthimit të librave të shërbesave kishtare të përkthyera nga Imzot Noli. Në shtyp u bë një zhurmë e madhe sikur po bëhej një sakrilegj, po cënohej nga “peshkopi grek” trashëgimia e paprekshme e Imzot Fan Nolit. Por kjo ishte një punë vetëm e Dh. Bedulit. Si njohës kompetent i greqishtes së re dhe të vjetër si dhe i terminologjisë kishtare, ai kishte konstatuar me kohë gabimet në librat e shërbesave e këtë gjë ia kishte vënë në dukje Fan Nolit në një letër pas çlirimit dhe në letrën e përgjigjes së Fan Nolit, ai e quan të drejtë kritikën që i bëhet. Çfarë u mbetet këtyre kritizerëve të sëmurë, përveç turpit që dezinformojnë opinionin publik?
Për kontributin e tij shumëvjeçar, të madh dhe të rëndësishëm, për lartësimin e Orthodhoksisë në Shqipëri, para e pas çlirimit dhe për ringjalljen e KOASh-it pas triumfit të demokracisë, përkrah Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit Anastas, Patriku Ekumenik Vartholomeu I e nderoi, vitin e kaluar, prof. Dh. Bedulin me “Arhond-Mësues i Ungjillit”. Kjo dekoratë e lartë e Patriarkisë Ekumenike ishte shpërblimi moral më i lartë që i bëhej veprimtarisë dhe kontributit të tij të madh për lulëzimin e Orthodhoksisë në Shqipëri. Gëzimi, kënaqësia dhe krenaria e tij ishin të pashlyeshme.
I përjetshëm qoftë kujtimi!
1 shkurt 1996
Teodor Papapavli