EmailFacebookKontakt

Atje ku lind shpresa…

“Isha i uritur dhe ju më dhatë të ha, isha i zhveshur dhe ju më veshët, isha i sëmurë dhe ju më vizituat…”.

Në të kremten e Krishtlindjeve, kur festojmë ardhjen e Shpëtimtarit, fjalët e Ungjillit i ndiejmë edhe më shumë. Dihet ndihma që Kisha jonë, nën drejtimin e Kryepiskopit Anastas dhe organizimit të bërë nga Zyra “Shërbimi i Dashurisë” (DA), dha për të ardhurit nga dhuna në Kosovë.

Edhe tani, që faza e krizës në Shqipëri ka mbaruar, përsëri Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë vazhdon të Administrojë e kujdeset për personat e strehuar ende në kampin “Olimpia”, pranë Liqenit Artificial, në Tiranë. Tani aty ndodhen 13 familje, me 45 persona, të gjitha me histori të tmerrshme e plagë ende të hapura. Ndaj është përpjekur papushim për të krijuar për ta kushte sa më të mira dhe ngrohtësi.

Në datën 24 dhjetor, Fortlumturia e Tij Anastasi shkoi midis tyre, i shoqëruar nga klerikë e të rinj orthodhoksë, duke iu transmetuar mesazhin, se nuk janë vetëm, por ka gjithmonë vëllezër që mendojnë e jetojnë me hallet e tyre.

Kryepiskopi, si një At i dashur, u interesua deri në detajet më të vogla për problemet e tyre dhe i siguroi ata, se do të kenë deri në fund të qëndrimit mbështetje e Kishës sonë. Fjala e Tij u përcoll plot dashuri nga të gjithë kosovarët e strehuar aty, të cilët e falenderuan në mënyrë të veçantë Kryepiskopin. “Fjalët Tuaja Fortlumturi,- tha njëri nga ata,- ushqejnë qindra mijëra zemra me dashuri njerëzore.”. Ndërsa Kryepiskopi Anastas u tha, se “Së shpejti edhe problemet tuaja do të gjejnë një zgjidhje përfundimtare. Mos harroni, ne do jemi gjithmonë mes jush.”.

Në fund, Kryepiskopi shkoi në banesat parafabrikat të të gjitha familjeve, duke i dhuruar secilës me rastin e festave një shumë të hollash e disa pajisje të nevojshme.

N. M.