– Askush nuk ka të drejtë të flasë në emër të besimtarëve orthodhoksë të Republikës së Shqipërisë përveç përfaqësuesve të zgjedhur demokratikisht nga vetë ata –
– Përgjigje intervistës me z. Nika Kirka, botuar nga gazeta “Republika” e datës 22.4.1993
Ju drejtojmë këtë përgjigje me keqardhjen që përsëri ju i vini faqet e gazetës suaj në shërbim të atyre që kërkojnë dobësimin e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Aq më tepër kur kjo bëhet nga persona privatë, të cilët përpiqen t’i veshin vetes atribute që askush nuk ka ëndërruar t’ua japë. Ndaj, detyrohemi të përgjigjemi, jo për qejfin e zotit Kirka, por sepse “argumentet” e tij i kemi dëgjuar, identike, edhe në raste të tjera, nga persona apo grupe që i shqetëson mbarëvajtja e Kishës sonë. Shtrojmë për njohje sa më poshtë:
Së pari, të flasësh në emër të gjithë orthodhoksëve shqiptarë të Amerikës na duket një pretendim i madh, po të kihet parasysh se ata nuk përbëjnë një entitet të vetëm. Por edhe po të marrim si shembull kishat e drejtuara nga At Liolini, që varet nga kryepiskopata e Kishës Orthodhokse Amerikane, dhe nga një mitropolit ruso-amerikan, shumë besimtarë, të ardhur kohët e fundit në Shqipëri, kanë shprehur mbështetjen për punën e bërë dhe për kryepiskopin Anastas. Janë pikërisht këta persona, që privatisht kanë dhënë mjaft ndihma për Kishën, e cila ka nevojë sot për gjithçka dhe jo zoti Kirka me shokë, që vënë shkopinj në rrota dhe “predikojnë” se mund të ndërtohen katedrale me thërrime.
Së dyti, në intervistë quhet e kërcënuar autoqefalia e Kishës Orthodhokse Shqiptare, në një kohë që realiteti dëshmon të kundërtën. Praktikisht nga hiçi, tanimë kisha jonë ka krijuar një strukturë organizative të plotë, me këshillat e zgjedhura në çdo dioqezë, me në krye Këshillin e Përgjithshëm, me 14 pjesëtarë, nga të cilët 13 janë shqiptarë, ku bënë pjesë 8 priftërinj si At Jani Trebicka, përfaqësues i përgjithshëm arqihieratik, i cili i përket brezit të ri të priftërinjve, apo më të vjetrit, si Papa Gaqi, Papa Kristo, Papa Kozmai etj. Tashmë Kisha jonë ka rreth 50 klerikë, nga 11 që kishte në fillim të ringjalljes së saj. Ndërsa po të shohim seksionin amerikan të drejtuar nga At Liolini, në 13 priftërinj vetëm 5-6 janë shqiptarë, që dëshmon për paaftësi në përgatitjen e kuadrit të ri dhe rrezikim të perspektivës.
Së treti, zoti Kirka, por edhe disa të tjerë si ai, të ardhur nga jashtë, flasin e sillen sikur orthodhoksët e Republikës së Shqipërisë janë të paaftë të kuptojnë se ç’është e mirë për ta. Edhe më keq, ata u bëjnë jehonë atyre që duan ta trajtojnë këtë komunitet si të përbërë nga qytetarë të dorës së dytë, si më pak patriotë dhe më pak të interesuar për fatet e kombit. Qëndrime krejtësisht të papranueshme, të cilat i hedhim poshtë me përbuzje. Orthodhoksët shqiptarë e njohin mirë Kishën e tyre, historinë e tyre dhe janë të aftë jo vetëm të gjykojnë, por edhe të vendosin vetë për fatet e besimit të tyre.
Së katërti, ashtu siç nuk ndërhyn Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë në punët e të tjerëve, po të njëjtin trajtim kërkon për veten e saj. Në shumicën e rasteve, sulmet ndaj saj janë kryer nga persona që nuk i përkasin besimit orthodhoks, edhe ato nga diaspora, gjë që është krejt e papranueshme për marrëdhëniet fetare. Çdo komunitet ka veçoritë dhe identitetin e vet, që vetëm pjesëtarët e tij i vendosin dhe i mbrojnë dhe jo zotërinjtë Repishti, Protopapa etj.
Së pesti, në intervistë nxirret nga pluhuri fantazma e Komitetit Kombëtar për mbrojtjen e Autoqefalisë. Nuk dimë se si do ta mbrojë kjo krijesë (që s’i dihen as koka as këmbët dhe as kush ia lëviz fijet), diçka që ekziston, forcohet dita-ditës e lulëzon. Por, dimë se shumica e atyre pak anëtarëve që pretendon se ka nuk janë orthodhoksë dhe mbi të gjitha, nuk ka asnjë dhiak, asnjë prift. Me sa duket këta pinjollë të diktatorit të vdekur, duan të realizojnë një eksperiment të ri – një Kishë pa klerikë.
Së pesti, nga sa del nga intervista, këta njerëz nuk kanë asnjë interes të kuptojnë dhe pranojnë se nuk ka kishë orthodhokse, kanonike, pa kryepiskop. Pa një kryetar të rangut të episkopit KOASH e ka të pamundur pjesëmarrjen në jetën e gjallë të Kishës Orthodhokse Botërore, si e barabartë dhe do të ngelej e izoluar, ashtu siç ka ndodhur me komunitetin në fjalë në SHBA. Ç’gëzim për kundërshtarët e Kishës! Ndërkohë, me kryepiskopin Anastas në krye Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë po merr pjesë në të gjitha strukturat që bashkojnë kishat orthodhokse dhe gjithë konfesionet e tjera kristiane. Ky aktivitet ka bërë që ajo të njihet nga gjithë këto kisha, orthodhokse ose jo, siç u dëgjua kohët e fundit edhe nga goja e Papës Gjon Pali II.
Dhe, së fundi, nuk kuptojmë se si Parlamenti dhe Qeveria mund të dëgjojnë zërin e z. Kirka dhe pak shokëve të tij dhe t’i mbyllin veshët përpara thirrjeve për drejtësi dhe mosndërhyrje në punët e brendshme të KOASH të qindra-mijëra besimtarëve orthodhoksë, qytetarë të Republikës së Shqipërisë, që kanë luftuar e dhënë votën e tyre për fitoren e demokracisë, me besimin se ajo do të sillte dhe lirinë e plotë të besimit, të mohuar nga regjimi ateist komunist.
Zyra e Shtypit e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë
Shënim: Sipas rregullave të shtypit demokratik, kjo përgjigje iu dërgua gazetës “Republika”, e cila, si dhe në raster e mëparshme, nuk e botoi.