EmailFacebookKontakt

Ati oshënar Simeon

Ati oshënar Simeon (21 Korrik)

Ishte nga Edesa dhe u rrit në kohën e perandorit Justin (565-578). Joani me Simeonin ishin të rinj të pasur, por edhe shumë shpresëtarë, të cilët të lidhur me një miqësi vëllazërore u transferuan në Jerusalem, për t’u falur në vendet të Shenjta gjatë së kremtes të Ngritjes së Kryqit të Nderuar. Të mbushur me mallëngjim të shenjtë e shtynë faljen e tyre edhe drejt ujërave të lumit Jordan, të etur edhe nga dëshira për të parë atje asketët oshënarë, për virtytet e të cilëve kishin dëgjuar shumë. Kaq shumë i tërhoqi njohja e këtyre burrave të shenjtë, saqë harruan dhe përbuzën pasurinë dhe dëfrimet tokësore, duke u kthyer në jetën murgjërore.

Pas disa vitesh, tashmë vëllezër të pandarë, u transferuan në vende më të shkreta, ku filluan asketizmin e tyre. Por edhe atje, ku u tërhoqën, vinin shumë njerëz, duke dëshiruar t’i shihnin dhe të bëheshin të virtytshëm nga përfitimet e tyre shpirtërore.

Qëndruan shumë vite, por një ditë Simeoni i tha Joanit:
– Vëlla, e lëmë shkretëtirën?
Joani i çuditur e pyeti: “Po ku të shkojmë vëlla?”
– Në qytet, – u përgjigj Simeoni.
– Në qytet?

Joani mendoi se nuk dëgjoi mirë, por Simeoni i tha përsëri:
– Në qytet.

Përse? Për ç’qëllim kaluan, atëherë, kaq vjet në shkretëtirë dhe lanë në të lulen e rinisë së tyre. Por, Simeoni këmbëngulte dhe i tregonte Joanit Edesën, fshatin e Pavlit, duke i thënë: “Të mos kërkosh për vete asgjë, por për të tjerët”.

Joani thoshte përsëri: “Mos ne jetojmë këtu vetëm për vete? Mos nuk vijnë shumë shpirtëra, të cilat i ndihmojmë dhe i drejtojmë?”

Por edhe Simeoni nuk tërhiqej: “S’mjafton që disa vijnë drejt nesh, po duhet që dhe ne të vrapojmë drejt atyre që kanë nevojë për drejtim shpirtëror. Nuk mjafton përdorimi i një pjese të jetës, por duhet përdorur e gjithë jeta.” Kështu, Joani mbeti në shkretëtirë, ndërsa Simeoni përshëndeti me lot shokun e tij dhe pas disa ditësh pa përsëri Jerusalemin.

U predikoi atyre dhe me shumë këshilla arriti që nëpërmjet ndihmës hyjnore t’i sillte drejt Krishtit shumë judenj dhe shumë heretikë t’i kthente në Krishtërim, por edhe shumë të sëmurë t’i shëronte.

Dhe ja, vëmendja e tij u kthye nga Edesa. Atje ku lindi, përse të mos i shërbejë dritës së diellit që u ndriçon Iisu Krishti atyre që jetonin në errësirën e mëkatit? Kështu, pra, pa përsëri atdheun e tij, që e kishte lënë shumë i ri dhe rivinte shumë i varfer, ai që atëherë ishte i rrethuar nga pasuri e madhe.

Punonte ditë e natë mbi Ungjillin, duke mësuar dhe ndihmuar të vuajturit. Kaq durim dhe dashuri kishte për këtë, sa nuk nguronte ta jepte ushqimin e tij dhe të mbetej i pangrënë, të jepte rrobat e tij dhe të vishej me rrecka. Ai u afrua dhe tek njerëzit e shthurrur, që e ironizonin dhe e shpallnin të çmendur, por ai këmbëngulte i kënaqur në atë që jo rrallë, me këtë mënyrë, të tërhiqte disa shpirtra që të pranonin Fjalën Hyjnore. Pas shumë vitesh, Joani u dëshirua të shikonte Simeonin, prandaj la shkretëtirën e shkoi në Edesë, po Simeoni, pikërisht atë mëngjes, kishte dhënë frymën e fundit.

I përloturi Joan e varrosi e pas disa ditësh vdiq edhe ai, duke pasur atë me të cilin ishte bashkëpërpjekur.

Kremton më 21 korrik.