EmailFacebookKontakt

ATSH-ja deformon realitetin

Në një korrespondencë nga Durrësi të Agjensisë Telegrafike Shqiptare, të datës 5 janar 1997, flitej në mënyrë krejt të deformuar rreth celebrimit të përvjetorit të lindjes së Imzot Theofanit (Nolit), në Kishën Shën Gjergji të këtij qyteti. Në të thuhej se Liturgjia Hyjnore e rastit u krye nga priftërinjtë e Durrësit, duke mos përmendur fare pjesëmarrjen e drejtimin e saj nga Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Imzot Anastasi, i cili ishte ftuar nga Shoqata “Fan Noli” e qytetit.

Eshtë e vështirë të mendosh se këtë manipulim flagrant ta ketë bërë vetë korrespondenti. Siç afirmon edhe një e përditshme, mënjanimi i qëllimshëm i emrit të Kryepiskopit Anastas duket se është kryer brenda vetë këtij institucioni.

Nuk e dimë nëse kjo është bërë me urdhër apo është një refleksion i alergjive të njohura personale të ndokujt në krye të ATSH-së, por mbetet fakt se Agjensia e Informacionit që përfaqëson Shqipërinë jep me ndërgjegje lajme jo të besueshme e tendencioze rreth Komunitetit tonë Orthodhoks (siç ka ndodhur edhe më parë), duke prishur kështu edhe imazhin e Shtetit, nga i cili ka varësinë.