Ata që punuan me përkushtim për Kishën tonë
Atë Llambi Mihal Floqi lindi në vitin 1888, në fshatin Floq, Mitropolia e Korçës, në një familje besimtare. Që i vogël u mëkua dhe u rrit me besimin Orthodhoks. Përfundoi studimet teologjike në vitin 1922. Një vit më vonë, në moshën 35-vjeçare, u rendit në radhët e klerit. Shërbeu 12 vjet në Mitropolinë e Korçës. Kishte të gjitha cilësitë e një kleriku të formuar. Shkoi në emigrim në SHBA, nga viti 1935-1955, ku shërbeu për 20 vite rresht, derisa ndërroi jetë në dhjetor të vitit 1955. Punoi dhe i shërbeu Kishës Orthodhokse dhe bashkatdhetarëve tanë atje. U martua me priftëreshën Dhoksia Stoja nga Lubonja, dhe nga kjo martesë ata linden 6 fëmijë.
Nga kujtimet e besimtarëve, nga arkiva e kishës dhe nga shtypi i kohës mëson se ai ka qenë një personalitet i Kishës në atë kohë. Fotografia e tij edhe sot është e ekspozuar në radhën e fotografive të personaliteteve të gjithë klerikëve shqiptarë në SHBA. Ishte një bashkëpunëtor i Imzot Theofan Nolit. Klerikët nga SHBA ishin ndihmëtarët e parë për Kishën në Shqipëri, ndihmuan financiarisht, me literaturë kishtare të përkthyera në shqip.
Ashtu si sot, që prej dy shekujsh shumë korçarë jetonin jo vetëm në qytetin e tyre por edhe në vendet e tjera, ku kishin shkuar për të kërkuar një jetë më të mirë. Historia në përgjithësi ka mjaft për të treguar, mbi rolin dhe kontributet e tyre në ato vende dhe sidomos mbi rolin e tyre në shërbim të atdheut dhe kulturës kombëtare, ndërkohë që ishin larguar nga vendlindja.
Aktiviteti i atë Llambit na tërheq vëmendjen jo vetëm për shkak të mallit që na prek natyrshëm kur flitet për të dhe jo vetëm për shkak të ndjenjës së patriotizmit, por sepse këto aktivitete zhvilloheshin në një kontakt të vazhdueshëm me atdheun e tyre. Ai krijoi korin në kishë, ku në të merrnin pjesë dhe psalnin në gjuhën amtare edhe fëmijët e tij.
Nëpërmjet këtij shkrimi shpreh mirënjohjen dhe falënderimin për gjithë veprën e këtij kleriku të nderuar të Kishës Orthodhokse, atë Llambi Mihal Floqit. Mirënjohje për të gjithë intelektualët tanë të mençur dhe fetarë për kontributin e tyre të vyer, për ndihmën që kanë dhënë dhe japin për edukimin me vlerat më të mira hyjnore, njerëzore, shoqërore dhe kombëtare.
Atë Andrea Zhurka