At i madh shpirtëror dhe tepër popullor tek rusët. Kremtohet më 19 korrik, ditë e tij e lindjes (1759) dhe të njohjes të tij si Shenjt (1903), por kremtohet, kryesisht edhe më 2 janar, ditë e fjetjes së tij (1833). U lind në Kursk të Rusisë, vend i ndodhur midis Moskës dhe Detit të Zi. I ati, tregtar, Isidor Mosnin, vdiq herët, dhe atë e rriti me frikë Perëndie e ëma Agathi. Kur ishte dhjetë vjeç pa për herë të parë të Tërëshenjtën që më pas do ta adhuronte dhe do ta deshte aq shumë – Iu shfaq të “zgjedhurit” të saj, gjithsej dymbëdhjetë herë, qoftë per ta shëruar kur qe duke vdekur, qoftë për t’i ndryshuar mënyrën e jetesës dhe vendet e ushtrimit dhe të misionit të shenjtë, qoftë për t’i parathënë fundin në vdekjen që e priste. Ishte ende dhjak kur pa Krishtin!
Pra, në moshën 19 vjeçare hyri në manastirin e largët të Sarovit (400 km në lindje të Moskës), ku u bë murg (13.8.1786) dhe u quajt Serafim (hebraisht – i Flakët), nga Prohor që quhej gjer atëherë. Dy muaj më vonë u dorëzua dhjak dhe më 3.9.1793 prift. Në moshën 35-vjeçare mori bekimin dhe lejen dhe u bë eremit per, të agjëruar dhe për të kultivuar “uratën”, domethënë “lutjen shpirtërore”, ose “lutjen e Iisuit”: “Zoti Iisu Krisht, (Bir i Perëndisë) mëshiro mua (mëkatarin)”. Madje, kur e luftuan mendime blasfemie, ai u lut njëmijë ditë e net mbi një shkemb, pothuaj si monakët e vjetër te shtyllave. Edhe pse ishte i fortë fizikisht, nuk u kundërvjedhësve, që e lanë gjysmë të vdekur (1804). Nga goditjet e tyre ai mbeti i kërrusur për gjithë jetën. Pasi u shërua në manastir, u kthye në qetësi. Kishte miqësi me egërsira dhe në veçanti me një ari, të cilin e dërgonte për t’i kryer porosi të ndryshme! Që nga viti 1807 jetoi në heshtje të plotë, kështu që u konsiderua si i mashtruar prej djallit, por ai tregoi bindje kur i thanë për t’u kthyer në manastir (1810), në të cilin u ushtrua i mbyllur dhe i paparë nga të tjerët. Më 1815 hapi portën, po heshtjen e vazhdoi. Por, që nga viti 1820, ai filloi të presë mijëra njerëz, që gjithnjë i përshëndette – dhe jo vetëm gjatë kohës së kremtimit Ngjalljes me “Sa gëzim Krishti u ngjall”! Dhe i udhëheq ata shpirtërisht. Krijoi e mbrojti manastire grash. Mbrojti edhe manastirin e Divejevës.
Më 1825 ai del përsëri në shkretëtirë. Kuron, lexon zemrat, profetizon në mënyrë të pagabueshme. Në bashkëbisedimin e famshëm me Motovilovin, ai shprehet se qëllimi i jetës është marrja e Shpirtit të Shenjtë. E ndërsa ata bashkëbisedonin, ndriçohen që të dy dhe ngrohen nga Hiri i Shpirtit të Shenjtë, ndonëse ishin ulur mbi dëborë! Gjithashtu ai predikonte: “Ki paqe brenda vetes dhe njëmijë veta do të shpëtojnë rreth teje”. U gjet i vdekur i gjunjëzuar para ikonës së Hyjlindëses. Gjetja e lipsanit së tij më 1990, entuziazmoi pa masë Rusinë.
At Justini