EmailFacebookKontakt

Autoqefalia e Kishës sonë dhe ripërjetimi i saj pas rënies së diktaturës komuniste

Prilli i sivjetshëm shënon 85-vjetorin e një ngjarjeje epokale për komunitetin Orthodhoks të Shqipërisë, atë të njohjes së Autoqefalisë së Kishës sonë nga Patriarkana Ekumenike, e cila e futi si të barabartë në familjen e Kishave.

U kurorëzua ëndrra e besimtarëve Orthodhoksë dhe përpjekjet e filluara nga komuniteti i Amerikës dhe Imzot Theofani (Noli), për të vazhduar më pas me kongreset e viteve 1922 dhe 1929, të cilat u realizuan kanonikisht me këtë akt tepër të rëndësishëm dhe historik.

Më 12 prill 1937, në prani të një delegacioni nga Shqipëria, Patriarku Veniamin dhe Sinodi i Shenjtë i Patriarkanës Ekumenike të Konstandinopojës, nënshkruan Tomosin Patriarkal të njohjes së Autoqefalisë së Kishës Orthodhokse të Shqipërisë. Tomosi iu dorëzua Imzot Kristoforit, duke e caktuar atë si Kryepiskop të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.

Patriarkana Ekumenike i dërgoi mesazh edhe Mbretit Zog dhe Kryeministrit Koço Kota. Më 24 maj 1937, Kryepiskopi Kristofor, me cilësinë e kryetarit të Sinodit të Shenjtë të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, iu përgjigj me një letër falënderimi Patriarkut të Konstandinopojës, Veniaminit.

Sinodi i Parë Kanonik i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë përbëhej nga: Kryehirësia e Tij Kristofori, Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Agathangjel Çamçe, Mitropolit i Beratit, Evllogjio Kurilla, Mitropolit i Korçës, Pandeleimon Kotoko, Mitropolit i Gjirokastrës.

Me rastin e shpalljes së Autoqefalisë, në Kishën Katedrale të Tiranës u celebrua një Liturgji panegjirike me pjesëmarrjen e hierarkëve dhe klerikëve të Kishës. Në këtë shërbesë qe i pranishëm edhe Mbreti Zog. Nga episkopi i Gjirokastrës Pandeleimon Kotoko u lexua përmbledhja e Tomosit Patriarkal për dhënien e Autoqefalisë Kishës sonë. Me këtë rast, po botojmë në faqen që vijon edhe Tomosin e plotë të dhënies së Autoqefalisë.

Në mesin e viteve ’30, pas një periudhe të tejzgjatur krize kishtare, Orthodhoksët e Shqipërisë vërenin me keqardhje se pasojat e shkaktuara nga veprimet e deriatëhershme për shpalljen e autoqefalisë dëmtonin gjithnjë e më tepër historinë shumëshekullore dhe praninë e tyre në vend. Në kongresin e organizuar në Korçë, në maj të vitit 1936, ata shprehën hapur verdiktin e tyre për depolitizimin e çështjes dhe zgjidhjen e menjëhershme të saj. Kërkesa e tyre vuri në lëvizje palët e implikuara dhe shënoi zhvillime të reja, duke filluar me dhënien e dorëheqjes prej Kryepiskopit të atëhershëm Visarion Xhuvani vetëm pak ditë më pas.

Në shkurt të vitit 1937, qeveria shqiptare autorizoi episkopin e Sinadëve, Kristoforin, dhe avokatin Josif Kedhi të rinisnin një cikël të ri negociatash me mitropolitin e Trapezundës, Krisanthin, si përfaqësues i Patriarkanës Ekumenike. Kësaj here bisedimet u kurorëzuan me sukses dhe pak kohë më vonë, më 18 mars të po atij viti, u nënshkrua në Athinë një marrëveshje paraprake, në bazë të së cilës Patriarkana Ekumenike lëshoi më 12 prill 1937 Tomosin Patriarkal dhe Sinodik, me të cilin i jepte autoqefalinë Kishës së Shqipërisë.

Shpresëtarët Orthodhoksë të Shqipërisë e pritën këtë ngjarje të hareshme me një ndjenjë lehtësimi, duke kremtuar në të njëjtën kohë edhe rivendosjen e kungimit kishtar me Kishën e Madhe të Krishtit dhe Kishat e tjera Orthodhokse të botës. Shpallja kanonike e Kishës së Shqipërisë në autoqefale konfirmonte edhe një herë pafuqinë e prirjeve të ndryshme jokishtare për t’u përballur me ndërgjegjen orthodhokse të anëtarëve të saj, me lidhjet e tyre të ngushta me besimin e të parëve dhe me vendosmërinë e tyre për t’ua përcjellë atë të pacenuar brezave të ardhshëm. Po ashtu, konfirmonte misionin ekumenik të Patriarkanës së Konstandinopojës në ruajtje të përbashkësisë së besimit orthodhoks, përparësia e së cilës qëndron mbi çdo lloj interesi apo tendence tjetër.

Ndërkaq, qetësia kishtare nuk zgjati shumë. Vetëm dy vjet pas shpalljes së autoqefalisë së Kishës së Shqipërisë, pushtuesit italianë u përpoqën të pengonin kryerjen e misionit të saj historik, duke kaluar ndër të tjera edhe në akte proselitizuese në dëm të besimtarëve të saj, ndërsa ardhja në pushtet e komunistëve në nëntor të vitit 1944 e vështirësoi akoma më shumë gjendjen.

Në kuadrin e së famëkeqes “luftë e klasave” dhe të konfliktualitetit të ideologjisë marksiste me doktrinën dhe botëkuptimin fetar, regjimi komunist kufizoi në një masë të konsiderueshme jo vetëm funksionimin pa pengesa të autoqefalisë, por edhe të çdo shprehjeje të jetës orthodhokse në përgjithësi. Me persekutimet e shumta, me burgosjet dhe ekzekutimet e klerikëve dhe besimtarëve të ndryshëm, por sidomos me largimin e dhunshëm të Kristofor Kisit nga froni i kryepiskopit më 25 gusht 1949, largim i cili u pasua në nëntor të po atij viti nga ligji nr. 743 “Mbi komunitetet fetare”, propaganda komuniste u përpoq ta vendoste Kishën Orthodhokse nën kontroll, për ta përdorur në vijim në interes të saj.

Shpërthimi i fushatës ateiste në vitin 1967 dhe intensifikimi i persekutimit fetar çoi në ndalimin e plotë të çdo shfaqjeje të dukshme fetare. Të gjithë klerikët u zhveshën, disa prej tyre i burgosën, të tjerë i internuan, ndërsa ata që mbetën u detyruan t’u nënshtroheshin punëve të rënda e të vështira për të siguruar bukën e gojës. Qindra ambiente kulti u shkatërruan apo u kthyen në stalla e depo. “Atmosfera revolucionare”, e krijuar në mënyrë artificiale, shtoi akoma më shumë frikën dhe tmerrin që mbizotëronte gjithandej. Me kalimin e kohës, sidomos kur asnjë prej episkopëve të mëparshëm nuk jetonte më, një grup klerikësh dhe laikësh orthodhoksë, midis të cilëve edhe prifti nga Vlora, më pas Episkopi i Apollonisë, i gjithmonëkujtuari Kozma Qirjo, teologët Theofan Popa e Dhimitër Beduli, mësuesi nga Qeparoi Petro Xhuveli, motrat Cico nga Korça e sa e sa të tjerë, me shpirt sakrifice e martirizimi, morën përsipër mbajtjen gjallë të ndërgjegjes orthodhokse të mijëra besimtarëve si dhe ruajtjen të paprekur të traditave të të parëve. Dëshira e tyre e zjarrtë ishte rehabilitimi i lirisë fetare dhe riorganizimi i Kishës Orthodhokse. Dështimi i ideologjisë komuniste dhe mbarimi i luftës së ftohtë në fund të viteve ’80 i gjeti shumë prej tyre në moshë të thyer, të tjerë i gjeti të dërrmuar, të tjerë të rraskapitur, por të gjithë duke iu lutur Perëndisë e duke pritur me durim episkopin e tyre.

Më 8 janar 1991 Patriarkana Ekumenike caktoi si ekzark të saj për Shqipërinë Episkopin e atëhershëm të Andrusës dhe profesorin e Universitetit të Athinës Anastas Janullatos, i njohur në arenën botërore kristiane për veprimtarinë e tij hierapostolike. Misioni i tij ishte kontaktimi me pjesëtarët e bërthamës kryesore, klerikë dhe laikë, vlerësimi objektiv i gjendjes dhe riorganizimi i Kishës.

Klika ateiste reagoi menjëherë. Gazeta e Partisë së Punës “Zëri i Popullit” botoi më 30.01.1991 një artikull, me anë të të cilit konfirmonte kundërshtimin e komunistëve ndaj përkrahjes që Patriarkana Ekumenike u ofronte Orthodhoksëve të Shqipërisë. Vetë R. Alia kishte deklaruar disa herë se ky veprim i Fanarit përbënte ndërhyrje arbitrare e të jashtëligjshme në dëm të “autoqefalisë shqiptare”, duke bërë të qartë se Ekzarku i Patriarkanës ishte person i padëshiruar. Me sa duket, nuk e dinte se në atë kohë në Shqipëri, jo vetëm thjesht nga pikëpamja praktike, por edhe në kuptimin teologjik të fjalës, për shkak mungese episkopi, nuk ekzistonte fare Kishë, aq më tepër autoqefale.

Ripolitizimi i çështjes së autoqefalisë, i cili është një term thellësisht kishtar, që nuk shpreh veçse një realitet të caktuar kishtar në një territor të caktuar kishtar, episkopët e të cilit, në bazë të kanoneve dhe traditave të shenjta të Kishës Orthodhokse Lindore, fitojnë të drejtën për të administruar sinodikisht pushtetin që Zoti ynë Jisu Krisht u dorëzoi nxënësve të Vet, krijoi në vazhdim tension të madh. Argumentet e Ramiz Alisë u dëgjuan dhe u ricikluan pambarim edhe pas zgjedhjes (24.06.1992) dhe fronëzimit (02.08.1992) të Ekzarkut të Patriarkanës Kryepiskop të Tiranës dhe të Gjithë Shqipërisë. Madje u ngrit edhe një komitet “për mbrojtjen e autoqefalisë” nga njerëz që s’kishin kurrfarë lidhjeje me Kishën Orthodhokse! U identifikuan shpeshherë si qarqe joorthodhokse, por në të vërtetë përfaqësonin një sistem të tërë, platforma politike e të cilit funksiononte si zgjatim i ideve të fushatës ateiste të vitit 1967, e përshtatur në një mjedis të ri propagandistik. Qëllimi i tyre imediat ishte të pengonin dhe të goditnin rehabilitimin e institucionit të fesë dhe, për pasojë, instalimin e demokracisë së vërtetë dhe rehabilitimin e plotë të lirisë.

Ndërkaq, Kryepiskopi Anastas, ndryshe nga akuzuesit e tij, nuk e shikonte autoqefalinë – e cila gjithsesi ishte inekzistente – si etiketë, por si një objektiv që duhej realizuar. Brenda pak vitesh jeta kishtare njohu një lulëzim të paparë. U dorëzuan dhjetëra priftërinj dhe u përgatitën qindra kuadro, u zhvillua arsimi kishtar dhe u inkurajua vepra hierapostolike. Më 1998 u krijuan premisat që çuan në krijimin e Sinodit të Shenjtë dhe që bënë të mundur funksionimin e autoqefalisë, e cila u konsolidua akoma më shumë para disa muajsh me zgjedhjen dhe hirotonisjen e tre episkopëve të tjerë, ndërsa ekzistenca e kuadrove të tjerë në moshë të re, të aftë e të mirëpërgatitur, të cilët do të thirren në të ardhmen për t’i dhënë një shtysë akoma më të madhe veprës që po kryhet, përbëjnë garanci të plotë se Kryepiskopi Anastas është kujdesur edhe për perspektivën e saj në vitet në vazhdim.

Arritjet e mësipërme, falë të cilave Kisha jonë është sot me të vërtetë autoqefale, janë bashkudhëtare me përpjekjet e të gjitha komuniteteve fetare për rehabilitimin dhe konsolidimin e institucionit të fesë.

Njëkohësisht, janë bashkudhëtare me përpjekjet e qytetarëve shqiptarë për demokraci dhe zhvillim shoqëror, prandaj dhe e radhitin protagonistin kryesor të ripërjetimit të autoqefalisë, Kryepiskopin Anastas, ndër personalitetet më të shquara të historisë së lëvizjes demokratike në Shqipëri për periudhën paskomuniste.

Pirro Kondili
(Botuar me rastin e 70-vjetorit)