EmailFacebookKontakt

Danili dhe vegimi i Nabukodonosorit

Faqja e fëmijëve

Danili dhe vegimi i Nabukodonosorit

Të dielën para Krishtlindjeve kremtojmë kujtimin e të gjithë atyre, të cilët, që nga fillimi i botës kishin jetë të pëlqyer tek Perëndia, nga Adami tek Josifi (kujdestari), gjithashtu edhe profetët.

Ky katalog gjenealogjik i Krishtit ka rëndësi të madhe për shpëtimin tonë. Të gjithë këta breza njerëzish që lidhen dhe marrin pjesë në këtë vepër të shenjtë të historisë, kanë një rol të rëndësishëm. Kemi dy tabela gjenealogjike të Zotit që përmenden në Ungjill:

1- Sipas Matheut 1:1-35, që nis nga Avraami deri tek Josifi (kujdestari)

2- Sipas Llukait 3:23-38, që nis nga Josifi dhe mbërrin tek Adami dhe Perëndia (e kundërta).

Në këtë pemë gjenealogjike të Krishtit përmenden njerëz të drejtë, shpresëtarë dhe me virtyte, si Avraami, Isaaku, Jakovi me gjithë familjet e tyre, si edhe profetët dhe gjykatësit, por kishte dhe njerëz me shumë mëkate, që ndoshta ne i quajmë të papërshtatshëm t’i vëmë në këtë pemë gjenealogjike të Krishtit. Përmendja e tyre nga ungjillorët bëhet për arsye pedagogjike dhe siç thotë Shën Joan Gojarti bëhet për të na mësuar të mos justifikojmë mëkatet tona, sepse kishim stërgjyshër të mëkatshëm me jetë të keqe dhe në të kundërt të shohim se kjo pemë mëkatare nxori njerëz kaq të shenjtë; në fillim të Tërëshenjtën e pastaj Krishtin. Midis paraardhësve të Krishtit, sot do të veçojmë dhe do të qëndrojmë në figurën e shenjtë të profetit Danil.

Shumë vjet para lindjes së Krishtit, në një qytet shumë të dëgjuar, në Babiloni, jetonte një mbret, që quhej Nabukodonosor. Një ditë mbreti mblodhi në pallatin e tij të gjithë dijetarët dhe magjistarët e Babilonisë. Në zemrat e të gjithëve ekzistonte një ankth. Pse mbreti i ftoi kaq papritur? Në atë çast u hap dera e madhe e hyrjes mbretërore dhe brenda hyri Nabukodonosori i veshur me stoli të arta, i shoqëruar nga suita e tij, oborrtarët dhe shërbëtorët. Fytyra e tij e ngrysur shprehte një shqetësim të brendshëm. Dukej sikur një e keqe e madhe e kishte pllakosur. Të gjithë u shqetësuan, kur e panë ashtu. Prisnin me ankth atë që do t’u thoshte. Më në fund Nabukodonosori tha:

– Ju ftova që të më shpjegoni një ëndërr të çuditshme. E pashë mbrëmë dhe tani dua të ma shpjegoni patjetër.

– Cila është ëndrra jote, mbret jetëgjatë? – e pyetën dijetarët. – Thuaje ëndrrën tënde dhe do të mundohemi të ta shpjegojmë!

– Nuk e mbaj mend ëndrrën që pashë. Më kujtohet vetëm se pashë një ëndërr të çuditshme, e cila më trembi e më zgjoi. Duhet të ma shpjegoni patjetër.

– Por, nuk ekziston njeri mbi dhe që të të zbulojë se ç’ëndërr pe, o mbret! – guxuan e thanë dijetarët. – Kurrë deri më sot në jetën tonë nuk na ka kërkuar njeri t’i shpjegojmë ëndrra që nuk i mban mend! Na thuaj, ç’ëndërr pe, që të ta shpjegojmë!

Nabukodonosori ishte nga ata njerëz që nuk u bindej fjalëve, ndaj u egërsua, u mbush me zemërim dhe thirri fort:

– Bëni atë që ju thashë unë! Po ju vë një afat dhe nëse nuk e gjeni e nuk ma shpjegoni, do të jap urdhër që t’ju vrasin të gjithëve. Por, nëse e gjeni, do t’ju jap nderë, lavdi e madhështi. Do t’ju bëj zotërinj në mbretërinë time.

Dijetarët dhe magjistarët u larguan të trembur nga pallati. E dinin ç’i priste. Dhe vërtet, sapo afati mbaroi, filluan ekzekutimet. Asnjë prej tyre nuk kishte mundur të kënaqte kërkesën e marrë të mbretit, ndaj duhej të zhdukeshin. U skuqën shpatat e xhelatëve, u skuqën edhe rrugët e Babilonisë. Ushtria e mbretit kërkonte dijetarët për t’i zhdukur. Të gjithë do ishin therrur, nëse nuk do të ishte një djalë i ri, që quhej Danil. Ishte një nga profetët e mëdhenj të Dhiatës së Vjetër dhe një nga figurat më të rëndësishme të historisë së judejve. (Ne e kremtojmë si shenjt më datë 17 dhjetor.) Danili ishte hebre, skllav i babilonasve. Punonte në pallatin e Nabukodonosorit. Jetonte bashkë me tre miqtë e tij: Ananian, Azarian dhe Misailin.

Danili mësoi ç’po ndodhnin. Mësoi se kaq njerëz thereshin kot dhe u paraqit tek mbreti. Kërkoi një takim. I premtoi mbretit se brenda një afati të caktuar, do t’i thoshte dhe do t’i shpjegonte ëndrrën.

Danili ishte njeri i Perëndisë, kishte ndriçimin e Tij. Mund të hynte thellë në zemrën e tjetrit dhe të zbulonte sekretet dhe të fshehtat. Mund të profetizonte për të ardhmen e të shpjegonte edhe ëndrrat më të vështira. Pasi u paraqit tek mbreti dhe e bindi të ndërpriste gjakderdhjen e kotë, u largua së bashku me tre shokët e tij besnikë. Iu lutën Perëndisë, të gjunjëzuar t’u zbulonte ëndrrën e Nabukodonosorit. U lutën me përkushtim e me besim. Perëndia ua zbuloi.

Danili shkoi përsëri tek mbreti.

– Mbret, – i tha, – do të të them se ç’ëndërr pe. Një ëndërr e çuditshme është. Dëgjomë!

Një statujë doli para teje. Ishte një statujë e lartë, shumë e lartë që arrinte deri në qiell dhe kishte përmasa gjigande. Por, përveç përmasave dhe lartësisë së madhe, statuja ishte ndërtuar prej materialesh të ndryshme. Kokën e kishte prej ari; duart, gjoksin dhe krahët prej argjendi; barkun prej bakri, kërcinjtë prej hekuri, ndërsa këmbët prej hekuri dhe balte. Kjo statujë ngjallte frikë e tmerr. Ishte një përbindësh i vërtetë. Kjo është ëndrra që pe, o mbret. A nuk është kështu?

– Po! Po! Të lumtë, e gjete! Kështu ishte ëndrra që pashë. U drodha tani, që ma kujtove. Të lumtë, biri im!

– Por nuk mbaroi ëndrra, mbret. Dëgjo edhe vazhdimin. Kur ti shikoje i çuditur statujën, një guriçkë e vogël u shkëput nga një mal pranë dhe me forcë goditi statujën gjigante. Ajo ra menjëherë në tokë. Ari, argjendi, hekuri dhe e gjithë statuja u shndërrua menjëherë në pluhur. Por, diçka tjetër edhe më e çuditshme, ndodhi. Guriçka e vogël që u shkëput nga mali, filloi të rritej. U rrit, u rrit, u rrit derisa u bë një mal i lartë, madhështor, i cili mbuloi gjithë qytetin.

– Kjo, o mbret, është ëndrra që pe dhe që të trembi aq shumë.

– Po, kjo është, – tha Nabukodonosori dhe sikur iu largua hija e dëshpërimit. U çlirua prej ankthit të madh. Por, pas pak, u ngrys përsëri. Pse? Nabukodonosori donte që Danili, jo vetëm t’ia rikujtonte ëndrrën, por edhe t’ia shpjegonte. Danili ia shpjegoi, por Nabukodonosori u mërzit akoma më shumë. Cili ishte shpjegimi? Dëgjoni dhe do të kuptoni, pse u mërzit mbreti i fuqishëm.

Statuja e madhe që kishte parë në ëndërr simbolizonte mbretëritë e mëdha të botës. Ari ishte mbretëria e Nabukodonosorit, e cila ishte e madhe dhe e lavdëruar, dhe pas saj vinin edhe mbretëri të tjera, të argjendta etj.

Dhe ja, një ditë, u shfaq kjo guriçkë e vogël. Ishte dikush që në fillim askush nuk i jepte rëndësi. E mënjanuan të gjithë, por Ai i mposhti tërë mbretëritë e botës. Do të mbretërojë përgjithmonë Ai, i Cili si një guriçkë u paraqit në ëndrrën e mbretit. Mbretëria e këtij Mbreti nuk do të mbarojë kurrë, por do të ekzistojë gjithmonë në jetë të jetëve.

Sapo Danili mbaroi këtë shpjegim, mbreti e pyeti:

– Cili është ky mbret?

– Kjo do të shfaqet në të ardhmen, – iu përgjigj Danili.

* * *

Cili ishte ky mbret? Kjo pyetje, për të cilën mbreti Nabukodonosor nuk mori përgjigje, për ne është zgjidhur. E çuditshme ëndrra e mbretit! Por për ne besimtarët e krishterë, ka një rëndësi të veçantë. Dëgjoni se ç’nënkupton ajo. Statuja e Nabukodonosorit simbolizonte, siç e shpjegoi dhe profeti Danil, mbretëritë e ndryshme të botës. Pas shtetit të Babilonisë u formuan shtete të tjera. P. sh. shteti i persëve, shteti i Aleksandrit të Madh, shteti romak etj., por në një çast të historisë, nga mali u shkëput një guriçkë. Cila është kjo guriçkë? Është Zoti ynë Jisu Krisht.

Krishti, fëmijë, u paraqit si një guriçkë e vogël, e dobët. Pa kujtohuni. Këto ditë do të kremtojmë Lindjen e Tij. Ai, që është Perëndia i Gjithëfuqishëm, Krijuesi i botës, si lindi? Lindi si një foshnjë e vogël dhe e dobët. Lindi brenda një shpelle të papastër dhe me lagështirë, lindi tek një grazhd. Kush mund ta imagjinonte, se sa e fuqishme ishte ajo Foshnjë e vogël dhe e dobët, zëri i së Cilës dëgjohej në grazhdin e kafshëve. Megjithatë, kjo Foshnjë ishte vetë Perëndia, që fshihte brenda Tij gjithë Fuqinë Hyjnore. Është Personi i dytë i Trinisë së Shenjtë.

Krishti erdhi në botë i dobët dhe i parëndësishëm. Vitet kaluan, Foshnja e vogël dhe e dobët e Vithleemit u shfaq dhe tregoi, se ishte fuqia më e madhe në botë. Emri i Tij u bë i njohur kudo. Pushteti i Tij është i pakufishëm. Gjithçka mund të bëjë Krishti, çdo gjë është e mundur për Të. Krishti është Mbreti më i Fuqishëm. Ai shkatërroi mbretëritë e botës. Ai shkatërroi pushtetin e djallit e të Vdekjes.

I Gjithëfuqishëm është Krishti ynë.