Atmosferë e thellë shpirtërore të
kremten e Shën Vlashit
Më 11 shkurt u kremtua festa e martirizimit të Hiero-
dëshmorit Vlash. Në manastirin që mban emrin e martirit,
me qindra besimtarë adhuruan Perëndinë dhe iu lutën
shenjtit të ndërmjetësojë për shpëtimin e shpirtrave. Liturgjia
Hyjnore u drejtua nga ndihmësdrejtori i Akademisë Theolo-
gjike, Episkopi i Apolonisë, Nikolla. Atmosfera brenda dhe
jashtë kishës së manastirit ishte e mbushur me lutje, meditim
dhe urime të përzemërta. Kishin ardhur besimtarë nga Tira
na, Durrësi, Kavaja, Berati dhe Myzeqeja si edhe nga qytete
e rrethina të tjera të vendit.
Kjo festë është kthyer në një traditë të përvitshme dhe
brenda kësaj tradite, një prej studentëve të vitit të katërt të
Akademisë Theologjike, Stefan Zhupa, mbajti predikimin
e rastit:
“Në këtë të kremte besimtarët iu lutën Zotit nxehtësisht
që me ndërmjetimet e shën Vlashit të na bëjë të denjë të
numërohemi me ata që do të marrim në trashëgim Mbretë-
rinë e përjetshme”.